Komuna punëson 20 punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta

‘’Qytetarët tashmë janë në dijeni që ju keni një numër të konsideruar të këshilltarëve, e dinë se në kuadër të kabinetit tuaj e keni edhe Zyrën Ligjore, por brenda këtyre dy viteve ata nuk kanë arritur t’iu këshillojnë juve që ligji është për t’u respektuar dhe jo për t’u shkelur”, ishte shprehur Selim Marevci në vitin 2015.

Kështu kritikonte qeverisjen Svarqa sa ishte në opozitë, por sot në cilësinë e zëdhënësit të komunës, Selim Marveci po e mbron veprimin për marrjen e punëtorëve të rinj me kontratë mbi vepër. Prej ardhjes në pushtet qeverisja e PDK-së ka angazhuar si punonjës me shërbime të veçanta rreth 20 persona. Ky fakt nuk po mohohet nga pushteti, por po arsyetohet se administrata komunale ka pasur nevojë të madhe për punësimin e tyre. Madje, zëdhënësi Marveci po lavdërohet se ky pushtet është kujdesur  që këtë lloj punësimi ta bëj me konkurs publik.

“Me kërkesë të drejtorëve për shtimin e numrit të punëtorëve është marrë për bazë kërkesa e tyre sepse ka mungesë të tyre, pasi që disa kanë marrë pushime mjekësore, disa kanë dalë në pension dhe u pa e arsyeshme që ka nevojë për shtim të numrit të punëtorëve. Pra është aprovuar vendimi për të shpall konkurs për shërbime të veçanta, kjo kontratë është bërë konform dispozitave ligjore. Kryesisht  punëtorët janë marrë nëpër drejtori të cilat kanë pas më së shumti nevojë, siç është drejtoria e Urbanizmit, pastaj edhe tek Inspektorati që keni parë një angazhim maksimal të tyre dhe është parë e arsyeshme që aty të shtohet numri i punëtorëve, por edhe nëpër sektorë të tjerë. Për herë të parë kryetari i komunës ka respektuar ligjin për shërbimin civil, ku thotë se edhe për kontratë me shërbime te veçanta të shpallet konkurs”, tha Marveci.

Në anën tjetër, anëtarë të LDK-së në Ferizaj kritikuan pushtetin aktual që po e kopjon qeverisjen Svarqa. Ismet Vranovci nga kjo parti, shprehu habi se si kjo qeverisje që kishte marrë pushtetin gati të falimentuar, po e ka luksin të punësoj punëtorë të rinj.

“Përkundër reklamimit të tyre nëpër televizione që komuna ka aq shumë borxhe sa që është gati para falimentimit dhe tash vjen situata kur ata pranojnë punëtorë me kontrata në vepër, edhe pse këto kontrata janë të nevojshme për disa sektorë, pasi që në kohë të caktuar ka mungesa të stafit dhe kjo duhet të zëvendësohet. Është e vërtet që edhe në pushtetin tonë kemi pasur raste të tilla sepse ka pasur nevojë, por derisa ata na kanë kritikuar neve non-stop, në anën tjetër dalin dhe marrin punëtorë që duhet të paguhen nga kjo qeverisje e falimentuar”, tha Ismet Vranovci i LDK-së.

“Ka qenë numër enorm i atyre të punësuarve, ata ishin të punësuar militantë, të cilët janë punësuar pa asnjë bazë ligjore dhe ne nuk i kemi larguar nga puna, atyre u ka skaduar afati, prandaj ne po marrim tani profesionistë të fushave”, tha Selim Marveci

“Po të njëjtën kohë ata që tashmë kanë bërë një përvojë në administratë për punët që kanë kryer po largohen dhe po merren të tjerë, militantë të PDK-së dhe familjarë të tyre. Kjo për mendimin tonë nuk është në rregull”, tha Vranovci.

Përveç punëtorëve me kontratë në vepër të angazhuar në administratën komunale, por edhe në zyrën e kryesueses së Kuvendit, ditët e fundit po vërehet numër i shtuar i punëtorëve edhe në kabinetin e kryetarit të komunës Agim Aliu.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90