Nesër ditë zie në nderim të Fadil Vokrrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie, në nderim të Fadil Vokrrit i cili vdiq sot. “Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, nesër flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, 57-vjeç, ndërroi jetë sot, pas një sulmi në zemër. Vokrri, pas karrierës si futbollist, morri nën drejtim Federatën e Futbollit të Kosovës më 2008.

Pas lajmit për vdekjen e Vokrrit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se ai ka qenë frymëzim për shumë breza të sportistëve.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli ka thënë se me vdekjen e Vokrrit, sporti i Kosovës ka humbur shumë.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Vokrri ka inspiruar shumë fëmijë shqiptarë që të ndjekin shembullin e tij.

Leave a Comment

Your email address will not be published.