Policia me plan operativ për sigurinë e nxënësve

Këta pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë vendosur në vendkalimet e këmbësorëve që ndodhen afër shkollave, për t’i siguruar nxënësit që të kalojnë rrugën pa rreziqe.

“Shtatori i sigurt” është plani operativ i Policisë së Kosovës, i cili ka nisur këtë muaj me qëllim rregullimin e trafikut rrugor dhe rritjen e sigurisë së nxënësve nëpër vendkalimet e këmbësorëve të cilët janë afër shkollave.

“Si çdo vit edhe sivjet jemi në vazhdimësi të planit operativ “Shtatori i sigurt”, që nënkupton fillimin e vitit shkollor që të gjithë nxënësve dhe personelit arsimor t’u ofrojmë një siguri më të madhe. Qëllimi është sidomos për fillestarë që për herë të parë shkojnë në shkollë të ndihen të sigurt dhe kemi angazhuar policë që gjatë kohës në ora 8:00 kur fillon edhe mësimi të jenë prezent në afërsi të shkollave që të rregullojnë trafikun dhe t’u ndihmojnë nxënësve gjatë kalimit të rrugës, po ashtu pjesëtarë do të ketë edhe në ndërrimin e pasditës. Mendojmë se ky aksion është shumë i mië sidomos edhe për fillestarët që ta ndjejnë vetën të sigurt, por edhe për personat të cilët pengojnë procesin mësimor të ndërmarrin masa kundër tyre”, tha zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Ky aksion i policisë po pëlqehet edhe nga prindërit.

‘’Ky aksion është shumë i qëlluar pasi këtu po vozitin shumë shpejtë, mua më ka ndodhë dy ditë më parë duke kaluar rrugën më ndihmojë një person tjetër se vetura ishte shumë shpejtë e mezi që e ndali, një rast tjetër vitin e kaluar një veturë e goditi një nxënës duke kaluar në zebra, prandaj unë apeloj edhe tek vozitësit që të kenë kujdes ndërsa edhe policia duhet t’i dënojnë mos t’iu dhimbsen”, tha Avdi Kashatanjeva, prind.

“Ide e mirë por mendoj se do të ishte mirë që policia me qëndru pak më larg shkollës, mos me i frikësu nxënësit, ndërsa prezenca e policisë këtu do të bënte të respektohej vendkalimi më shumë nga shoferët”, tha Sadri Aliu, prind.

Në Policinë e Ferizajt thanë se nuk e dinë se sa është numri i këmbësorëve të vdekur apo të lënduar nga automjetet.

Leave a Comment

Your email address will not be published.