Seanca gjyqësore ndaj Faik Graincës në fillim të tetorit

U bënë shtatë muaj që kur Gjykata Themelore e Ferizajt zhvilloi seancën e parë gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Ferizaj Faik Grainca, mirëpo deri më sot akoma nuk ka ndonjë epilog. Drejtues të këtij institucioni nuk po konsiderojnë se procesi është vonuar, por po arsyetohen se procedurat gjyqësore kanë bërë që ky rast ende të mos përfundoj. Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj Bashkim Hyseni, tregoi se pas ankesave dhe kundërshtimit që ka bërë pala akuzuese, rasti ka shkuar në Gjykatë të Apelit dhe pas kthimit të saj në Gjykatën e Ferizajt, seanca e radhës është caktuar të zhvillohet në fillim të tetorit.

“Çështja për të cilën po referoheni është në stadin procedural ku gjatë fillimit të muajit tetor do të filloj faza e shqyrtimit gjyqësor, pasi që deri më tani ka qenë në faza të mëhershme, gjegjësisht është përfunduar faza e shqyrtimit fillestar dhe njëkohësisht është vendos për kundërshtimet e të pandehurve që i kanë bërë aktakuzës, pra kundërshtimet janë vendosur më 12 qershor të këtij viti dhe pastaj ka marrë kohë edhe  procedura në Gjykatën e Apelit, mirëpo tashmë kjo fazë ka përfundur dhe në fillim të tetorit do të mbahet seanca e Ferizajt”, tha ai.

Edhe pse institucionet e drejtësisë në Kosovë po thirren që rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ku përfshihen drejtues të lartë të institucioneve do të kenë më shumë prioritet nga Prokuroria dhe Gjykata, ky zotim jo gjithmonë mbetet i realizueshëm.

“Është çështje e procedurave që një stad i procedurës nganjëherë merr kohë dhe të pandehurit kanë të drejtë ta kundërshtojnë aktakuzën dhe pastaj duhet të vendos gjyqëtari i çështjes dhe pas vendosjes nga ana e tij, ata kanë të drejtë që të atakojnë tek Gjykata e Apelit dhe derisa Gjykata e Apelit të vendos procedurat marrin kohë, mirëpo sa i përket kësaj lënde është brenda kornizave ligjore dhe kohore”, tha Hyseni.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, ka ngritur aktakuzë ndaj Faik Graincës, i cili po akuzohet se më 9 gusht 2017 në cilësi të drejtorit në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt dhe si person përgjegjës i komisionit për shqyrtim të Planit Zhvillimor Komunal, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i shkelur të drejtat e personave tjerë. Sipas aktakuzës, Grainca, duke ushtruar detyrën zyrtare në këto cilësi, nuk i ka verifikuar nënshkrimet në një peticion të qytetarëve, i cili kishte të bënte me Planin Zhvillimor për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, e të cilat nënshkrime kishin rezultuar të jenë të falsifikuara. Tutje, në akuzë thuhet se tani i akuzuari Faik Grainca, ka qenë në dijeni se këto nënshkrime janë të falsifikuara ku si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi”, të mbetet banim kolektiv, edhe pse qytetarët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90