Aktorët me vërejtje për draft-statutin e teatrit “Adriana”

Në praninë e nja 10 vetave komuna e Ferizajt mbajti diskutimin publik për statutin e teatrit “Adriana” në këtë qytet. Ky draft statut i cili rregullon themelimin, organizimin, përfaqësimin, financimin dhe shumë çështje të tjera të këtij institucioni, u tha se është dokumenti bazë që teatrit “Adriana” në Ferizaj i ka munguar kaherë. Drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj Xhemile Murati – Shabani, tha se ky draft statut bazohet edhe në ligjin e teatrove të Kosovës.

“Unë po shpresoj shumë që pas miratimit të këtij dokumenti teatri “Adriana” në Ferizaj do të përmirësohet me infrastrukturë ligjore dhe po ashtu do të rregullohen edhe shumë çështje e problematika që ky institucion kulturor i ka pasur me vite të tëra“, tha Murati – Shabani.

Ndërkaq, anëtari i  Këshillit Drejtues të teatrit, Albion Sherifi, tha se çështjet më të ndjeshme që ky dokument pretendon t’i rregulloj pas miratimit të tij janë statusi i aktorëve apo trupës rezidente të aktorëve, si dhe financimi i kësaj trupe.

“Këto ditë ka kaluar edhe koncept dokumenti për ligjin e ri për teatrot i cili përfundimsht do të zgjidhte çështjen e financimit të këtij institucioni në rang qëndror edhe në rang komunal. Sa i përket draft-statutit që ne kemi hartuar ka bazueshmëri të plotë ligjore në statutin e komunës së Ferizaj, ligjit të teatrove, udhëzimet administrative dhe po ashtu edhe në dokumente të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e brendshëm të këtij institucioni”, tha Albion Sherifi.

E, pjesëmarrësit e këtij diskutimi publik, që ishin kryesisht aktorë të këtushëm, si shqetësim dhe kërkesë të përbashkët  patën futjen e aktorëve me përvojë në kuadër të trupës rezidente të aktorëve. Pati ankesa se aktorët të cilët janë shpërblyer me shumë çmime, por nuk kanë ende kualifikim akademik, do të mbesin jasht neneve të këtij statuti.

“Tek trupa rezidente janë larguar ata aktorë që kanë dhënë kontribut gjatë gjithë jetës së tyre në këtë teatër, por për fatin e tyre të keq nuk janë të diplomuar, por përndryshe janë aktorë që e kanë dëshmuar vetën nëpër shumë projekte. Konsideroj se kjo pikë duhet korrigjuar, pasi që kujtoj se është e nevojshme që brenda paragrafeve të shtohen edhe pasuset që në këtë statut të  kenë mundësi edhe aktorët me përvojë”, tha Ali Krasniqi.

“Janë disa prej aktorëve që ndoshta nuk është keq edhe t’i përmendi me emra e që do të mbesin jasht trupës rezidente të teatrit. Për shembull këta aktorë që janë eminent për qytetin tonë janë: Hafir Bislimi, Nexhat Xhokli, Ekrem Jakupi, Dashnim Rexhepi, Ali Krasniqi që është afër diplomimit, por që do të mbesin jashtë kësaj trupe  e deri më sot kanë kontribuar mjaftë shumë për projekte të teatrit dhe tani për një moment këta emra do të mbesin në rrugë e deri më sot kemi pasur nevojë shumë për ta, kjo është diçka e pajustifikueshme”, tha aktori Arben Marevci.

”Ka një kriter që është kriter ligjor dhe nuk është caktuar nga komuna e Ferizajt që është shkollimi adekuat apo shkollimi i nivelit universitar. Kjo do të thotë se nuk mund të ndryshohet se është normativë ligjore, por mund të zbatohet bashkërisht me udhëzimin administrativ në fuqi dhe rregulloren mund ta gjeni në faqen e Ministrisë së Kulturës ku ajo rregullore thirret në sistematizimin e vendeve të punës së anëtarëve të trupës së aktorëve në teatrot e qyteteve edhe atij kombëtar“, tha anëtari i Këshillit Drejtues të teatrit, Albion Sherfi.

Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal Kristina Gashi-Bytyqi,  u zotua se të gjitha këto vërejtje dhe kërkesa do të shqyrtohen dhe ato të cilat janë të mundura do të inkorporohen në draftin final, i cili pritet të miratohet në njërën nga mbledhjet e radhës së Kuvendit Komunal.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90