Premiera “Hanibali i Nëntokës” në teatrin “Adriana”

Premiera e dramës “Hanibali i nëntokës” me tekst të dramaturgut bullgar Hristo Boytchev, në regji të Fatlum Hazirit, u shfaq mbrëmë në teatrin “Adriana”,  pas përgaditjeve disamujore që me këtë pjesë teatrale, aktorët e trupës Ferizajase ta shënonin përvjetorin e 11 të pavarësisë së Kosovës.
Regjisori vendas, Fatlum Haziri tha se shfaqja trajton problemet globale, me theks të vecantë paranë dhe epshin për të që e shfaqin figurat politike.


“Mungesa e parasë te një shoqëri, tek njerëzit sot, dhe për një moment të gjithë pasurohen dhe nuk dinë çfarë të bëjnë me paratë. Këtu lind problem, sepse ata janë mësuar gjithmonë të jetojnë në varfëri të skajshme, në varfëri të madhe, kurse për një moment bëjnë shumë para dhe nuk dinë çfarë të bëjnë me to.  Është socio-politike sepse aty kritikohet thellë pushteti, figurativisht pushteti është pjesa e nëntokës, ndërsa pjesa religjioniste ku njeriu ka shpresa është mbitoka ku vie më vonë si surprizë. Kjo mendoj që është ajo është paraja, ai fiksimi, obsesioni i njerzëve, i personazheve të cilët e zhvillojnë ngjarjen tutje.”

Haziri, u shpreh se ajo që i dha motiv për të vazhduar, është mikpritja që i bëri publiku ferizajas shfaqjes së drejtuar nga ai. 

“Me thanë sinqerisht, kam pasur stres dhe presion sepse ka qenë shfaqja ime e parë, premiera ime e parë në teatër. Si për çdokënd, diqça e parë është e frikshme, sepse është e panjohur me njëfarë forme. Për mua ka qenë e sikletshme momenti kur ka filluar shfaqja,  kam fillu ta shoh sikur prej këndit të shikuesit dhe jo prej këndit të regjisorit. Barazi me publikun qeshja edhe unë, edhe pse e kam parë për dy muaj rresht shfaqjen, e kam përgatitur vetë dhe bashkë me trupën. Më surprizoi sepse aktorët e dhanë maksimumin, dhe ka qenë jashtëzakonisht mirë e pritur dhe ka pasur emocion të mirë sepse ka qenë komedi e situatës e cila trajton tema politike, por ka pasë edhe momente dramatike ku njerëzit kanë përjetuar njëfarë gjendje kështu… mishërimi mes personazheve edhe jetës tyre që e kanë të përditshme. Thjesht ngjarja, subjekti është i përshtatur me rrethanat aktuale brenda qytetit tonë të Ferizajt, bredna Kosovës, me problemin e vizave, problemin e izolimit, problemin e parasë dhe të gjitha problemeve tjera.” – u shpreh regjisori Fatlum Haziri.

Shfaqja  “Hanibali i Nëntokës”, u reprizua edhe sot, ndërsa sipas regjisorit Haziri, trupa e Ferizajt me këtë shfaqje do të merr udhë drejt skenave më të njohura të trojeve shqiptare gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90