Aliu: Me mua në pushtet, Ferizaj ka gjithmonë pranverë

Krahas ditës botërore të ujit, sot në Ferizaj u shënua edhe dita e pranverës, me ç’rast kryetari i Ferizajt i shoqëruar nga zyrtarët komuna, mbolli lule në sheshin qendror “Ademi Jashari” të Ferizajt. Pas këtij aksioni inspirues dhe tradicional, kryetari Aliu dërgoi mesazh se nga ardhja e tij në pushtet, Ferizaj është vetëm në pranverë.

“Pranvera për qytetarët e Ferizajt, ka filluar në fakt më 21 dhjetor të vitit 2017, dhe ajo pranverë nuk do të ndalet më, edhe pse sot simbolikisht është dita e pranverës, por pranvera do të jetë gjithë vitin gjatë qeverisjes sime dhe të ekipit tim”- tha në adresimin e tij pranveror kryetari i Ferizajt.

E në pranverën e vitit 2017 ishte ish-kryetari Muharrem Svarqa i cili poashtu mbolli lule në ditën e pranverës, ndërkaq asokohe qytetarët e shihnin këtë traditë si veprim me ngjyra politike.

“ Nuk është e thënë me mbjellë lule vetëm një ditë, por duhet së pari me pastru Kosovën, se ma së pari me shku tek ura çfarë tmerri është bërë, tmerrohet njeri, po duhet ma shumë me ba, rregullisht jo vetëm një ditë se 300 ditë tjera me shkatrru ajo nuk është asgjë, vetëm kaloni 100 metra më tej tek shkolla shihet tmerri që është bë, po kjo është një lloj fushate pe kuptojmë ne qytetarët”, ishte shprehur një qytetar gjatë aksionit të mbjelljes së luleve në vitin 2017.

Sipas astronomëve, stina e pranverës në hemisferën veriore  zyrtarisht ka nisur mbrëmë në ora 22:58 kur ka ndodhur ekuinoksi pranveror.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90