Promovohet libri “Dimri i gjatë i vitit 1945 – Tivari ”

Në hapësirat e bibliotekës “Sadik Tafarshiku” të Ferizajt, sot u promovua libri  “Dimri i gjatë i vitit 1945 -Tivari”, i autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta,  në të cilin trajtohen aspekte dhe dëshmi të të mbijetuarve nga masakra e Tivarit.
Di Lellio, e cila vepron në Kosovë që nga paslufta, u shpreh se gjithmonë ka qenë e interesuar për historinë  e Kosovës, por sipas saj, historia e Kosovës më shumë është e përfolur sesa që është e shkruar në letër, prandaj kishte vendosur që të shkruajë për historinë e këtij vendi, të cilin e mban në zemër.

“Jam shumë e interesuar për historinë Kosovare, e kam botuar një libër për betejën e Kosovës, dhe kam pasur ide për librin e Tivarit, pasi unë jam shumë e interesuar për historinë e Kosovës, dhe historia e Kosovës është më shumë e folur se sa e shkruar. Prandaj ky libër është shumë i mirë, është libër i historisë, pjesa më e madhe është bazuar për idenë gojore, përvec intervista me Shaban Pajazitin, i mbijetuar i një fshati afër Skenderajt, po ashtu libri nga Haxhi Biringjiku, i cili ka intervistuar 30 të mbijetuar nga Drenica, dhe 9 të mbijetuar ishin nga Qubreli i Skenderajt. Me Dardanin, i cili është artist, e kemi shkruar një histori të këtyre të mbijetuarve”, tha Di Lellio.

Kurse ko-autori  Dardan Luta, para të pranishmëve tregoi ca fragmente nga titulli më i ri kushtuar masakrës së Tivarit.

“Nuk ka ndodhë masakra vetëm në Tivar, por gjatë krejt rrugës nga Prizreni kur janë nisur. Disa përshkruajnë që janë vrarë persona aty-për-aty rrugës. Kështu që ka pasur vrasje gjatë gjithë rrugës. Kur të lexohet libri, është një pjesë aty, është një incident, kur Syla nga Gllabari nuk mund të durojë dhe ulet të pijë ujë, vjen një partizan e godet në kokë me pushkë, dhe rrëzohet në ujë, por Syla çohet, ia merr pushkën dhe e vranë partizanin aty”, i parafrazoi Luta disa fragmente nga ky libër.

Ndërsa pjesëmarrësit në këtë promovim u shprehën se një libër i tillë, i cili e përshkruan ngjarjen e Tivarit, u ka munguar rafteve të librave në shtëpitë e qytetarëve dhe në institucione të Kosovës.

“Ky rrëfim ka qenë pjesë e shumë familjeve Kosovare, edhe kjo zonë ka pasur personazhe të veta, e cila ende vazhdon të mbahet e mbërthyer në shumë enigma. Kjo ngjarje ka qenë tabu tek ne”, tha analisti dhe kritiku letrar Afrim Demiri.

“Tivari”, është libri i dytë i autores Italiane Anna Di Lellio, i cili tani mund të gjendet në të gjitha bibliotekat dhe libraritë anembanë vendit.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90