Mustafa: Zgjedhjet në PDK të Ferizajt janë të manipuluara

Partia Demokratike e Kosovës në Ferizaj, në kuvendin zgjedhor që u mbajt të shtunën që shkoi zgjedhi kryetarin, këshillin drejtues dhe delegatët për konventën qëndrore.  Por në mesin e mbi  400 delegatëve nuk u pa  njëri ndër themeluesit e këtij subjekti në Ferizaj, Nehat Mustafa.
Ai thotë se ka kohë që nuk merr pjesë në strukturat e PDK-së, pasiqë kjo parti është bërë uzurpatore dhe nepotiste. Mustafa thotë se ai nuk e kishte paramenduar që partia e tij, PDK, do e udhëheq komunën me aq shumë defekte.

“Unë kam paralajmëruar dhe kam shprehur qëndrimet e mia në lidhje me zhvillimet me qeverisjen lokale, por edhe me mënyrën si është menagjuar PDK-ja në Ferizaj pas zgjedhjeve. Që në fillim kam thënë që partia është uzurpuar, pushteti është uzurpuar, po flas për 2-3 vetë të cilët duke uzurpuar partinë dhe institucionet, kanë bërë që të mbytet diskutimi mbrenda PDK-së, kanë bërë që mos të diskutohen as çështjet e mëdha që kanë të bëjnë me zhvillimin e partisë dhe menyrën e udhëheqjes së pushtetit. Në vitin 2018, kemi pasur edhe largime të tjera nga kryesia e PDK-së, ka qenë largimi i Ekrem Metushit si anëtar, pastaj ka qenë detyrimi për dorëheqje i Bashkim Hysenit, që ka qenë edhe anëtar i kryesisë. Dhe përkundër këtyre gjërave, asnjëherë nuk është lejuar që të debatohet në kryesi për këto vendime. Pastaj mënyra se si është emëruar bordi i drejtorëve, nepotizimi, keqpërdorimet në punësime, angazhimet me kontrata në vepër, kaosi urbanistik  dhe këto të gjitha kanë bërë që unë mos të pajtohem me këtë mënyrë të qeverisjes, pasi ne kishim kërkuar nga qytetarët që ta votojnë PDK-në dhe kandidatin e saj, që të kishim një qeverisje ndryshe,  por për një vit e gjysmë, asnjë ndryshim nuk ka  në qeverisje, dhe unë nuk mund të jem indiferent karshi këtyre zhvillimeve”, tha Mustafa.

 Sa i përket Kuvendit zgjedhor, Mustafa tha se ishte ditur nga fillimi se kush do fitojë, madje sipas tij, ishte bërë edhe presion tek kundërkandidati Valon Eshrefi, që ai të tërhiqej nga gara.

“Në fund të fundit, pse duhet të merrja pjesë në një kuvend të degës, kur paraprakisht vetëm se ishin përcaktuar fituesit, dhe kur dihej se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve, kur dihej se një kandidat kishte shprehur gadishmërinë e tij që të kandidohej, dhe përmes presionit dhe shantazheve i është kërkuar që të tërhiqet nga gara. Pra, këtu nuk ka të bëjë me demokraci. Nga ky këshill drejtues prej 71 vetëve, mund ta vëreni se 50 %  e përbërjes vjen nga 5-6 familje, pra edhe nga mbiemrat dhe afërsitë e tyre familjare, shihet që ka edhe anëtarë të këshillit drejtues persona që me pozitat që i kanë, nuk kanë të drejtë të kenë pozita të tilla në parti politike. Dhe duke i marrë parasysh këto, atëherë imagjinoni se çfarë përbërje e kryesisë mund të del. Ka familje që ka 4-5 anëtarë, ndërsa keni parë edhe si janë ndëshkuar me votë, si shefi i grupit parlametar që nuk ka marrë mbi 60% të votave të delegatëve, i cili ka qenë më i votuar. Ka këshilltarë komunal, doktora shkence, specialistë që janë kah fundi në listë, dhe krejt këto dëshmojnë sa ka qenë proces i manipuluar”,- tha Mustafa.

Mustafa thotë se dega e PDK-së në Ferizaj është degraduar dhe se shumë shpejtë aty do të eskalojë situata. Sipas tij, barra e kësaj gjendje të partisë bie mbi tre individë.

“Nuk ka qenë e lehtë që të marr një vendim të tillë, por nga ky vendim kam dashur që të alarmoj strukturat e PDK-së për këtë situatë dhe për ata që janë duke menduar që janë duke shënuar fitore, do ta vërejnë me kalimin e kohës. Kjo fitore do t’iu kthehet në zhgënjim dhe disfatë të madhe. Pjesa më e madhe e atyre që sot janë zgjedhur në këshillin drejtues, janë ata që kanë punësuar nga një apo dy anëtarë të familjes dhe mijëra të tjerë aktivistë të PDK-së qëndrojnë në shtëpi dhe as që mund të vijnë në rend për një punësim meritor çfare e meritojnë. Dhe kjo pritet që me kalimin e kohës të eskalojë situata, pasi grupet  e pakënaqura mbrenda  PDK-së do të rriten dhe pastaj ku do të shpije kjo është detyrë e atyre qe kanë marrur udhëheqjen e partisë që të mendojnë, pasi janë veprimet e tyre që janë duke e sjellur në një situatë të tillë”, – tha Mustafa.

Nehat Mustafa në tetor të vitit të kaluar kishte dhënë dorëheqje nga grupi i këshilltarëve të PDK-së në Ferizaj, por  thotë se akoma nuk ka vendosur për ndonjë largim eventual nga partia, edhepse ky opcion mund të jetë në tavolinë në të ardhmën.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.