Tërmeti që ka goditur Shqipërinë
ditën e djeshme ka sjellë solidarizim të madh në vend, duke treguar çdo vlerë
humane. Mbrëmë qytetarët ferizajas dërguan një kontingjent me ndihma, ndërsa
edhe sot ata kanë vazhduar të grumbullojnë ndihma që do dërgohen për të
prekurit nga tërmeti.
Qytetarët thonë se bashkëndjejnë dhembjen
me popullin shqiptarë.
“U shprehi ngushëllimeve familjeve që kanë humbur të dashurit e
tyre, ne jemi gjithmonë me ta, me të vërtet dje jemi tronditur, kam qenë në
punë dhe tërë ditën i kam përcjellur ngjarjet, ne gjithmonë duhet të jemi
bashkë“, tha
Fehmi Murati, banor i Ferizajt.
“Ka qenë ditë e tmerrshme, një pako ushqimore po e dërgoj, kaq kam
mundësi”, tha
Adem Uksmajli, banor i Ferizajt.
“E përjetuam shumë rëndë, me lot tërë ditën kemi qenë, shumë rëndë e
kemi përjetuar, çka kam mundur në shtëpi kam mbledhur dhe i kam sjellur”, tha një tjetër qytetare.
Anëtari i tifozëve Ultras Ujqit, Edonis Kamberi, tregon se mbrëmë kane dërguar një kontegjent me ndihma dhe kanë
parë për së afërmi qytetarët atje.
“Ne kemi shkuar atje, ishte me të vërtet gjendje e rëndë, ishin duke
qëndruar nëpër tenda dhe kishin nevojë për ushqime e gjëra të tjera“, tha Kamberi.
Drejtori i Shërbimeve Publike në
Ferizaj Arben Halili, tha se ndihmat nga qytetarët dhe bizneset kanë qenë të
shumta, ndërsa komuna është angazhuar të siguroj transportin.
“Ne si komunë po mundohemi me i bashkërendu aktivitetet e qytetarëve
në një pikë të vetme. Qytetarët dhe bizneset janë duke na telefonuar
vazhdimisht, poashtu janë duke ofruar edhe mjete financiare, por ne nuk do t’i
pranojmë, ne do t’i pranojmë vetëm artikujt ushqimor dhe veshmbathjet të cilat
do të shkojnë në Durrës“, tha Halili.
Në komunën e Ferizajt ishin
planifikuar të mbaheshin dhjetëra aktivitete për nderë të 28 nëntorit, Ditës së
Flamurit, ku ndër to ishte edhe festivali tradicional “Kosovarja
Këndon”, por që të gjitha janë anuluar për shkak të tërmetit të djeshëm që
goditi Shqipërinë nga i cili humbën jetën dhjetëra persona.