Connect with us

Kosovë

Qeveria shtrëngon masat kundër COVID-19

Published

on

Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Në arsyetimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reja thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka testuar me 147 mostra pozitive me koronavirus, për detektimin të variantit britanik të koronavirusit dhe atij të Afrikës Jugore.

Këto mostra, thuhet se ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit.

Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27 për qind e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut.

Prandaj kjo situatë, ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, sipas Qeverisë kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Ndërkaq, institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Konviktet dhe mensat, me masat e reja, pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill 2021.

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).

Për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës zyrtare të Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur në një konferencë për media, se janë duke negociuar me kompanitë prodhuese për blerjen e vaksinave, por për shkak të konfidencialitetit, derisa të nënshkruhet kontrata nuk do t’i bëjnë publike detajet tjera.

“Natyrisht që nuk presim vetëm nga donacionet. Janë diku rreth 50 milionë euro të siguruara nga Qeveria e Kosovës për blerjen e këtyre vaksinave. Është një proces i negocimit shumë serioz për sigurimin e këtyre vaksinave me kompanitë prodhuese”, tha Vitia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkaq ka theksuar se Kosova po përballet me një situatë të rënduar me COVID-19, dhe masat e reja janë të domosdoshme.

“Trendi është shumë i keq, 16.7 për qind. Të keni parasysh që prej afër gjysmë milioni testeve që janë bërë ka dalë më shumë se çdo i pesti është pozitiv kur është testuar. Në njërën anë po përpiqemi për vaksina sa më shumë, dhe në anën tjetër maska, higjiena, distanca ajrosja”, tha Kurti.

Në bazë të hulumtimit epidemiologjik të rasteve me COVID-19 dhe gjurmimit të kontakteve, nga IKSHPK, si ngjarje potencialisht super-shpërndarëse të infeksionit janë identifikuar: gastronomia, institucionet publike, puna në zyre/vende të përbashkëta, qendrat tregtare, shkollat, grumbullimet e personave, me theks të veçantë rastet e vdekjes dhe ahengjet e ndryshme./ REL

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Osmani në OKB: Serbia po e eskalon agresionin ndaj Kosovës

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në Këshill të Sigurimit të OKB-së se Serbia e ka eskaluar agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur kidnapimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë.

Ajo ka deklaruar të hënën se autoritetet serbe janë përgjegjëse për sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit pasi “kryerësit e sulmit sillen lirshëm në Serbi e vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga qeveria e Vuçiqit”

E para vendit përmendi edhe kosovarët që janë ndaluar në pikat kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë një ditë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u votua pro Kosovës.

“Një ditë pas një suksesi të Kosovës në KiE, Serbia eskaloi dhunën duke synuar qytetarët e Kosovës, duke u marrë dokumentet e duke i marrë në pyetje dhe duke i lënë pa ushqim fëmijët dhe të moshuarit.

U burgos zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës duke i theksuar kështu përpjekjet e Serbisë për t’i kërcënuar serbët e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Duke folur për procesin e votimit në veri, Osmani ka theksuar se serbët lokalë u mbanë nën presion dhe s’e shfrytëzuan mundësinë për votim.

Continue Reading

Kosovë

Lirohen disa nga kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

Published

on

Rreth orës 15:00, policia e Serbisë ka liruar disa qytetarët kosovarë të cilët janë ndaluar për më shumë se 18 orë në pikën kufitare Serbi-Kosovë, ku një numër i tyre janë marrë në pyetje nga policia serbe.

Sipas njoftimeve që vijnë nga udhëtarët atje, tash së fundmi, policia serbe ka filluar t’ua kthej dokumentet e konfiskuara dhe disa nga autobusët kanë vazhduar rrugëtimin.

Continue Reading

Kosovë

Kryeministri Kurti akuzoi Serbinë për shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës nga autoritetet kufitare në Serbi duke akuzuar Beogradin për shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Përmes një postimi në X,  Kurti tha se qytetarët e bllokuar në kufijtë e Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.

“Një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, Serbia u kundërpërgjigj ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, më shumë se 300 qytetarë ,  përfshirë fëmijë,  janë ndaluar në mënyrë arbitrare në kufi, duke u privuar nga ushqimi dhe ilaçet. Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, shkroi Kurti.

Continue Reading

Trending