Connect with us

Ferizaj

MKRS e la pa mbështetje, Klubi Letrar “De Rada” del me reagim

Published

on

Klubi Letrar “De Rada” nga Ferizaj ka reaguar ndaj Ministrisë së Kulturës e cila e la pa mbështetje këtë klub.

Nga ky klub thonë se kanë aplikuar me një pako të aktiviteteve por këto aktivitete nuk u mbështetën për shkak se sipas MKRS-së, klubi nuk ka dërguar CV-në e menaxherit të projektit, dokumentin që nuk është nën hetime dhe se nuk është mbyllur projekti i vitit të kaluar.

Klubi nuk i konsideron arsye legjitime këto listime nga MKRS pasi që sipas tyre të gjitha dokumentet janë dorëzuar, përcjell TV TEMA.

Ferizajasit ankohen se edhe pse e kanë mbyllur projektin qysh në tetor të vitit të kaluar, zyrtarët e MKRS-së nuk u kanë dhënë dokument për ta dëshmuar këtë.

“Megjithatë, ne i kemi dërguar sërish ato dokumente, bashkë me ankesën; madje përveç në eKosova i kemi dërguar edhe në email, që do të thotë se i kemi evituar pengesat për të cilat jemi refuzuar. Mbase gabimi ynë ka qenë mosreagimi publik, sepse atyre që kanë reaguar u janë marrë parasysh ankesat dhe janë përkrahur. Ne kemi ndjekur rrugën institucionale, duke iu përmbajtur udhëzimeve të dhëna nga MKRS dhe duke iu shmangur teatralitetit në rrjetet sociale. Mirëpo, siç po shihet, për institucionet tona, më të rëndësishme janë reagimet publike (mbase që atakojnë direkt votat) sesa ankesat në mënyrë të rregullt. Me shpalljen e rezultateve finale, ku projektet e Klubit letrar “De Rada” nuk janë mbështetur, komisioni për vlerësimin e projekteve në MKRS ka ardhur në kundërshtim me vetveten, sepse arsyet për mosmbështetje që na janë dhënë më 3 gusht tanimë nuk qëndrojnë dhe ne nuk e kemi idenë se ku qëndron arsyeja e mospërkrahjes“, thuhet ndër të tjera në reagim.

Në reagim po ashtu thuhet se aktivitetet do të vazhdojnë edhe pa mbështetjen e MKRS-së, teksa bëhet thirrje drejtuar komisionit të jenë më të përgjegjshëm në vlerësime.

Reagimi i plotë i Klubit Letrar “De Rada”:

REAGIM

MKRS LË PA MBËSHTETJE KLUBIN LETRAR “DE RADA” – Ferizaj

Më 19.08.2022 MKRS shpalli rezultatet e përzgjedhjes së projekteve për financim, sipas Thirrjes publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe individë për vitin 2021. Ashtu si edhe viteve të kaluara, edhe kësaj radhe Klubi letrar “De Rada” ka aplikuar në këtë thirrje me një pako të aktiviteteve letrare për vitin 2022. Më 3 gusht, jemi njoftuar se projektet tona nuk janë mbështetur, për shkak se, sipas tyre, në dokumentet e dërguara përmes platformës eKosova, ka munguar CV e menaxherit të projektit, dokumenti që nuk është nën hetime dhe se nuk është përmbyllur projekti i vitit të kaluar në MKRS. Në fakt, këto as që mund të konsiderohen si arsye, sepse dokumentet në fjalë janë dorëzuar krahas të gjitha të tjerave që janë kërkuar. Projekti i vitit të kaluar është përmbyllur qysh në muajin tetor, por si zakonisht zyrtarët e MKRS-së nuk na kanë lëshuar dokument për ta dëshmuar përmbylljen dhe mundësia e humbjes së dosjes nuk është e pamundur, kur kemi parasysh papërgjegjësinë që i karakterizon zyrtarët e institucioneve tona publike. Megjithatë, ne i kemi dërguar sërish ato dokumente, bashkë me ankesën; madje përveç në eKosova i kemi dërguar edhe në email, që do të thotë se i kemi evituar pengesat për të cilat jemi refuzuar. Mbase gabimi ynë ka qenë mosreagimi publik, sepse atyre që kanë reaguar u janë marrë parasysh ankesat dhe janë përkrahur. Ne kemi ndjekur rrugën institucionale, duke iu përmbajtur udhëzimeve të dhëna nga MKRS dhe duke iu shmangur teatralitetit në rrjetet sociale. Mirëpo, siç po shihet, për institucionet tona, më të rëndësishme janë reagimet publike (mbase që atakojnë direkt votat) sesa ankesat në mënyrë të rregullt. Me shpalljen e rezultateve finale, ku projektet e Klubit letrar “De Rada” nuk janë mbështetur, komisioni për vlerësimin e projekteve në MKRS ka ardhur në kundërshtim me vetveten, sepse arsyet për mosmbështetje që na janë dhënë më 3 gusht tanimë nuk qëndrojnë dhe ne nuk e kemi idenë se ku qëndron arsyeja e mospërkrahjes.

 Vlen të theksohet se Klubi letrar “De Rada” në Ferizaj është njëri nga klubet më të vjetra në Kosovë. I themeluar në vitin 1971, ky klub për dekada me radhë ka grumbulluar rreth vetes një numër të madh krijuesish, shumë nga të cilët tani janë emra të njohur në letrat shqipe. Gjithashtu, gjatë pesë viteve të fundit, klubi “De Rada” ka qenë nga klubet letrare më aktive në vend dhe i ka jetësuar një varg projektesh që tanimë janë bërë tradicionale. Krahas pesë edicioneve të Kolonisë letrare “Muzat e Jezercit” dhe Konkursit të poezisë “Ora e Astritit” (me karakter mbarkombëtar), si dhe katër edicioneve të Panairit të librit, klubi letrar “De Rada” ka organizuar çdo vit së paku tetë takime të Odës së librit, aktivitet ky që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të të gjitha moshave, e në veçanti të rinjve, nxënës e studentë. Gjithashtu, çdo vit janë organizuar edhe mbrëmje poetike, promovime librash dhe me aktivitete të veçanta janë shënuar ditët ndërkombëtare të poezisë, librit, gjuhës shqipe etj. “De Rada” gjithashtu, çdo vit ka botuar edhe libra, të cilat paraprakisht janë vlerësuar nga komisioni përkatës. Me Sektorin e të Rinjve, që tash pesë vjet funksionon në kuadër të klubit, janë mbajtur punëtori me tema të zgjedhura nga të rinjtë: si Analiza e veprës letrare, Analiza e poezisë, Si të shkruhet një ese etj. të gjitha këto aktivitete vullnetare. Ne tani kemi një grup të rinjsh, grup ky që po zgjerohet në vazhdimësi, të cilët kanë krijuar kulturë të leximit dhe i ndjekin me interesim aktivitetet tona, prandaj në këtë pikë, injorimi i projekteve tona nga ana MKRS-së është i turpshëm, sepse nuk po i jep krah aktiviteteve të librit, për të cilat ka më së shumti nevojë rinia jonë. 

 Klubi “De Rada” do të vazhdojë të organizojë këto aktivitete edhe pa përkrahjen e MKRS-së, pa marrë parasysh se sa do të jenë më të varfra ato, sepse nëse vetëm dhjetë të rinj nga qyteti ynë do të arrijnë të dalin, qoftë si krijues apo si lexues model, ne konsiderojmë se e kemi përmbushur misionin tonë. Përmes këtij reagimi të hapur, i bëjmë thirrje komisionit vlerësues të MKRS-së që të jenë më të përgjegjshëm në vlerësimin e projekteve dhe në vend të numrit të pjesëmarrësve në aktivitete, t’i japin më shumë rëndësi ndikimit që aktivitetet kanë në ngritjen kulturore të popullatës sonë.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Avdi H. Ahmeti

Published

on

Është ndarë nga jeta Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avdi H. Ahmeti nga Ferizaj.

Njoftimi mortor u bë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj.

Sipas njoftimit, varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën, më 04.11.2026 ora 14:15 në varrezat e lagjes Karametaj, të fshatit Greme të Ferizajt.

#

Continue Reading

Ferizaj

Ndalohet për 48 orë një person për rastin e vdekjes të punëtorit në Ferizaj

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar për ndalimin e një personi me inicialet B.T. lidhur me rastin që ka ndodhur dje rreth orës 15:50, në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, ku humbi jetën një punëtor derisa po punonte në një objekt ndërtimi.  Viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorisë, i arrestuari B.T. është ndaluar nën dyshimin për veprën penale  “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Ndalohet një person për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”

Ferizaj, 13 Tetor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar me iniciale B.T., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, rreth orës 15:50:, ku, një person, i cili po kryente punime në një objekt ndërtimi, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokurori i shtetit, pas daljes në vendin e ngjarjes, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore.

#

Continue Reading

Ferizaj

Humb jetën një punëtor në një objekt në ndërtim në Ferizaj

Published

on

Një punëtor 54 vjeç ka humbur jetën pasi dyshohet se gjatë punës të jetë rrëzuar në një objekt në ndërtim në Ferizaj.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur pasditen e sotme rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli”.  

Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe ekipet e Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e tij. Sipas policisë dyshohet se gjatë punimeve ndërtimore viktima është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum.

Në vendngjarje kanë dalë edhe hetimet rajonale dhe inspektorët e punës derisa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

Continue Reading

Trending