Connect with us

Kosovë

Arrestohet një person pas shkëmbimit të  zjarrit në mes të policisë dhe kontrabandistëve

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në fshatin Bube të Zubin-Potokut të dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar.

Kjo pasi Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare të shtunën kishte vërejtur lëvizje të dyshimta të disa automjeteve dhe në përpjekjet për t’i kontrolluar ato, është përballur me rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

Në njoftim thuhet se ndërmjet të dyja palëve ka pasur shkëmbim zjarri .

“Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele të cilat  dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia.

Në vendngjarje janë gjetur edhe dy automjete të braktisura për të cilat  dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor kurse dy veturat e dyshuara janë konfiskuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.

Kosovë

Dyshohet se në Burgun e Dubravës ndodhi dhunimi i një burri nga tre të tjerë

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast dhunimi të një burri nga tre të tjerë në Istog.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se sipas personit që ka raportuar rastin ndaj tij është ushtruar dhunë fizike dhe më pas është dhunuar seksualisht.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se rasti ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ndaj tre personave është iniciuar rasti për veprën penale të dhunimit.  

Istog / 25.08.2026 – 21:00.

“Është pranuar informata se ka ndodhur një rast dhunimi. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se tre te dyshuar meshkuj kosovarë, fillimisht kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe më pas e kanë dhunuar seksualisht. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës. Lidhur me rastin është informuar prokurori  me urdhër të cilit rasti është duke u hetuar.”

Continue Reading

Kosovë

Vritet një grua shtatzënë në Malishevë, bashkëshorti i saj dyshohet për vrasjen

Published

on

Një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për vrasjen, është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi më 24 gusht se gruaja ka pësuar plagë nga arma e zjarrit dhe së është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku më pas ka vdekur.

Bashkëshorti i saj është dërguar, po ashtu, për trajtim në QKUK dhe ndodhet në gjendjekritike për jetën.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se në çfarë rrethanash janë plagosur gruaja dhe bashkëshorti i saj, apo se kush ka shtënë me armë.

Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, bëri të ditur Prokuroria në Gjakovë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se “ky rast është një tjetër alarm i rëndë për të gjithë shoqërinë dhe për institucionet”.

“Nuk mjafton të reagojmë pasi të humbet një jetë. Duhet të parandalojmë dhunën përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme”, shkroi ajo në Facebook.

Si koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ajo kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar”.

Ndërkohë, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi në lidhje me ngjarjen, duke vlerësuar se çdo humbje e jetës së një gruaje në rrethana të dhunshme është alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë.

RRGK kërkoi “hetime të plota, të pavarura dhe të shpejta për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit, si dhe vendosjen e përgjegjësisë sipas ligjit”.

“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, garantimin e drejtësisë dhe parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Çdo neglizhencë institucionale mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në një reagim të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të grave, me bazë në Prishtinë.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Ekspertët e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë argumentuar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet personat me të kaluar kriminale.

Dënimet e lehta, sipas tyre, po i “trimërojnë” ata që të vazhdojnë veprimtarinë kriminale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Shqipëria arreston tre shtetas të Kosovës në një operacion kundër trafikimit të drogës

Published

on

Në Durrës të Shqipërisë, autoritetet thanë se kanë arrestuar tre shtetas të Kosovës, dhe kanë sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, që dyshohet se u trafikua nga Kanadaja për t’u shpërndarë më pas në Shqipëri dhe Kosovë.

Tre shtetasit e Kosovës janë identifikuar si T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të cilët dyshohen për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, për veprën penale që dyshohen të arrestuarit parashihet dënim nga shtatë deri në 20 vjet burgim.

Dy persona të tjerë, H.C, i lindur dhe banues në Kukës dhe G.O, i lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë janë në kërkim dhe dyshohen për po të njëjtën vepër penale.

“Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin ‘Gelato’, me peshë totale rreth 80 kilogramë”, u tha në njoftim.

Vlera në treg e drogës së sekuestruar, sipas Policisë së Shqipërisë, është rreth 1 milion euro.

Dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, “e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada”.

Policia tha se në bazë të hetimeve të deritanishme, dyshohet se personat e përfshirë në këtë rast kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës.

Gjatë operacionit, të emëruar “Anchor”, autoritetet shqiptare thanë se përveç pakove me lëndë narkotike, sekuestruan edhe tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11.000 euro para të gatshme.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending