Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës, ka zbuluar dhe konfiskuar në një fshat të Gjilanit mbi 2.4 kg heroinë, 5 armë të gjata, dy revole dhe municione të ndryshme.
I dyshuari A.A., viti i lindjes 1999, mashkull me shtetësi maqedonase i përfshirë në trafikim me lëndë narkotike brenda dhe jashtë territorit të Republikës se Kosovës është në kërkim nga policia.
Njoftimi i plotë:
Hetuesit policorë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia Gjilan, pas hetimeve të zhvilluar ndaj një të dyshuari, më 09.02.2024, të mbështetur edhe nga njësi tjera policore, kanë realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Gjilan për urdhër kontrolli.
Policia ka kryer kontrolle në katër lokacione me qellim të sigurimit të provave materiale, pasi që paraprakisht është siguruar informacioni se i dyshuari është i përfshirë në trafikim me lëndë narkotike brenda dhe jashtë territorit të Republikës se Kosovës.
Gjatë kontrollit në vend-banimin e të dyshuarit A.A., viti i lindjes 1999, mashkull me shtetësi maqedonase, në një fshat të Gjilanit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
2.4 kg lëndë narkotike, dyshohet të jetë heroinë, 6.8 gram-lëndë narkotike dyshohet të jetë marihuanë, dy armë të shkurta, pesë armë të gjata, një veturë me targa të Kumanovës, një veturë me targa vendore dhe një sasi e municionit kalibrash të ndryshme.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit, i dyshuari nuk ka qenë prezent, por është njoftuar nga familjarët që të paraqitet në vendngjarje, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës zyrtarëve policore dhe ndodhet në arrati.
Lidhur me narkotikët, hetimet janë duke u zhvilluar nga njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Gjilan ndërsa rastin për armët e sekuestruara janë duke u marruar njësitë tjera për shkak të kompetencave lëndore.
Substanca e dyshuar narkotike është konfirmuar pozitive pasi të njëjtës i është bërë testi fushor. Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia është njoftuar prokuroria e shtetit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje pesë ditë pas rastit të vrasjes së Arlinda Zemajt.
Dorëheqja e Hoxhës vjen një ditë pasi Policia e Kosovës pezulloi nga puna 11 zyrtarë të saj derisa ka filluar hetimin për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Në njoftimin e kryeministrit Albin Kurti bëhet e ditur se ka pranuar kërkesën e Gazmend Hoxhës për lirimin nga detyra , derisa me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për ushtrues detyre të Drejtorit të Policisë është caktuar Fehmi Hoti.
Gazmend Hoxha ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, kurse policisë iu bashkua në vitin 2000 prej kur edhe ushtroi disa pozita të rëndësishme drejtuese.
Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Kështu, Këshilli Prokurorial i ka suspenduar sot nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj si dhe prokuroren e rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin.
Ndaj tyre, Këshilli Prokurorial ka vendosur të iniciohen procedura disiplinore. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë Valbona Disha-Haxhosaj për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë .
Kurse, Policia e Kosovës njoftoi se janë pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt. Ndaj tyre është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës me rekomandimin e të cilit, nga detyra u pezulluan ushtruesi i detyrës së drejtorit Rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandanti, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim të Policisë.
Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka filluar protesta e organizuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nga ish-kunati i saj.
Me pankartat dhe thirrjet ““Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe familjarët e të ndjerës, marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës me kërkesë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjithë zinxhirin institucional që nuk trajtuan si duhet rastin e Arlinda Zekajt.
Para Ministrisë së Drejtësisë ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka publikuar një video të arrestimit të Albert Sylës, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit.