Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri të ditur se Policia e Kosovës gjatë aksionit të koduar “Kufiri 2”, ka sekuestruar 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë dhe ka ndaluar për 48 orë tre (3) persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Një person tjetër i dyshuar për përfshirje në rast gjendet në arrati, ndërsa, ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Rasti ka ndodhur të premten në autostradën “Arbën Xhaferi” në afërsi të fshatit Doganaj në Kaçanik.
Lidhur me këtë rast, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se gjatë operacionit një nga veturat e dyshuara ka tentuar të ikën nga Policia duke shkaktuar aksidente dhe policët janë detyruar të përdorin armët e zjarrit për ta ndaluar.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, personat e dyshuar në këtë rast janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dyshohet se të njëjtit kishin për qëllim transportin, shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike të llojit marihuanë, nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Republikës së Kosovës, e më pas në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Republikën e Turqisë, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.