Connect with us

Kosovë

Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Published

on

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e vendimeve që kanë të bëjnë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike (V_2697_2025 dhe V_2698_2025), deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Avokati i Popullit thekson se Vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë ngrit shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë.

Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët.

Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike. Vendimet që prekin në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohë kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror.

Avokati i Popullit thekson nevojën që organet e pavarura si ZRrE, duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe.

Kosovë

Dënohen me 32 vjet burgim katër të akuzuarit në rastin “Toka 2”

Published

on

Gjykata themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për 4 personat e akuzuar në rastin e njohur si “Toka 2”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, të akuzuarit në këtë rast janë dënuar me gjithsej 32 vite burgim.

E akuzuara Nexharije Hoti, ish-gjyqtare komunale në Prishtinë, është dënuar me 6 vite burgim, Mehmet Prishtina është dënuar më 10 vjet, Dukagjin Emërllahi me 8 vjet dhe Avni Maxhuni është dënuar me 8 vjet burgim.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale,  ish-gjyqtarja Nexharije Hoti, akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahi akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale kurse Avni Maxhuni akuzohej për shpëlarje të parave.

Prokuroria Speciale, përmes një postimi, ka mirëpritur shpalljen e aktgjykimit fajësues nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj katër të akuzuarve në këtë rast.

#

Continue Reading

Kosovë

Autoritetet thonë se gërmimet në Zubin Potok mund të zgjasin, bëjnë thirrje që të mos dëmtohen hetimet

Published

on

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, konfirmoi se mbetjet mortore në varrezën e dyshuar masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë me origjinë njerëzore, teksa bëri thirrje që komuniteti të mos deklarohet shumë për rastin me qëllim që të mos dëmtohen hetimet.

Thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve bëri edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

“Nga mbetjet mortore deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë, nuk mund të themi se kur mund të përfundojë”, tha Isufaj teksa vizitoi vendin ku po zhvillohen gërmimet që nga e marta.

Sipas tij, identifikimi i viktimave do të marrë kohë, pasi eshtrat do t’iu nënshtrohen identifikimit përmes ADN-së.

Ai u zotua se institucioni që udhëheq do të zbatojë procedura profesionale, të paanshme dhe të pavarura me qëllim respektin ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.

“I bëj thirrje gjithë komunitetit në përgjithësi, është që të mos deklarohemi shumë për rastin sepse ende gjithçka është herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final. Është faza preliminare që është duke u punuar, punimet kanë filluar me intensitetin e duhur”, u shpreh Isufaj.

Haxhiu, e cila po ashtu vizitoi vendin ku po kryhen gërmimet, tha se duhet të ruhet integriteti i hetimeve, pasi sipas saj, kjo është çështje shumë e ndjeshme.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vjet nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë nga Vuçiq, qoftë nga Bërnabiq”, tha Haxhiu.

Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të hapë arkivat e ushtrisë, duke theksuar se mes dy shteteve nuk mund të ketë paqe “për sa kohë kemi varre të fshehura, për sa kohë kemi arkiva të mbyllura dhe për sa kohë kemi mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë”.

Thirrje për hapjen e arkivave të ushtrisë më herët ka bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Teksa hetimet në Zubin Potok po vazhdojnë, institucionet e Kosovës kanë thënë se dyshojnë se varri i dyshuar masiv mund të lidhet me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të mërkurën se ky ishte dyshimi i parë i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.

Në prill të vitit 1999 ishin zhdukur 23 civilë shqiptarë, në mesin e tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Lutfije Ademi – Vokshi, motra e Adem Ademit – kirurgut të zhdukur – tha se i vëllai u zhduk në fshatin Drenë, 3 kilometra larg në vijë ajrore me Kalludrën e Vogël.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se beson që në vendin ku po gërmohet mund të jetë grupi i vëllait të saj.

“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha ajo.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë më 29 korrik publikoi një raport preliminar, ku tha se janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Asamblistët e LVV-së në Prishtinë dorëzojnë kallëzim penal ndaj Përparim Ramës

Published

on

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar sot një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe disa zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, për dyshimet në përfshirje në legalizime të jashtëligjshme të objekteve në kryeqytet .

Në një prononcim për media, këshilltarja komunale, Berita Abazi, tha se kallëzimi penal bazohet në një sinjalizim anonim që është pranuar përmes e-mailit tek një grup i asamblistëve një ditë më parë. Sipas saj, në ato mesazhe flitet për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash ku në komunikimet e paraqitura përmendet shefi i kabinetit të Përparim Ramës.

“Në këto mesazhe, personi në fjalë, përveç se përmend kompani ndërtimi dhe objekte ndërtimi, përmend edhe shuma parash dhe vetë pretendon se këto legalizime janë të jashtëligjshme.

Ky është një skandal i madh. Këto keqpërdorime, këto legalizime të jashtëligjshme, janë kriminalitet në nivel të lartë. Është detyrë e Prokurorisë të vërtetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta.

Ajo çka për ne është jashtëzakonisht shqetësuese është fakti sepse flitet për ndërtues, flitet për objekte të cilat lehtë janë të verifikueshme. Pra, ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit dhe ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës”, ka deklaruar Abazi.

Continue Reading

Trending