Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka mohuar se është duke u përballë me mungesë të theksuar të prodhimit të energjisë elektrike, pasi kompania për furnizim me rrymë, KESCO, u bëri paraprakisht thirrje qytetarëve ta kursejnë rrymën duke thënë se do të kishte mungesë prodhimi vendor nga e shtuna.
Në një reagim në Facebook, KEK-u tha se “operimi i njësive tona prodhuese vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi”.
KEK-u e pranoi se njësitë e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi, por nguli këmbë se ekipet e tij teknike janë në “gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë”.
Sipas njoftimit, njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht, ndërsa njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve.
KEK-u është duke punuar “maksimalisht” për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të termocentralit Kosova A në ditët në vijim.
KEK-u e pranoi se do ta ndalë prodhimin mëngjesin e së shtunës në njësinë B1, për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik.
Më herët të premten, KESCO tha se po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të siguruar rrymën e nevojshme për të garantuar “qëndrueshmëri në sistem”, duke paralajmëruar mungesë të prodhimit vendor.
“Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, tha kjo kompani.
Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për banorët e saj vetëm nga prodhimi prej termocentraleve me qymyr Kosova A dhe Kosova B të KEK-ut.
Vendi importon rrymë për t’i mbuluar mungesat, por ka edhe prodhim vendor përmes burimeve të ripërtërishme, megjithëse në sasi më të vogla.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.
Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.
Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.
Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.
Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.
Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.
Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar të hënën, në seancën e tij të parë plenare, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Deputetët thanë se e konsiderojnë “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” të katërshes.
Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.
Deklarata e 28 shtatorit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më vonë, Kuvendi zgjodhi nënkryetaren e tij nga radhët e PDK-së, Vlora Çitakun, dhe caktoi anëtarët e komisioneve parlamentare.
Nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen
Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa LVV në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa LDK ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.
Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin.
Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.
Rezolutat e mëparshme
Në shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që u kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të garantojnë gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat e të akuzuarve.
Rezoluta kërkonte gjithashtu transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa konfirmoi zotimin e Kosovës për mbështetjen financiare të mbrojtjes së të akuzuarve.
Po ashtu edhe në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes së cilës shprehu qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se vlerat e saj duhet të ruhen e të mbrohen.
Përmes kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës u kishte propozuar institucioneve kompetente që, në përputhje me ligjin për dhënien e dekoratave, t’i dekoronin për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rezolutat e miratuara në Kuvend pasqyrojnë qëndrim dhe vullnet politik për një çështje, por pa një detyrim ligjor.