Connect with us

Botë

Lëkundet armëpushimi pasi Izraeli thotë se Irani lëshoi raketa

Published

on

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit duke lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj caqeve paramilitare dhe qeveritare në Iran.

Izraeli tha se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e kishin pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme.

Pranimi i marrëveshjes nga të dyja palët mëngjesin e së martës erdhi pasi Teherani e kreu sulmin e fundit raketor ndaj Izraelit, si pasojë e të cilët humbën jetën katër njerëz në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ndërkohë që Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin para agimit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është pajtuar armëpushimin dypalësh me Iranin, në bashkërendim me Trumpin.

Netanyahu tregoi se të hënën në mbrëmje e kishte njoftuar kabinetin e sigurisë së Izraelit se vendi ka arritur të gjitha synimet ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit, përfshirë eliminimin e kërcënimit nga programet bërthamore dhe raketore balistike të Iranit.

Izraeli gjithashtu ka dëmtuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe disa objekte qeveritare, si dhe mori kontrollin mbi hapësirën ajrore të Teheranit, tha Netanyahu.

“Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit”, tha Netanyahu.

Trump ka thënë mëngjesin e së martës se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u kërkoi të dyja vendeve të mos e shkelin atë.

“ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se armëpushimi hyri në fuqi në orën 7:30 të mëngjesit, por zyrtarët iranianë nuk kanë folur ende pas njoftimit të Trumpit për hyrjen e armëpushimit në fuqi.

Disa orë më parë, diplomati më i lartë i Iranit deklaroi se vendi ishte i gatshëm të ndalte sulmet ajrore.

Abbas Araqchi tha herët të martën se nëse Izraeli e ndal “agresionin e tij të paligjshëm” kundër popullit iranian jo më vonë se në orën 4 të mëngjesit me orën e Teheranit të martën, Irani nuk e ka ndër mend të vazhdojë me përgjigje ushtarake më pas.

“Operacionet ushtarake të Forcave tona të Armatosura të fuqishme për të ndëshkuar Izraelin për agresionin e tij vazhduan deri në minutën e fundit, në orën 4 të mëngjesit. Së bashku me të gjithë iranianët, i falënderoj Forcat tona të Armatosura të guximshme, të cilat mbeten të gatshme të mbrojnë vendin tonë të dashur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe që iu përgjigjën çdo sulmi të armikut deri në minutën e fundit”, shkroi Araqchi në X.

Kur njoftoi pas mesnatës për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e sipër, pas së cilave armëpushimi do të hynte në fuqi.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para se armëpushimi të hynte në fuqi.

Ushtria izraelite tha se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe shërbimi kombëtar i ambulancës në Izrael tha se katër njerëz u vranë në Beersheba, viktimat e para të raportuara në Izrael që nga shpallja e armëpushimit nga Trump.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve në Iran, SNN, raportoi të martën në mëngjes se Teherani lëshoi valën e fundit të raketave para se të hynte në fuqi armëpushimi.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e siguroi marrëveshjen e Teheranit gjatë një telefonate me zyrtarë iranianë, tha për Reuters të martën një zyrtari të informuar për negociatat.

Në të njëjtën kohë, nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ishin në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me iranianët, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Disa orë më parë, tre zyrtarë izraelitë kishin sinjalizuar se Izraeli po kërkonte të përfundonte fushatën e tij në Iran së shpejti dhe ua kishin përcjellë këtë mesazh Shteteve të Bashkuara.

Armëpushimi vjen pasi SHBA-ja i goditi centralet bërthamore të Iranit dhe Teherani u përgjigj duke sulmuar bazën ajrore amerikane në Katar.

Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.

Izraeli ngul këmbë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën.

Irani mohon se ka pasur ndonjëherë program për armë bërthamore, por udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ka thënë se, nëse do të donte ta kishte një të tillë, liderët botërorë “nuk do të mund të na ndalonin”.

Izraeli, i cili nuk është palë e Traktatit Ndërkombëtar për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, është vendi i vetëm në Lindjen e Mesme që besohet të ketë armë bërthamore. Izraeli as nuk e pranon e as nuk e mohon këtë.

\ Radio Evropa e Lirë

Botë

Trump falënderon Kosovën për kontributin me trupa në Bordin e Paqes

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën për kontributin e saj në Bordin e Paqes – nismës së udhëheqësit amerikan për arritjen e paqes në botë.

“Dua të falënderoj ato shtete që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa, e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, tha Trump gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit të tij, Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë edhe në kontekstin e ndaljes së një lufte, duke deklaruar se i kërcënoi këto dy shtete se do të ndalte tregtinë e tyre me SHBA-në nëse do të shpërthente lufta.

Edhe në të kaluarën, Trump ka përmendur ndaljen e një përplasjeje të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në misionin në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Më 7 shtator, Kosova u bë formalisht pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), pasi u nënshkrua marrëveshja formale për t’u bërë pjesë e kësaj force.

Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, u tha në deklaratën e Bordit të Paqes.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë miratimi nga Kuvendi për dërgimin e FSK-së jashtë vendit dhe marrëveshjes për anëtarësim në Bordin e Paqes, si dhe autorizimit për dërgimin e tyre në Gazë nga Presidenca.

Ndërkaq, në prill një ekip i FSK-së shkoi në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.

Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.

Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

Published

on

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.

Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.

Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.

Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.

Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.

Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending