Connect with us

Kosovë

Kurti: I ofrova dy propozime kompromisi, por edhe ato u refuzuan

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka konsensus mes partive parlamentare për konstituimin e Kuvendit, ndonëse ka deklaruar se i ka ofruar dy propozime kompromisi për të zhbllokuar procesin.

Kurti u tha mediave se LDK dhe PDK  e kanë keq-lexuar dhe keqinterpretuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe përafrimi i propozimeve ishte i pamundshëm.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese s’e ka shpallur Komisionin jo kushtetues dhe se askund nuk thuhet që kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka bërë ndonjë shkelje.

“PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht. Nuk është as qëllimi dhe as kuptimi ajo që po thuhet nga PDK dhe LDK. Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë që Komisioni është jokushtetues dhe nuk thotë askund që kryesuesi Avni Dehari ka bërë shkelje.”

Më tej, Kurti tha se në takim ka dhënë dy propozime , për të cilat tha se mund t’i japin zgjidhje ngërӓit të krijuar në Kuvend.

“Propozimi i parë ka qenë nëse kandidatja për kryetare, Albulena Haxhiu,  nuk i merr 61 vota në votimin e fshehtë, atëherë tërhiqet nga kandidatura. Edhe pse ky ka qenë qëndrim i njëanshëm i Haxhiut, unë e respektoj. Ajo nuk dëshiron të votohet dy herë me votim të fshehtë.

Dhe e dyta ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, marrëveshje në paketë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarët. E pastaj nëse nuk duan votim të fshehtë, le të delegojnë përfaqësuesit në komisionin për votim të fshehtë të cilin mund ta rrëzojnë me votë,” tha Kurti duke shtuar se takimi i sotëm ishte i vlefshëm së paku për shkak të sqarimeve të ndërsjella mes partive parlamentare.

Kosovë

Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht udhëzimin për xhamat e errët

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullon përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke konstatuar se disa nga kufizimet e vendosura nuk kishin bazë ligjore.

Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e iniciuar nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “Tri Pika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kishin kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, që kishte të bënte me ndalimin e vendosjes së materialeve të errësuara apo xhamat e errësuar në automjete.

Në aktgjykim shpallen të paligjshëm dhe shfuqizohet paragrafi 1, 3 dhe 4 i nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ.  

Paragrafi 1 lejonte xhamat e errët vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.

Gjithashtu është shfuqizuar edhe paragrafi 4 i këtij neni, i cili i jepte Ministrit të Punëve të Brendshme kompetencën për të lejuar përjashtime nga ndalimi.

Gjykata ka lënë në fuqi vetëm paragrafin 2 të nenit 7, pasi ai ka karakter teknik dhe administrativ, duke rregulluar vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime që bien ndesh me ligjin.

Në arsyetim të aktgjykimit, Gjykata vlerësoi se dispozitat e shfuqizuara krijonin kufizime të reja që nuk burojnë nga ligji, duke theksuar e organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar kufizime të reja që nuk mbështeten në autorizim të qartë ligjor.

Continue Reading

Kosovë

Sot fillon edhe numërimi i votave të diasporës  

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike do të fillojë sot, nga ora 16:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Për zgjedhjet e 7 qershorit, për të votuar përmes postës, ishin regjistruar 104 mijë e 480 votues, ndërsa 22 mijë e 414 persona kanë votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në mbarë botën.

Sipas KQZ-së, në procesin e vlerësimit të votave nga diaspora të dërguara me postë, që ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar, deri më 10 qershor janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755 pako.

“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndërkohë, në 28 komuna ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, derisa numërimi vazhdon në Ferizaj, Prizren, Prishtinë, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Gjilan, Gjakovë, Fushë-Kosovë, Suharekë dhe në Vushtrri.

Sipas dinamikës së deritanishme, në shumicën e këtyre komunave, numërimi i përgjithshëm pritet të përfundojë pasditen e sotme.  

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për ngritjen e barrikadave në veri më 2022

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët tha se dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues. Rasti ka të bëjë me ngritjen e bllokadave komunat veriore të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – më 10 dhjetor 2022, të cilat ishin larguar më 29 dhjetor të atij viti.

Prokuroria Speciale tha se D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor në komunat veriore të Kosovës, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.

Sipas organit ndjekës, ndaj 11 personave të tjerë të identifikuar me iniciale M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, “pasi ata deri më tani janë të paarritshëm” për organet e drejtësisë së Kosovës.

Të gjashtë të akuzuarit, tha Prokuroria, dyshohet se kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të forta, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

“Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”, tha Prokuroria Speciale përmes një njoftimi.

Ata dyshohen për veprat penale: Bashkim për veprimtari kundërkushtetues me qëllim të të sulmit kundër Rendit Kushtetues të Republikës se Kosovës dhe pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Çfarë kishte ndodhur dhjetorin e vitit 2022 në veri?

Më 6 dhjetor të vitit 2022, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra kishte shpërthyer.

Zyrtarët zgjedhorë në atë kohë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve serbë në katër komunat në veri, që vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Për shkak të tensioneve, votimet u shtyn për prillin e vitit pasues.

Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, autoritetet kishin arrestuar ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, e cila e lidh Kosovën me Serbinë.

Arrestimi i tij rriti edhe më shumë tensionet, me serbët lokalë që më pas ngritën barrikada.

Në atë kohë, Serbia kishte vendosur në gatishmëri ushtrinë dhe kishte rritur praninë ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.

Barrikadat ishin larguar më 29 dhjetor, pas ndryshimit të masës së sigurisë së Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, më 2025 janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim tre persona, përfshirë edhe ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending