Connect with us

Botë

Trump urdhëron ripozicionimin e nëndetëseve bërthamore për shkak të deklaratave të Medvedevit

Published

on

Në një paralajmërim për Rusinë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 1 gusht se ka urdhëruar ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane, “bazuar në deklaratat shumë provokuese” të bëra nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

Trump shkroi në Truth Social se bazuar në deklaratat “shumë provokuese” të bëra nga Medvedevi, ai ka urdhëruar “që dy nëndetëset bërthamore të pozicionohen në rajonet e përshtatshme, në rast se këto deklarata të pamenduara dhe nxitëse janë më tepër se fjalë”.

Presidenti amerikan shtoi se “fjalët kanë shumë rëndësi dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, dhe shpresoj që kjo të mos jetë një nga ato raste”.

Njoftimi i Trumpit për ripozicionimin e nëndetëseve – që kryejnë patrullime të rregullta në rajonet ku tensionet janë të larta – vjen në një moment delikat të raporteve të administratës së Trumpit me Moskën.

Trump ka thënë se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, po shkon në Rusi për të shtyrë Moskën që të pranojë një armëpushim në luftën me Ukrainën dhe ka kërcënuar me sanksione të reja ekonomike nëse nuk arrihen përparime.

Ai shkurtoi afatin prej 50 ditësh në 10 ditë – që palët të ndalin luftën – dhe ky afat pritet të skadojë javën e ardhshme.

Postimi për ripozicionimin e nëndetëses erdhi pasi Trump, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, kishte shkruar se Medvedev është “ish-president i dështuar i Rusisë” dhe e kishte paralajmëruar që të kishte “kujdes me fjalët”.

Disa orë më vonë, Medvedev iu përgjigj, duke shkruar se “Rusia ka të drejtë në gjithçka dhe do të vazhdojë rrugën e saj”.

Medvedev ishte president i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012, në periudhën kur Putini nuk mund të kandidonte për një mandat të dytë radhazi. Ai u tërhoq për t’i hapur rrugë Putinit që të kandidonte përsëri.

Tani, Medvedev është zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Rusisë, të cilin e udhëheq Putini.

Medvedev njihet për deklaratat e tij provokuese dhe nxitëse që nga fillimi i luftës në Ukrainë në 2022.

Ai shpesh ka bërë kërcënime bërthamore dhe ka fyer udhëheqësit perëndimorë përmes postimeve në rrjetet sociale. Disa vëzhgues kanë argumentuar se me këtë retorikë, Medvedev po përpiqet të fitojë pikë politike pranë Putinit dhe ushtarakëve rusë.

Trump dhe Medvedev janë përplasur edhe në të kaluarën përmes postimeve në rrjetet sociale.

Më 15 korrik, pasi Trump njoftoi për planet për të furnizuar Ukrainën me më shumë armë përmes aleatëve të NATO-s dhe kërcënoi me tarifa shtesë ndaj Moskës, Medvedev shkroi në rrjetet sociale: “Trump lëshoi një ultimatum teatral ndaj Kremlinit. Bota u trondit, duke pritur pasojat. Evropa u zhgënjye. Rusia nuk u shqetësua”.

Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, ai shkroi: “Trump po luan lojën e ultimatumeve me Rusinë: 50 ditë ose 10, duke shtuar: “Ai duhet të ketë parasysh dy gjëra. Nën një, Rusia nuk është Izraeli e as Irani. Dhe, nën dy, çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij”.

\ Radio Evropa e Lirë

Botë

SHBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

Published

on

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.

Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.

Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.

Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.

Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.

Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Evropa në valën e të nxehtit: Temperatura deri në 44°C

Published

on

Trembëdhjetë persona u mbytën gjatë fundjavës në Francë, duke notuar në zona të pambikëqyrura, në kushte të nxehtësisë ekstreme.

Kjo valë e të nxehtit pritet të bëhet edhe më e fortë nga sot, në shumë vende të Evropës, prandaj autoritetet kanë marrë masa të veçanta për mbrojtjen e njerëzve.

Shumë aktivitete në ambiente të hapura janë anuluar, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë punonjësve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Në Francë, 49 nga 96 rajonet janë vendosur nën alarmin e kuq për nxehtësinë.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteo-France, temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në qytetin jugperëndimor Bordu dhe 39 gradë Celsius në Paris.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos freskohen në zona të pambikëqyrura, si liqenet dhe lumenjtë, pas mbytjeve të raportuara gjatë fundjavës – në mesin e tyre edhe një vajzë 13-vjeçare.

Rreth 845 shkolla janë mbyllur të hënën, për shkak të nxehtësisë, ndërsa 1.800 të tjera i kanë lejuar nxënësit të largohen më herët.

Në Belgjikë, temperaturat këtë javë pritet të jenë “më të nxehtat ndonjëherë”, paralajmëroi shefi i parashikimeve në institutin meteorologjik IRM, David Dehenauw.

Në Spanjë, meteorologët paralajmërojnë nxehtësi shumë të madhe si ditën ashtu edhe natën, deri të mërkurën, me temperatura deri në 44 gradë Celsius.

Ata thonë se kjo është 5 deri në 10 gradë më shumë se normalja për këtë periudhë.

Në Portugali, temperaturat janë mbi mesataren, ndërsa në disa zona ato po u afrohen rekordeve të mëparshme.

Në Britani është dhënë paralajmërim për nxehtësi ekstreme, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se rekordet e nxehtësisë në Britani për muajin qershor pritet të thyhen.

Në Republikën Çeke dhe në pjesë të tjera të Evropës Qendrore, temperaturat janë gjithashtu mbi mesataren për këtë periudhë.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, situata është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës: temperatura të larta dhe valë e fortë nxehtësie, me disa dallime nga vendi në vend.

Kjo valë e të nxehtit është e dyta radhazi brenda dy muajve, pas një periudhe të pazakontë të nxehtë në maj.

Shkencëtarët thonë se valët e përsëritura të të nxehtit janë një shenjë e qartë e ngrohjes globale dhe paralajmërojnë se ato do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më të forta.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending