Connect with us

Botë

Të paktën 10 të vrarë dhe 48 të plagosur nga një sulm i madh rus në Kiev

Published

on

Të paktën 10 njerëz janë vrarë dhe 48 të tjerë janë plagosur nga një sulm i madh rus me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës mëngjesin e së enjtes, njoftuan autoritetet lokale.

Rusia e kreu këtë sulm të madh në një kohë kur përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës mbi trivjeçare po hasin vështirësi.

Dy fëmijë janë në mesin e të vrarëve, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

Numri i viktimave pritet të rritet teksa ekipet për shpëtim po punojnë në vendngjarje për t’i nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja.

“Rusia i zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së bisedimeve”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në X pas sulmit.

“Ne presim reagim nga të gjithë ata që kanë bërë thirrje për paqe nga e gjithë bota, por që sot gjithnjë e më shpesh po heshtin në vend se të mbajnë qëndrim parimor”, theksoi Zelensky.

Rusia përdori dronë mashtrues, raketa lundruese dhe raketa balistike, tha Tymur Tkachenko, kreu i administratës së qytetit të Kievit.

Të paktën 20 zona në shtatë rajone të Kievit u goditën. Pothuajse 100 ndërtesa u dëmtuan, përfshirë një qendër tregtare në qendër të qytetit, dhe mijëra dritare u thyen, tha ai.

Sulmet ruse goditën pjesën qendrore të Kievit, një nga rastet e rralla që sulmet kanë depërtuar thellë brenda kryeqytetit ukrainas që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Sulmi i së enjtes është sulmi i pari i madh dhe i kombinuar me dronë dhe raketa që Rusia e kryen në Kiev që prej takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë në fillim të këtij muaji, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Derisa dukej se përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës morën vrull menjëherë pas atij takimi, pak hollësi janë bërë të ditura për hapat e mëtejshëm.

Liderët perëndimorë e kanë akuzuar Putinin se po i zvarrit përpjekjet për paqe dhe se po i shmangie bisedimet, ndërkohë që trupat ruse depërtojnë më thellë brenda Ukrainës.

Këtë javë, udhëheqësit ushtarakë ukrainas e pranuan se forcat ruse kanë depërtuar në rajonin e tetë të Ukrainës, në kërkim të kapjes së më shumë tokave.

Zelensky shpreson për sanksione më të ashpra amerikane për ta gjunjëzuar ekonominë ruse, nëse Putini nuk tregon seriozitet për përfundimin e luftës.

Ai i përsëriti ato kërkesa pas sulmit të së enjtes.

“Të gjitha afatet tashmë janë shkelur, dhjetëra mundësi për diplomaci janë shkatërruar”, tha Zelensky.

Trump u zemërua këtë javë me Putinin për zvarritjen e përgjigjes ndaj propozimit amerikan për bisedime të drejtpërdrejta për paqe me Zelenskyn.

Trump tha të premten se pret të vendosë për hapat e ardhshëm brenda dy javësh, nëse nuk caktohet datë për bisedimet e drejtpërdrejta.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Evropa në valën e të nxehtit: Temperatura deri në 44°C

Published

on

Trembëdhjetë persona u mbytën gjatë fundjavës në Francë, duke notuar në zona të pambikëqyrura, në kushte të nxehtësisë ekstreme.

Kjo valë e të nxehtit pritet të bëhet edhe më e fortë nga sot, në shumë vende të Evropës, prandaj autoritetet kanë marrë masa të veçanta për mbrojtjen e njerëzve.

Shumë aktivitete në ambiente të hapura janë anuluar, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë punonjësve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Në Francë, 49 nga 96 rajonet janë vendosur nën alarmin e kuq për nxehtësinë.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteo-France, temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në qytetin jugperëndimor Bordu dhe 39 gradë Celsius në Paris.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos freskohen në zona të pambikëqyrura, si liqenet dhe lumenjtë, pas mbytjeve të raportuara gjatë fundjavës – në mesin e tyre edhe një vajzë 13-vjeçare.

Rreth 845 shkolla janë mbyllur të hënën, për shkak të nxehtësisë, ndërsa 1.800 të tjera i kanë lejuar nxënësit të largohen më herët.

Në Belgjikë, temperaturat këtë javë pritet të jenë “më të nxehtat ndonjëherë”, paralajmëroi shefi i parashikimeve në institutin meteorologjik IRM, David Dehenauw.

Në Spanjë, meteorologët paralajmërojnë nxehtësi shumë të madhe si ditën ashtu edhe natën, deri të mërkurën, me temperatura deri në 44 gradë Celsius.

Ata thonë se kjo është 5 deri në 10 gradë më shumë se normalja për këtë periudhë.

Në Portugali, temperaturat janë mbi mesataren, ndërsa në disa zona ato po u afrohen rekordeve të mëparshme.

Në Britani është dhënë paralajmërim për nxehtësi ekstreme, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se rekordet e nxehtësisë në Britani për muajin qershor pritet të thyhen.

Në Republikën Çeke dhe në pjesë të tjera të Evropës Qendrore, temperaturat janë gjithashtu mbi mesataren për këtë periudhë.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, situata është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës: temperatura të larta dhe valë e fortë nxehtësie, me disa dallime nga vendi në vend.

Kjo valë e të nxehtit është e dyta radhazi brenda dy muajve, pas një periudhe të pazakontë të nxehtë në maj.

Shkencëtarët thonë se valët e përsëritura të të nxehtit janë një shenjë e qartë e ngrohjes globale dhe paralajmërojnë se ato do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më të forta.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja dhe Irani janë pajtuar për një plan drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, thonë ndërmjetësit

Published

on

Ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari deklaruan më 22 qershor se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit kanë përfunduar, me të dyja palët që kanë rënë dakord për një kornizë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje brenda 60 ditëve, që përfshin garantimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftimeve në Liban.

Pak detaje konkrete u bënë publike në një deklaratë të përbashkët të Katarit dhe Pakistanit. Marrëveshja duket se pasqyron objektivat e përgjithshme të përcaktuara në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar javën e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit.

Ai memorandum la të hapura për interpretim shumë prej termave të një marrëveshjeje me 14 pika. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ato çështje ishin sqaruar në marrëveshjen më të fundit.

Deklarata tha se, ndërsa negociatat formale kishin përfunduar në qytezën turistike zvicerane të Byrgenstokut, diskutime të mëtejshme teknike do të zhvillohen nga delegacionet gjatë javës së ardhshme.

Ajo tha se do të krijohen “grupe pune” për të trajtuar çështjet “bërthamore, sanksionet dhe një grup për monitorim dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve për të siguruar zbatimin efektiv të memorandumit të mirëkuptimit, si dhe për çështje të tjera”.

Zyrtarët amerikanë nuk komentuan menjëherë.

Ministria e Jashtme e Iranit, në deklarata të raportuara nga media shtetërore iraniane, tha se bllokada amerikane e porteve ishte hequr, se “disa asete të ngrira” ishin liruar dhe se ishte nisur një “plan i madh zhvillimor për rindërtimin e Iranit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se, lidhur me kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, “u ra dakord të organizohet një mekanizëm”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Më herët, ndërsa ora po afrohej mesnatës, një diplomat i lartë amerikan tha se ekipet amerikane dhe iraniane do të punonin “gjatë gjithë natës” në përpjekje për ta shndërruar memorandumin e mirëkuptimit në një zgjidhje të përhershme ushtarake dhe politike. Zyrtarët thanë se bisedimet zgjatën 18 orë.

Marrëveshja, dhe veçanërisht dakordimi për ngritjen e një fondi rindërtimi si dhe mungesa e qartësisë mbi programin bërthamor të Iranit, është pritur me zemërim nga demokratët amerikanë dhe gjithashtu nga shumë republikanë.

Përveç kësaj, shumë udhëheqës izraelitë kanë deklaruar se vendi nuk është palë në marrëveshje dhe janë zotuar të vazhdojnë sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Hezbollahu, një grup militant dhe parti politike e mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo degën e tij politike.

Raportet kanë sugjeruar gjithashtu se kundërshtimi nga disa fraksione të vijës së ashpër brenda Iranit — përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) — ka ushtruar presion shtesë mbi ekipet negociuese të Teheranit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending