Connect with us

Kosovë

Osmani kërkon unitet politik për çështjen e dialogut strategjik me SHBA-të

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën ta pezullojnë dialogun strategjik me Kosovën.

Përmes një deklarate, Osmani ka thënë se “çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se “Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.”

Deklarata e plotë:

Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve.

Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti.

Pas punës së jashtëzakonshme të ekipit të Presidencës dhe të Departamentit të Shtetit, ky proces u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin mes Presidentes Osmani dhe Departamentit të Shtetit, në janar 2025.

Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot.

Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.

Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.

Kosovë

Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në rajonin e Pejës

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe dënuar me dhjetë vjet burgim Millorad Gjokoviqin për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatrat përreth në rajonin e Pejës.

Gjokoviq i njohur me nofkën “Mici” nga fshati Vitomiricë i Pejës, u arrestua në qershor të vitit 2022 .

Në aktakuzën e ngritur në qershor të vitit 2023 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thuhet se më 7 maj të vitit 1999, i pandehuri Gjokoviq së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, tortura, arrestime, maltretime, dëbime dhe akte të tjera çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë.

Gjithashtu sipas aktakuzës, gjatë ofensivës në Ozdrim, pos forcave të rregullta ushtarake kishin marrë pjesë edhe grupe paramilitare, të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake kur edhe u vranë 6 civilë shqiptarë, 3 të tjerë të plagosur janë ekzekutuar pasi ishin trajtuar në spital, ndërsa 5 persona vazhdojnë të jenë edhe sot të zhdukur.  

#

Continue Reading

Kosovë

Hamza jep dorëheqje nga posti i kreut të PDK-së

Published

on

Bedri Hamza njoftoi se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, më pak se një vit pasi mori drejtimin e partisë.

Gjatë një konference për media, Hamza tha se vendimi është i menduar mirë dhe se beson që zgjedhjet e brendshme partiake do të japin hapësirë që të rinjtë të kontribuojnë në PDK, fuqinë e dytë politike në vend.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Nga sot, e derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i PDK-së dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike, i gatshëm të kontribuoj për të”, tha Hamza.

Ai tha se beson se nga procesi i brendshëm zgjedhor, PDK-ja të dalë “më e fortë dhe më e konsoliduar”. Hamza nuk dha detaje se kur pritet të mbahet ky proces.

Gjatë fjalës së tij, Hamza tha se priste që pas 16 shtatorit drejtimin e partisë ta merrnin ish-udhëheqësit e PDK-së dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë të dënuar në shkallë të parë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hamza u shpreh se aktgjykimi dënues i 16 shtatorit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi ishte një “padrejtësi e madhe ndaj popullit të Kosovës”.

Ai po ashtu e cilësoi 16 shtatorin si “një nga ditët më të rënda të jetës sime, një nga ditët më të rënda për Kosovën”, por shtoi se do të vazhdojnë përpjekjet për drejtësi.

Hamza mori drejtimin e PDK-së më 17 nëntor 2025, disa ditë pasi Memli Krasniqi dha dorëheqje nga kreu i partisë.

Në ditën kur u zgjodh udhëheqës partiak, Hamza premtoi se do të mbante të bashkuar subjektin politik dhe se PDK-ja do të ishte e hapur për njerëz të rinj.

Ai u zgjodh në konventën partiake pa kundërkandidat, ndonëse Enver Hoxhaj kishte shprehur ambicie për garën për të parin e partisë. Megjithatë, Hoxhaj kishte kërkuar që konventa të mbahej një javë më vonë dhe nuk mori pjesë në garë duke u thirrur në “kushte të pabarabarta”.

Hamza ka qenë kandidat për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e shkurtit dhe dhjetorit të vitit 2025 dhe të qershorit të këtij viti. Në të tri palë zgjedhjet, partia e Hamzës doli fuqia e dytë politike.

Në zgjedhjet e fundit, ato të qershorit, nën drejtimin e Hamzës, PDK-ja fitoi 19.44 për qind të votave. Ndërkaq, në zgjedhjet e dhjetorit të vitit paraprak, ky subjekt fitoi 20.19 për qind të votave, ndërkaq në shkurt të vitit 2025 arriti të fitonte 20.95 për qind. Të tri palë zgjedhjet i fitoi Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti.

Duke folur për ciklet e njëpasnjëshme zgjedhore, Hamza tha se mandati i tij në krye të PDK-së nuk ishte i zakonshëm dhe se votimet e shpeshta nuk ofruan hapësirë të duhur për konsolidimin e brendshëm të partisë.

Në të kaluarën, Hamza ka qenë ministër i Financave si dhe kryetar i Mitrovicës së Jugut.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohen dy persona dhe konfiskohen mbi 50 kg marihuanë

Published

on

Pas hetimeve disa mujore lidhur me rastin e koduar “MALI”, Policia e Kosovës ka arrestuar personat me inicialet B.A.(1988) dhe S.H. (1974),  të dyshuar për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe ka konfiskuar 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Sipas njoftimit, arrestimi ka ndodhur më 16.10.2026 në Gjilan.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë zhvilluar nën dyshimin se persona të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’, gjegjësisht janë duke bërë përgatitjet për transport jashtë vendi të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objekte përcjellëse. Gjatë kontrollit, në njërën prej veturave (në bagazh) është gjetur dhe konfiskuar substancë,- dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me vlerë në tregun vendor rreth 80,000 (tetëdhjetë mijë) euro.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë:

• 53 kilogramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë;

• 2 telefona mobil dhe

• 2 automjete me targa vendore.

Operacioni është mbështetur në terren nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) – Gjilan, si dhe nga Njësia e Forenzikës Rajonale Gjilan, e cila ka bërë fotografimin, evidentimin dhe tërheqjen e dëshmive nga vendi i ngjarjes.”

Të dyshuarit pas intervistimit në prezencë të avokateve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Continue Reading

Trending