Connect with us

Kosovë

E akuzuara serbe për spiunazh e mohon fajësinë

Published

on

E akuzuara serbe për spiunazh, Jellena Gjukanoviq, deklaroi para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk e pranon fajin që i ngarkohet.

Gjykimi ndaj saj nisi më 16 shtator, ndërsa seanca fillestare zgjati më pak se një orë.

Mbrojtja e Gjukanoviqit kërkoi 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Rrahman Beqiri, vendosi se 15 ditë janë të mjaftueshme.

“Brenda këtij afati do të kërkojmë hedhjen poshtë të aktakuzës dhe do të paraqesim prova kundërshtuese. Pastaj, do të shohim vendimin e gjykatësit”, tha avokati i Gjukanoviqit, Predrag Millkoviq, pas seancës.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu që paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak – kërkesë kjo që u kundërshtua nga prokurori Bekim Kodraliu.

Millkoviq tha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të ofrojnë edhe dorëzani prej 15.000 eurosh.

Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori special, Bekim Kodraliu, tha se Jellena Gjukanoviq, me informacionet e transmetuara tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Ai tha se Gjukanoviq ka qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj.

“Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, theksoi Kodraliu.

Sipas tij, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.

Përmes këtij roli, tha ai, e akuzuara ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, sipas Kodraliut, Gjukanoviq ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.

Në përfundim, Kodraliu tha se me këto veprime, Gjukanoviq “në vazhdimësi ka kryer veprën penale të spiunazhit”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse vërtetohet fajësia.

Muajin e kaluar, edhe një serbe tjetër e Kosovës dhe partneri i saj kroat janë arrestuar në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh.

Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Gjatë muajve të fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar disa persona, serbë dhe shqiptarë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.

Ekspertët vlerësojnë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Dy të rinj nga Kosova mbyten në Shëngjin

Published

on

Dy të rinj, shtetas të Kosovës, kanë humbur jetën te Rana e Hedhun në Shëngjin, pasi u morën nga dallgët e forta dhe rrymat detare.

Në njoftimin zyrtar, policia e Lezhës shkruan se ngjarja e rëndë ndodhi kur pesë të rinj nga Kosova u futën për t’u larë në det, por u morën nga dallgët e krijuara nga erërat e forta.

Pas reagimit të menjëhershëm të disa qytetarëve me Jet Ski në koordinim me policinë, ata u nxorën nga deti dhe u transportuan për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës.

Si pasojë, dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak

“Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar policia e Shqipërisë.  

Continue Reading

Kosovë

KEDS-i gjobitet edhe me 110 mijë euro për parregullësi në njehsorët elektrik

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ( MINTI) ka gjobitur edhe me 110 mijë euro KEDS-in, pasi bazuar në ankesat e qytetarëve dhe pas verifikimeve të kryera në terren, është gjetur se 18 njehsorë elektrikë kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë, dy janë tërhequr, ndërkaq 30 njehsorë kishin pasaktësi në datë dhe orë.

“Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110,000 euro. Ndërkohë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar” thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) kishte njoftuar se të gjithë konsumatorët që vërtetohet se janë dëmtuar do të kompensohen plotësisht.

Në fillim të muajit prill të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryente hetime lidhur me parregullsitë e njehsorëve të rrymës.

#

Continue Reading

Kosovë

Autoritetet e Kosovës marrin nën kontroll infrastrukturën hekurudhore në veri

Published

on

Autoritetet e Kosovës të enjten në mëngjes morën nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia ka ofruar asistencë gjatë marrjes së objekteve të stacioneve hekurudhore, ku janë hequr tabelat “Hekurudhat e Serbisë”, dhe janë vendosur të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës”, së bashku me flamurin e Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha gazetarëve se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës dhe se “Hekurudhat e Serbisë” janë një nga institucionet e fundit “paralele dhe ilegale” që kanë funksionuar.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, deklaroi se “nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore” në veriun e Kosovës.

Ai tha se infrastruktura hekurudhore në veri deri më tani ka qenë “e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe”.

Basha deklaroi, gjithashtu, se hekurudha në veri është një pjesë strategjike e Korridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit.

“Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës”, tha ai.

Kosova gjatë dy vjetëve të fundit ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet e Serbisë, që pas luftës kanë funksionuar në zonat me shumicë serbe. Ndërsa autoritetet kosovare thonë se po vendosin rend dhe ligj, pjesëtarët e komunitetit serb këto veprime i shohin si “diskriminim” ose formë “represioni”.

Edhe bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar mbylljen e institucioneve serbe nga autoritetet kosovare, duke theksuar se komuniteteve joshumicë fillimisht duhet t’u sigurohen shërbimet që i kanë marrë përmes sistemit serb.

Ministri Sveçla deklaroi se Kosova nuk do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.

“Kjo [hekurudha] është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç e ka theksuar ministri i Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projekteve për rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, tha ai.

Serbia refuzon t’i mbyllë institucionet e saj në Kosovë, por shumicën prej tyre i ka zhvendosur në qytetet e saj kufitare.

Po ashtu, Kosova ngulmon në integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore që në zonat ku jeton komuniteti serb funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, gjë që po has në kundërshtimin e popullatës lokale, përfaqësuesve politikë dhe shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se çështja e integrimit të këtyre dy sektorëve duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending