Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova.
Sipas njoftimit, ky institucion këshillëdhënës në strukturat e BE-së, ka ftuar organizatat e shoqërisë civile në Kosovë që të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor në kuadër të Nismës së shteteve kandidate për zgjerim (ECMc), të iniciuar më 2023.
“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në ueb-faqen e këtij komuniteti.
Në shkurt të vitit 2024, EESC-ja u bë institucioni i parë i BE-së që pranoi anëtarë nga shtetet kandidate. Megjithatë, atëbotë Kosova nuk u përfshi, pasi është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Më 2024, ky komitet pranoi si anëtar Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Që të gjitha këto shtete formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.
Nga ky komitet ishte thënë se nisma shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të shteteve kandidate, para se ato formalisht të anëtarësohen në BE.
Pavarësisht se Kosova nuk ka statusin e kandidates për anëtarësim në BE, sipas një përgjigjeje që ky komitet i ka dërguar Kohës, u vendos që “të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidate potenciale për anëtarësim”.
EESC-ja është pjesë integrale e BE-së. Ky komitet është themeluar më 1957 në bazë të Traktatit të Romës dhe synon të këshillojë vendimmarrësit e BE-së për t’u siguruar që organizatat dhe rrjetet e shoqërisë civile në mbarë kontinentin evropian kanë zë i përket zhvillimit të Evropës.
Organizatat e shoqërisë civile që bëhen pjesë e komitetit veprojnë si ndërmjetës mes vendimmarrësve dhe publikut.
“Qëllimi i EESC-së është që të ndihmojë që procesi i politikbërjes dhe ai legjislativ të jetë më demokratik, më efektiv dhe të reflektojë vërtetë nevojat e qytetarëve të BE-së”, thuhet në ueb-faqen e komitetit.
Komiteti ka selinë në Bruksel dhe përbëhet nga 329 anëtarë nga të gjitha 27 shtetet e BE-së. Vetëm anëtarët që vijnë nga shtetet e BE-së kanë të drejtë vote në EESC. Anëtarët vijnë nga fusha të ndryshme dhe ata përfaqësojnë shoqata punëtorësh, industri, dhoma të tregtisë, shoqata për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, konsumatorë, fermerë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, e të tjerë.
Ky komitet përbëhet nga tri grupe: Grupi i Punëdhënësve, Grupi i Punëtorëve dhe Grupi i Organizatave të Shoqërisë Civile.
Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.
Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.
Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.
Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.
Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.
Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.
Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar të hënën, në seancën e tij të parë plenare, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Deputetët thanë se e konsiderojnë “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” të katërshes.
Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.
Deklarata e 28 shtatorit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më vonë, Kuvendi zgjodhi nënkryetaren e tij nga radhët e PDK-së, Vlora Çitakun, dhe caktoi anëtarët e komisioneve parlamentare.
Nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen
Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa LVV në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa LDK ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.
Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin.
Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.
Rezolutat e mëparshme
Në shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që u kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të garantojnë gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat e të akuzuarve.
Rezoluta kërkonte gjithashtu transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa konfirmoi zotimin e Kosovës për mbështetjen financiare të mbrojtjes së të akuzuarve.
Po ashtu edhe në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes së cilës shprehu qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se vlerat e saj duhet të ruhen e të mbrohen.
Përmes kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës u kishte propozuar institucioneve kompetente që, në përputhje me ligjin për dhënien e dekoratave, t’i dekoronin për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rezolutat e miratuara në Kuvend pasqyrojnë qëndrim dhe vullnet politik për një çështje, por pa një detyrim ligjor.