Connect with us

Kosovë

Bahamas e njeh Kosovën

Published

on

Bahamas, shteti ishull në Karaibe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.

Kështu Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas u arrit në kryeqytetin Nasau. Marrëveshja u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahama, Philip Davis.

“Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, ka shkruar presidentja Osmani.

#

Kosovë

LVV-ja nominon Kurtin për kryeministër, partitë drejt finalizimit të listave të kandidatëve

Published

on

Tri ditë para fundit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar dinamikën e negociatave dhe finalizimit të listave.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të mbajtur të shtunën, partia në pushtet zyrtarizoi edhe një herë unanimisht Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Kryeministri në detyrë , Kurti, synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar.

LVV-ja tashmë ka konfirmuar edhe vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

Ndërkohë, sot do të mbajë mbledhje edhe Këshilli i Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet të qartësohet një prej zhvillimeve kryesore politike para këtyre zgjedhjeve: rikthimi i ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët me LDK-në.

Para largimit, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.

Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.

Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë oferta për zgjerimin e listës së saj zgjedhore me parti të tjera që vendosën të mos garojnë të vetme.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e PDK-së.

Në një letër drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Limaj ka shprehur gatishmërinë për “bashkëpunim dhe bashkim politik” në funksion të krijimit të një alternative të përbashkët opozitare.

PDK-ja deri tash nuk ka dalë me një qëndrim publik për ofertën e Nismës.

Limaj gjithashtu kishte qenë ndër figurat më të votuara të PDK-së në të kaluarën, para ndarjes së tij nga kjo parti dhe krijimit të NISMA-s.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve në Kosovë, pas atyre të shkurtit dhe dhjetorit 2025.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Bastisje në disa qytete për keqpërdorim detyre dhe ryshfet

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se në koordinim dhe bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Sipas njoftimit, bastisjet po zhvillohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale, përfshirë “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Shkelja e fshehtësisë së procedurës’’, ‘’Marrja e deklaratave me anë të , ‘’Keqpërdorimi i informatës zyrtare’’, ‘’Mashtrimi’’, ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, ‘’Marrja e ryshfetit’’ dhe ‘’Dhënia e ryshfetit’’.

“Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre.

Po ashtu, pesë (5) persona zyrtarë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme pasurore”, thuhet mes tjerash në njoftim.

#

Continue Reading

Kosovë

Gjykata Speciale: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë për të paktën dy muaj

Published

on

Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, ish-president; Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarë; dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt dhe aktgjykimi pritej këtë muaj.

Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) të mërkurën se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”, tha Griep për REL-in.

Që të katërtit i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe u deklaruan përsëri të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në shkurt.

Prokurorët, ndërkohë, kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë prej vitit 2020.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbanin përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e kanë mohuar fajësinë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending