Connect with us

Kosovë

Kosova ftohet nga Trumpi që të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar ftesë personale nga udhëheqësi amerikan, Donald Trump, që ta përfaqësojë vendin në Bordin e Paqes, “si anëtare themeluese”.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-në në misionin për një botë më të sigurt”, shkroi Osmani në Facebook.

Ky bord pritet të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.

Osmani tha se udhëheqja e guximshme e ndërton paqen dhe nuk flet thjesht për paqen, dhe kjo është, sipas saj, pikërisht ajo që po bën presidenti amerikan”nëpërmjet kësaj iniciative historike”.

Presidentja kosovare tha se SHBA-ja solli paqen në Kosovë dhe Kosova sot është aleate “e palëkundur e saj për ta çuar paqen më tej”.

“Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shkroi ajo.

Në letrën e Trumpit, që mban datën 20 janar, thuhet se më 29 shtator të vitit 2025 ai njoftoi për Planin gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, përmes një plani 20-pikësh “që shpejt u mbështet nga të gjithë liderët botëror”. Aty përmendet edhe një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që mbështet këtë plan.

“Tani është koha që t’i bëjmë këto ëndrra realitet. Në zemër të planit është Bordi i Paqes, që është bordi më mbresëlënës i themeluar ndonjëherë”, thuhet në letrën e Trumpit.

Trump thotë se pret që të punojë me Osmanin për “shumë kohë në të ardhmen, drejt arritjes së qëllimit për paqe të qëndrueshme botërore, mirëqenie dhe madhështi për të gjithë”.

Disa media ndërkombëtare, duke u thirrur në burime, kanë raportuar se Trump dëshiron që shtetet të paguajnë 1 miliard dollarë për të qenë anëtarë të përhershëm. Sipas CNN-it, ata që nuk e paguajnë këtë shumë do të kenë një mandat trevjeçar.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina i tha Radios Evropa e Lirë se një pagesë e tillë nuk është kërkuar.

“Pra nuk është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh. E shihni edhe vet në ftesë”, tha ai.

Përveç Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar ftesën e Trumpit.

Ftesa të tilla kanë pranuar edhe udhëheqës të Izraelit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit, Bahrejnit, Kanadasë, Argjentinës, Paraguajit, Azerbajxhanit dhe shteteve të tjera.

Trump ka ftuar po ashtu edhe Kinën dhe Rusinë. Por, jo të gjithë që kanë pranuar ftesën nga Trumpi janë zotuar për të qenë pjesë e Bordit. Ftesa për pjesëmarrje është refuzuar nga Franca dhe Suedia.

Ditë më parë u publikuan disa emra të tjerë që janë emëruar nga SHBA-ja për të qenë pjesë e këtij bordi.

Mes emrave përfshihen sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.

Trump është kryetar i bordit, sipas një plani që Shtëpia e Bardhë e tij e bëri publik në tetor.

Izraeli dhe grupi palestinez Hamas, e miratuan planin e Trumpit, që parashikon që një organ teknokratik palestinez të mbikëqyret nga bordi ndërkombëtar, i cili do të mbikëqyrë qeverisjen e Gazës për një periudhë tranzitore.

Shumë ekspertë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë thënë se mbikëqyrja nga Trumpi e një bordi që kontrollon qeverisjen e një territori të huaj i ngjan një strukture koloniale, ndërsa përfshirja e Blairit u kritikua vitin e kaluar për shkak të rolit të tij në luftën në Irak dhe historisë së imperializmit britanik në Lindjen e Mesme.

Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar në mes të nëntorit të vitit të kaluar, autorizoi bordin dhe vendet që punojnë me të për të krijuar këtë bord në Gazë.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka emëruar një Bord Ekzekutiv për Gazën, me 11 anëtarë, ku përfshihen ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, koordinatorja e posaçme e OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Sigrid Kaag, ministrja e Emirateve të Bashkuara Arabe për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Reem Al-Hashimy, dhe miliarderi izraelito-qipriot, Yakir Gabay, së bashku me disa anëtarë të bordit ekzekutiv.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se ish-ministri i Jashtëm bullgar, Nikolay Mladenov, do të udhëheqë administratën kalimtare në Gazë.

Ky bord shtesë do të mbështesë zyrën e Mladenovit dhe organin teknokratik palestinez.

Tre muaj më parë, Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për armëpushim, por që atëherë palët kanë këmbyer akuza për shkelje të tij.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer më shumë se 250 të tjerë. Lufta ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz në Gazë, ka shkaktuar një krizë urie dhe ka sjellë shkatërrime të mëdha.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohen dy persona dhe konfiskohen mbi 50 kg marihuanë

Published

on

Pas hetimeve disa mujore lidhur me rastin e koduar “MALI”, Policia e Kosovës ka arrestuar personat me inicialet B.A.(1988) dhe S.H. (1974),  të dyshuar për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe ka konfiskuar 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Sipas njoftimit, arrestimi ka ndodhur më 16.10.2026 në Gjilan.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë zhvilluar nën dyshimin se persona të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’, gjegjësisht janë duke bërë përgatitjet për transport jashtë vendi të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objekte përcjellëse. Gjatë kontrollit, në njërën prej veturave (në bagazh) është gjetur dhe konfiskuar substancë,- dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me vlerë në tregun vendor rreth 80,000 (tetëdhjetë mijë) euro.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë:

• 53 kilogramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë;

• 2 telefona mobil dhe

• 2 automjete me targa vendore.

Operacioni është mbështetur në terren nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) – Gjilan, si dhe nga Njësia e Forenzikës Rajonale Gjilan, e cila ka bërë fotografimin, evidentimin dhe tërheqjen e dëshmive nga vendi i ngjarjes.”

Të dyshuarit pas intervistimit në prezencë të avokateve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria interviston Gani Gecin dhe Lirim Mehmetajn

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka intervistuar Gani Gecin në cilësinë e të dyshuarit dhe Lirim Mehmetajn në cilësinë e të dëmtuarit lidhur me rastin e dyshimit për kanosje.  

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

#

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending