Connect with us

Kosovë

Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së nga Serbia

Published

on

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare, pasi Serbia arrestoi një veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një ditë më parë, nën pretendimet për krime kundër popullatës civile.

MPJD tha më 6 janar se ka pranuar informacione për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mitehat Llozhani me të hyrë në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit në kufi me Kroacinë.

Kjo ministri tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka dorëzuar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë duke i kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve të ndalimit dhe informacione të tjera të rëndësishme për rastin.

“Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, tha MPJD.

MPJD tha po ashtu theksoi se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt me familjen e të arrestuarit dhe do të paraqesë kërkesë zyrtare për ta vizituar atë.

Autoritetet në Serbi mbrëmjen e 5 shkurtit konfirmuan arrestimin e veteranit të UÇK-së dhe thanë se është dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Vjosa Osmani bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente

Published

on

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me vota unanime, miratoi propozimin e marrëveshjes me Vjosa Osmanin për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në takimin e sotëm, u vendos që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër derisa Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës së deputetëve dhe njëkohësisht do të jetë  edhe kandidate për presidente.

Ish-presidentes Osmani do t’i takojnë gjithsej 20 emra për deputetë brenda listë së LDK-së.

Ceremonia e zyrtarizmit të kësaj marrëveshjeje për bashkim, do të bëhet të dielën në orën 18:00, njoftoi Abdixhiku duke shtuar se në listën e plotë do të përfshihen figura që mund të kontribuojnë në stabilitetin politik si përpjekje për rikthim të ekuilibrit institucional në vend.

Vjosa Osmani ishte ndër figurat më të votuara të LDK-së dhe kandidate e kësaj partie për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019.  Ndarja e saj me strukturat e LDK-së erdhi pas rrëzimit të qeverisë Kurti 1, kur në vitin 2020, ajo formoi partinë e saj, Listën Guxo, që më pas në zgjedhjet e vitit 2021, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, fituan mbi 51% të votave.  Asokohe, si pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës.

Continue Reading

Kosovë

Shqetësuese rritja e rasteve me fruth tek fëmijët

Published

on

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësim për paraqitjen e rasteve të sëmundjes së fruthit tek fëmijët në javët e fundit.

Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi dhe të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar.

KOMF shpreh shqetësim për rënien e mbulueshmërisë së vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës në grup moshën 12–24 muaj, e cila rrit rrezikun për shpërthime të fruthit dhe sëmundjeve të tjera të parandalueshme me vaksinë.

KOMF i bën thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët e tyre, në përputhje me kalendarin e rregullt të vaksinimit. KOMF thekson se vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor i prindërve që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të fëmijës.

Vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ato janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, KOMF u bënë thirrje prindërve që të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që mund të qarkullojnë në hapësirat publike apo online.

Për çdo paqartësi, prindërit inkurajohen të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komuna.

Gjithashtu, KOMF u bën thirrje institucioneve shëndetësore që të intensifikojnë veprimet për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe për vaksinimin e fëmijëve në komunitet (derë më derë).

KOMF thekson nevojën për reagim të koordinuar dhe të vazhdueshëm institucional, me fokus në rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen efektive të shëndetit të fëmijëve. KOMF vlerëson se institucionet shëndetësore duhet të intensifikojnë fushatat vetëdijesuese për vaksinimin, të cilat duhet të shoqërohen me informim të vazhdueshëm të prindërve, me qëllim që ata të jenë të informuar saktë dhe në mënyrë të plotë për rëndësinë dhe sigurinë e vaksinimit

#

Continue Reading

Kosovë

LVV-ja nominon Kurtin për kryeministër, partitë drejt finalizimit të listave të kandidatëve

Published

on

Tri ditë para fundit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar dinamikën e negociatave dhe finalizimit të listave.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të mbajtur të shtunën, partia në pushtet zyrtarizoi edhe një herë unanimisht Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Kryeministri në detyrë , Kurti, synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar.

LVV-ja tashmë ka konfirmuar edhe vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

Ndërkohë, sot do të mbajë mbledhje edhe Këshilli i Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet të qartësohet një prej zhvillimeve kryesore politike para këtyre zgjedhjeve: rikthimi i ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët me LDK-në.

Para largimit, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.

Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.

Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë oferta për zgjerimin e listës së saj zgjedhore me parti të tjera që vendosën të mos garojnë të vetme.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e PDK-së.

Në një letër drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Limaj ka shprehur gatishmërinë për “bashkëpunim dhe bashkim politik” në funksion të krijimit të një alternative të përbashkët opozitare.

PDK-ja deri tash nuk ka dalë me një qëndrim publik për ofertën e Nismës.

Limaj gjithashtu kishte qenë ndër figurat më të votuara të PDK-së në të kaluarën, para ndarjes së tij nga kjo parti dhe krijimit të NISMA-s.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve në Kosovë, pas atyre të shkurtit dhe dhjetorit 2025.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending