Connect with us

Kosovë

Avokati Mishetiq: Shpallja e Hashim Thaçit fajtor do të ishte padrejtësi ligjore dhe historike

Published

on

Avokati Luka Mishetiq, në fillim të deklaratës së tij përmbyllëse, si avokat mbrojtës i Hashim Thaçit, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.

“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor” ka thënë Mishetiq.  

Ai u tha gjyqtarëve se e sheh problematik faktin në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”, tha Mishetiq duke shtuar se argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin.

Avokati i Thaçit u tha gjykatësve se shpallja fajtor e klientit të tij do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”.

Duke u fokusuar te pika e e akuzës se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës, Mishetiq u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë, pasi nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi.

Avokati Mishetiq më tej tha se secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e Prokurorisë, dhe për më keq, Prokuroria nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari.

Kosovë

Katër të plagosur pas të shtënave në Podujevë

Published

on

Katër persona janë plagosur në Podujevë pas një përleshjeje të armatosur në qendër të këtij qyteti, thanë autoritetet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se motivi i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje paraprake, ndërsa të dyshuarit kanë lidhje familjare.

“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare [nip dhe dajë], ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Tre nga të plagosurit ishin të përfshirë në të shtënat me armë zjarri, ndërkaq një tjetër ishte kalimtar rasti.

Të përfshirët në përleshjen e armatosur dyshohen për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, tha organ i ndjekjes.

Të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konfirmoi më herët gjatë ditës Enis Pllana nga Policia e Kosovës.

Ata kanë pësuar plagë të rënda, por gjendja e tyre shëndetësore “është stabile për momentin”, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

Të shtënat u raportuan në orën 13:30 të së enjtes.

Policia e Kosovës tha se po ndërmerre veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Në Kosovë llogaritet se në duart e qytetarëve janë mijëra armë zjarri pa leje.

Ekspertët kanë argumentuar se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Regjistrohet një tërmet prej 3.8 ballësh në kufirin Kosovë – Serbi

Published

on

Mëngjesin e sotëm është regjistruar një tërmet prej 3.8 ballësh në kufirin Kosovë – Serbi.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiano-Mesdhetare për Sizmologji, epiqendra e tërmetit të regjistruar në ora 09:46,  ishte 9 kilometra në jug të Leskocit dhe në thellësi 5 kilometra.

Lëkundjet janë ndier në shumë qytete në Serbi dhe Kosovë. Deri tani nuk është raportuar për dëme materiale.

Continue Reading

Kosovë

Gjykata shqipton dëbim, ndalim hyrjeje në Kosovë dhe gjoba për të ndaluarit në Gazimestan

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.

Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.

Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, por para gjykatës u proceduan 36 prej tyre. Ata janë kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit dhe të ndaluarve u ishin konfiskuar dokumentet personale deri në shpalljen e aktgjykimit.

Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.

Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.

Ajo theksoi se Policia e Kosovës, para fillimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, i kishte paralajmëruar të pranishmit se ishte e ndaluar shfaqja e çdo simboli që nxit “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.

Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikologjikisht dhe fizikisht” nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i hetojnë këto pretendime, ato sipas detyrës zyrtare, megjithëse thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me ngjarjet në Gazimestan.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka dënuar ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke e vlerësuar këtë si një “akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending