Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përsëritur në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues se “jam plotësisht i pafajshëm”.
“Të nderuar gjyqtarë, për vjet vite në këtë sallë të gjyqit i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, th Thaçi.
Thaçi i hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë së ia ka pasur qëllime ta merrte kontrollin në Kosovë, duke thënë se asokohe studionte në Zvicër.
“Në kohën e masakrave në Qirez, Prekaz e Likoshan në fillim të vitit 1998 unë isha student në universitetin e Zurihit, dhe atëherë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin në Kosovë, por për t’i kaluar provimet”, tha Thaçi.
Ai shtoi se “i vetmi njëri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi, për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë edhe unë u detyrua ta lëshoja Kosovën më herët, sepse më ndiqte regjimi i Millosheviqit”.
Thaçi gjithashtu shprehu keqardhje për viktimat e luftës në Kosovë, duke thënë “unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.
Ish-presidenti i Kosovës vazhdon t’i kundërshtojë akuzat e Prokurorisë, duke thënë se e vërteta është e kundërta e asaj që ajo e ka thënë për të në gjykatë.
“Kjo Prokurori më thuri shumë lavde e më ndau shumë tituj e grada, por e vërteta është krejt tjetër. Unë nuk isha ai që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë, unë iu bashkova rezistencën në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi pse UÇK-ja po masivizohej, arsyeja ishte Millosheviqi”.
“Askush më bukur nuk e ka thënë këtë sesa ish-sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Madeleine Albright, citoj: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’”, shtoi Thaçi.
Sipas tij, UÇK-ja nuk ishte shteti, nuk ishte ushtri e një shteti, por ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor.
“Fakti që UÇK-ja nuk ishte organizuar ashtu siç Prokuroria pretendon se ishte, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës, nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike e diplomatike. Suksesi më i madh i Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë dh besimi me Perëndimin. Ata na ndihmuan pikërisht sepse e dinin se kush ishin dhe çfarë qëllimi kishin. Unë me asnjë çmim, në asnjë rrethanë, nuk do ta rrezikoja këtë aleancë me asgjë në këtë botë, sepse ashtu do ta rrezikoja vetë lirinë e Kosovës dhe ekzistencën tonë kolektive”, theksoi ai.
Thaçi nënvizoi tutje: “Synimi ynë ishte paqja, e jo lufta”.
| Radio Evropa e Lirë