Connect with us

Botë

Në fjalimin drejtuar kombit, Trump paralajmëron Iranin dhe zotohet për paqe në Ukrainë

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, shfrytëzoi fjalimin më të gjatë drejtuar kombit në historinë e Shteteve të Bashkuara për të përsëritur kërcënimin për veprim ushtarak kundër Iranit nëse diplomacia dështon dhe për t’u zotuar se do të vazhdojë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur për gati 1 orë e 50 minuta, Trump përdori seancën e përbashkët të Kongresit amerikan për t’i paraqitur arritjet e administratës së tij, duke i cilësuar ato si agim i një “epoke të artë”.

Fjalimi ishte një mundësi për t’u përqendruar në politikat e brendshme përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, por presidenti Trump rikonfirmoi gjithashtu prioritetet kyç në politikën e jashtme dhe sigurinë botërore.

Irani

Trump i kushtoi disa minuta Iranit, të cilin e paraqiti si kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm, duke rikujtuar po ashtu sulmet ushtarake të SHBA-së ndaj këtij shteti në qershor të vitit të kaluar.

“Pas [operacionit] Çekani i Mesnatës, ata u paralajmëruan që të mos bënin përpjekje të reja për të rindërtuar programin e tyre të armëve, veçmas të armëve bërthamore. Megjithatë, ata vazhdojnë të nisin gjithçka nga e para”, tha ai.

“Unë preferoj që ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë”, tha Trump. “Por, një gjë është e sigurt: Unë kurrë nuk do të lejoj sponsorin numër një në botë të terrorit, që ata janë, të ketë armë bërthamore. Nuk mund ta lejoj një gjë të tillë”.

Këto deklarata u bënë në një kohë të grumbullimit masiv ushtarak të SHBA-së në Lindjen e Mesme, si dhe përpara rundit të ri të bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, të planifikuar për 26 shkurt. Këto bisedime janë të përqendruara kryesisht në programin bërthamor të Iranit, për të cilin Teherani këmbëngul se ka qëllime paqësore dhe civile, sikurse është prodhimi i energjisë elektrike.

“Për dekada të tëra, ka qenë politikë e Shteteve të Bashkuara që të mos lejojë kurrë Iranin të ketë armë bërthamore. Për shumë dekada”, tha presidenti Trump.

Duke iu referuar udhëheqjes klerikale të Iran që nga revolucioni i vitit 1979, ai tha: “Që kur morën kontrollin e atij kombi krenar 47 vjet më parë, regjimi dhe bashkëpunëtorët e tij vrasës nuk kanë përhapur asgjë tjetër veç terrorizmit, vdekjes dhe urrejtjes”.

Trump shtoi se gjatë trazirave të fundit brenda Iranit, autoritetet iraniane kishin “vrarë të paktën, duket ashtu, 32.000 protestues në vendin e tyre”.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë regjistruar afër 7.000 vdekje, por besohet gjerësisht se numri real i viktimave është dukshëm më i lartë.

Trump i mbylli komentet e tij për Iranin me këtë paralajmërim: “Asnjë komb nuk duhet të dyshojë ndonjëherë në vendosmërinë e Amerikës. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme në Tokë”.

Në një reagim, që duket se është përgjigje ndaj fjalimit të Trumpit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, shkroi në rrjetet sociale se administrata amerikane po përhap gënjeshtra.

“Çfarëdo që ata pretendojnë sa i përket programit bërthamor të Iranit, raketave balistike dhe numrit të viktimave gjatë trazirave të janarit thjesht janë përsëritje e ‘gënjeshtrave të mëdha’”, shkroi ai.

Ukraina

Kësaj pjese të fjalimit të tij i paraprin komente të shkurtra për Ukrainën, ku pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Trump tha se administrata e tij po “punon shumë fort” për t’i dhënë fund luftës, duke iu referuar bisedimeve disamujore që vazhduan edhe javën e kaluar me takime trepalëshe në Gjenevë të Zvicrës.

I dërguari i tij kryesor, Steve Witkoff, ishte i pranishëm. Ai tha pas rundit të fundit të bisedimeve se ishte arritur “përparim domethënës”, pa dhënë detaje, duke shtuar se “të dyja palët janë pajtuar që të vazhdojnë punën drejt një marrëveshjeje”.

Në fjalimin e tij, Trump nuk përmendi detaje, por sërish e ktheu vëmendjen te kostoja e tmerrshme njerëzore e konfliktit.

“Njëzet e pesë mijë ushtarë po vdesin çdo muaj. Mendoni për këtë: 25.000 ushtarë në muaj”, tha ai.

Shifrat e viktimave nuk janë publike dhe nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Megjithatë, një raport i fundit vlerëson se numri i të vrarëve, plagosurve dhe të zhdukurve është afër 1.2 milion në anën e Rusisë dhe 500-600 mijë në Ukrainë.

Duke përsëritur një pretendim të dëgjuar edhe në fushatë zgjedhore, Trump shtoi se lufta “nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president”.

Deklarimet e tij vijnë në kohën kur udhëheqësit evropianë e shfrytëzuan përvjetorin e katërt të nisjes së luftës për të përsëritur mbështetjen e tyre për Kievin dhe në kohën kur ka pikëpyetje lidhur me strategjinë afatgjatë të Uashingtonit.

Energjia, tarifat

Politika e jashtme ishte e lidhur ngushtë me agjendën e brendshme ekonomike të presidentit Trump.

Ai vuri në pah zgjerimin e prodhimit të naftës dhe gazit nën politikën e tij, duke argumentuar se rritja e prodhimit në SHBA – së bashku me atë që e përshkroi si një “fillim të mbarë” në Venezuelë – do të ndihmojë në uljen e çmimeve botërore të energjisë.

Duke e quajtur Venezuelën “miken dhe partneren tonë të re”, Trump tha se SHBA-ja kishte siguruar 80 milionë fuçi nafte pas rrëzimit nga pushteti të liderit të kamotshëm, Nicolas Maduro.

Sa i përket tregtisë, Trump tha se tarifat që janë paguar nga shtetet e huaja në fund “do të zëvendësojnë sistemin modern të tatimit mbi të ardhurat”, duke shtuar se ato do të lehtësojnë barrën financiare për amerikanët.

Gjatë gjithë adresimit drejtuar kombit, Trump u rikthye vazhdimisht te një temë qendrore: rimëkëmbja amerikane.

Teksa fjalimi i Trumpit u prit me duartrokitje dhe ovacione nga republikanët, demokratët qëndruan të ulur. Dhjetëra prej tyre e bojkotuan krejtësisht këtë ngjarje, duke mbajtur një ngjarje të veçantë në një vend tjetër në Uashington, ku kritikuan Trumpin për një sërë çështjesh.

“Nuk jam në adresimin drejtuar kombit sonte, sepse këto nuk janë kohëra normale dhe demokratët duhet të ndalojnë së vepruari në mënyrë normale”, tha senatori demokrat Chris Murphy.`

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Evropa në valën e të nxehtit: Temperatura deri në 44°C

Published

on

Trembëdhjetë persona u mbytën gjatë fundjavës në Francë, duke notuar në zona të pambikëqyrura, në kushte të nxehtësisë ekstreme.

Kjo valë e të nxehtit pritet të bëhet edhe më e fortë nga sot, në shumë vende të Evropës, prandaj autoritetet kanë marrë masa të veçanta për mbrojtjen e njerëzve.

Shumë aktivitete në ambiente të hapura janë anuluar, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë punonjësve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Në Francë, 49 nga 96 rajonet janë vendosur nën alarmin e kuq për nxehtësinë.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteo-France, temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në qytetin jugperëndimor Bordu dhe 39 gradë Celsius në Paris.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos freskohen në zona të pambikëqyrura, si liqenet dhe lumenjtë, pas mbytjeve të raportuara gjatë fundjavës – në mesin e tyre edhe një vajzë 13-vjeçare.

Rreth 845 shkolla janë mbyllur të hënën, për shkak të nxehtësisë, ndërsa 1.800 të tjera i kanë lejuar nxënësit të largohen më herët.

Në Belgjikë, temperaturat këtë javë pritet të jenë “më të nxehtat ndonjëherë”, paralajmëroi shefi i parashikimeve në institutin meteorologjik IRM, David Dehenauw.

Në Spanjë, meteorologët paralajmërojnë nxehtësi shumë të madhe si ditën ashtu edhe natën, deri të mërkurën, me temperatura deri në 44 gradë Celsius.

Ata thonë se kjo është 5 deri në 10 gradë më shumë se normalja për këtë periudhë.

Në Portugali, temperaturat janë mbi mesataren, ndërsa në disa zona ato po u afrohen rekordeve të mëparshme.

Në Britani është dhënë paralajmërim për nxehtësi ekstreme, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se rekordet e nxehtësisë në Britani për muajin qershor pritet të thyhen.

Në Republikën Çeke dhe në pjesë të tjera të Evropës Qendrore, temperaturat janë gjithashtu mbi mesataren për këtë periudhë.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, situata është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës: temperatura të larta dhe valë e fortë nxehtësie, me disa dallime nga vendi në vend.

Kjo valë e të nxehtit është e dyta radhazi brenda dy muajve, pas një periudhe të pazakontë të nxehtë në maj.

Shkencëtarët thonë se valët e përsëritura të të nxehtit janë një shenjë e qartë e ngrohjes globale dhe paralajmërojnë se ato do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më të forta.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja dhe Irani janë pajtuar për një plan drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, thonë ndërmjetësit

Published

on

Ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari deklaruan më 22 qershor se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit kanë përfunduar, me të dyja palët që kanë rënë dakord për një kornizë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje brenda 60 ditëve, që përfshin garantimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftimeve në Liban.

Pak detaje konkrete u bënë publike në një deklaratë të përbashkët të Katarit dhe Pakistanit. Marrëveshja duket se pasqyron objektivat e përgjithshme të përcaktuara në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar javën e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit.

Ai memorandum la të hapura për interpretim shumë prej termave të një marrëveshjeje me 14 pika. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ato çështje ishin sqaruar në marrëveshjen më të fundit.

Deklarata tha se, ndërsa negociatat formale kishin përfunduar në qytezën turistike zvicerane të Byrgenstokut, diskutime të mëtejshme teknike do të zhvillohen nga delegacionet gjatë javës së ardhshme.

Ajo tha se do të krijohen “grupe pune” për të trajtuar çështjet “bërthamore, sanksionet dhe një grup për monitorim dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve për të siguruar zbatimin efektiv të memorandumit të mirëkuptimit, si dhe për çështje të tjera”.

Zyrtarët amerikanë nuk komentuan menjëherë.

Ministria e Jashtme e Iranit, në deklarata të raportuara nga media shtetërore iraniane, tha se bllokada amerikane e porteve ishte hequr, se “disa asete të ngrira” ishin liruar dhe se ishte nisur një “plan i madh zhvillimor për rindërtimin e Iranit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se, lidhur me kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, “u ra dakord të organizohet një mekanizëm”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Më herët, ndërsa ora po afrohej mesnatës, një diplomat i lartë amerikan tha se ekipet amerikane dhe iraniane do të punonin “gjatë gjithë natës” në përpjekje për ta shndërruar memorandumin e mirëkuptimit në një zgjidhje të përhershme ushtarake dhe politike. Zyrtarët thanë se bisedimet zgjatën 18 orë.

Marrëveshja, dhe veçanërisht dakordimi për ngritjen e një fondi rindërtimi si dhe mungesa e qartësisë mbi programin bërthamor të Iranit, është pritur me zemërim nga demokratët amerikanë dhe gjithashtu nga shumë republikanë.

Përveç kësaj, shumë udhëheqës izraelitë kanë deklaruar se vendi nuk është palë në marrëveshje dhe janë zotuar të vazhdojnë sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Hezbollahu, një grup militant dhe parti politike e mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo degën e tij politike.

Raportet kanë sugjeruar gjithashtu se kundërshtimi nga disa fraksione të vijës së ashpër brenda Iranit — përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) — ka ushtruar presion shtesë mbi ekipet negociuese të Teheranit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending