Connect with us

Kosovë

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë ujdi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Published

on

Prokuroritë speciale të Kosovës dhe të Shqipërisë e kanë zgjeruar bashkëpunimin duke e nënshkruar të hënën një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët pune në Prishtinë mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, apo SPAK.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, dhe shefi i SPAK-ut, Klodjan Braho, shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët për ta çuar përpara bashkërendimin ndërinstitucional, thuhet në njoftim.

Delegacioni shqiptar u prit sot në takim edhe nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

“Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet”, tha Prokuroria kosovare.

Sipas njoftimit, palët u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.

Autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë kryer operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar në të kaluarën.

Ato kishin shkatërruar një grup të trafikut të armëve që vepronte në të dy vendet gjatë një operacioni në vitin 2024, i cili ishte mbështetur edhe nga Eurojust dhe Europol.

Të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve dhe materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë atij operacionit të përbashkët më 2024 ishin arrestuar 14 të dyshuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Puna e SPAK-ut në vitet e fundit është mbështetur dhe përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Inspektorati i Punës ndalon punimet në gati gjysmën e vendeve të inspektuara

Published

on

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në gati gjysmën e rasteve të inspektuara gjatë 48 orëve të para të aksionit në nivel vendi, që synon rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati, nga gjithsej 72 inspektime të kryera, në 34 raste është marrë vendim për ndalim të punimeve, ndërsa janë lëshuar edhe 22 vërejtje dhe vetëm 16 raste kanë kaluar pa vërejtje.

Në dy raste janë dhënë leje për vazhdim të punës pas përmbushjes së kushteve.

Ky zhvillim vjen në kuadër të aksionit 15-ditor të nisur nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, një ditë pasi një punëtor humbi jetën në vendin e punës — rasti i tetë i tillë këtë vit.

Aksioni është ndërmarrë në sektorë me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë, dhe është shtrirë në disa qytete të Kosovës.

Sipas raportit, numri më i madh i ndalimeve është evidentuar në Ferizaj, pasuar nga Fushë Kosova, Gjilani dhe Mitrovica e Jugut.

Autoritetet kanë bërë të ditur se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të kushteve të sigurisë në punë, në veçanti në sektorët me rrezik të lartë, ku më herët janë raportuar shqetësime për kushtet e punës.

Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë kushte të sigurta pune, përfshirë trajnimin e punëtorëve dhe përdorimin e duhur të pajisjeve.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton dërgimin e FSK-së në Gazë

Published

on

Kuvendi i Kosovës miratoi propozimin e Qeverisë  për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Ky vendim u miratua me 89 vota pro të deputetëve, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Në arsyetim të propozimit të Qeverisë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve që kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese”, tha Maqedonci duke shprehur bindjen se përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare

Continue Reading

Kosovë

Haziri i LDK-së: Jemi në konsultime me LVV-në për një marrëveshje për presidentin

Published

on

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lutfi Haziri, tha se me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) janë duke u konsultuar për një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas tij, qëllimi është që sa më shpejt të sigurohet funksionaliteti institucional, teksa Kosova aktualisht ka ushtruese të detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar më 4 prill. Këtë post, sipas Kushtetutës, e mori kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

Haziri tha se konsultimet janë “aktive” dhe se kreu i partisë, Lumir Abdixhiku po punon që t’i jepet “një mundësi marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së”.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së në pushtet, Albin Kurti, tha, po ashtu, për mediat se është në komunikim me LDK-në dhe se “kur te kemi rezultate do t’ju njoftojmë“.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Kurti, ditë më parë ka zhvilluar takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK-së, por takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për presidentin. LDK-ja në legjislaturën e dhjetë ka 15 deputetë.

LVV-ja më herët ka paralajmëruar edhe takime të tjera me LDK-në dhe PDK-në.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha – Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Konjufca tha më 16 prill se tërheq kandidaturën, nëse opozita del me një kandidaturë të përbashkët.

Më 6 mars, një ditë pas seancës për presidentin, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit 2025 dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending