Connect with us

Kosovë

MINTI paralajmëron gjoba për KEDS-in për shkak të njehsorëve

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka paralajmëruar gjoba ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), si pronare dhe shfrytëzuese e njehsorëve elektrikë, pasi gjeti parregullsi në disa prej tyre.

MINTI tha se është bërë verifikimi i parë i njehsorëve, pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikim, dhe është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë, ka pasur devijime me orë dhe ditë, por “matja e energjisë elektrike kanë rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar”.

Verifikimi laboratorik u bë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, që funksionon në kuadër të MINTI-t.

“Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara”, tha MINTI.

Ndërkaq, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut – që po ashtu funksionon në kuadër të MINTI-t – “do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve”, u tha në njoftim.

MINTI tha se verifikimet e njehsorëve do të vazhdojnë, teksa komisioni ad hoc veçse ka tërhequr njehsorë elektrikë me orë tarifore të pasaktë.

Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Shqetësimet për devijime në njehsorë fillimisht u ngritën nga subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe media lokale, Nacionale, që publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në total – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

LDK-ja pretendon se qytetarët janë dëmtuar nga “një skemë e madhe mashtrimi”, meqë ata mund të kenë besuar se e kanë shpenzuar energjinë në orët kur zbatohet tarifa e ulët, por me dallimet në kohë ata kanë shpenzuar shumë më tepër.

Ndërkaq, KEDS-i gjatë një konference për media më 1 prill tha se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim. Sipas kompanisë për shpërndarjen e energjisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.

ZRRE, ndërkaq, është zotuar se do të marrë masa në rast të konstatimit të gabimeve në funksionimin e njehsorëve elektrikë.

Debati për parregullsitë në njehsorë elektrikë vjen në kohën kur ZRRE-ja pritet që më 1 maj të shpallë tarifat e reja, që vlejnë deri më 31 mars. Shpallja e tyre ishte paraparë të bëhej më 1 prill, por u shty.

Disa operatorë energjetikë kanë kërkuar rritje të tarifave prej 20 për qind, por ende nuk është marrë ndonjë vendim.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Mbrojta paralajmëron apelim të vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Avokatët mbrojtës të ish-drejtuesve të UÇK-së kanë paralajmëruar se do të apelojnë menjëherë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata u shprehën thellësisht të befasuar dhe të indinjuar me dënimet e dhëna, pasi sipas tyre, trupi gjykues nuk i morri parasysh të dhënat, faktet dhe dëshmitarët e ekipeve mbrojtëse.

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.

Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.

“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit duke bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.

Dënimet e shqiptuara sot nga specialja me të madhe u kundërshtuan nga qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit ligjor të të akuzuarve, krerët e institucioneve dhe të partive politike, duke e vlerësuar vendimin dënues si goditje të rëndë për Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare.

Continue Reading

Kosovë

Policia paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve të rrejshme

Published

on

Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës.

Një mesazh i tillë i rremë, kinse për konfiskim të pajisjeve kompjuterike dhe hetim lidhur me krimet për pornografi të fëmijëve me kërkesë për paraqitje para organeve të drejtësisë është hasur në qarkullim nga zyrtarët e policisë.  

Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t’iu përgjigjen kërkesave të tilla.

“Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

#

Continue Reading

Trending