Connect with us

Kosovë

Vrasja e Liridona Ademajt: Murseli e Plava dënohen me burgim të përjetshëm, Kokalla me 30 vjet

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, dhe Granit Plava u shpallën fajtorë për vrasje të rëndë.

Plava u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla u shpall fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Kokalla u lirua nga akuza për moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre, pasi prokurorja kishte hequr dorë nga akuza.

Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në sallë kur u shpall aktgjykimi, ndërsa familjarë të së ndjerës po.

Avokati i familjes së Liridona Ademajt ka paralajmëruar se do ushtrojë ankesë lidhur me lartësinë e dënimit ndaj Kokallës, ndonëse atë e cilësoi “kuazi-dënim me burgim të përjetshëm”, pavarësisht se diçka e tillë nuk parashihet në Kodin Penal.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, u ka thënë mediave se vendimi duhet të jetë mësim për të gjitha ata që mundohen, apo krijojnë mundësi, që të kryhet një krim i tillë.

“Vendimi sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, për fëmijët e saj, që s’do ta shohin më nënën e tyre”.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarit erdhi pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe fjalëve përfundimtare të palëve, ku Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke argumentuar se vrasja e 30-vjeçares ishte kryer në mënyrë të planifikuar.

Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve kishin thënë se nuk kishte prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kishin kryer veprat penale.

Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?

Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai pretendon se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.

Ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet rreth fajësisë, por gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se veprimet i kishte bërë sipas marrëveshjes me Murselin, që ky vetëm ta merrte përgjegjësinë për rastin.

Ai pretendon se në momentin kritik vetëm dëgjoi krismën, dhe më pas iu tha të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me armën që ishte kryer vrasja, duke pohuar se më pas kishte ikur me shpejtësi.

Kurse Kokalla, që fillimisht s’kishte pranuar të deklarohej, më vonë gjatë shqyrtimit ishte deklaruar i pafajshëm për rastin.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka mohuar përfshirjen në krim, duke theksuar se për ngjarjen kishte mësuar fillimisht nga mediat.

Si dyshohet se ndodhi vrasja?

Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.

Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.

Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.

Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakorduar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.

Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, ka deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e kishte mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.

“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.

Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike.

Ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës u dënua me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Mirëpo, pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia uli dënimi Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.

Reagimet për krimin

Vrasja e Ademajt nxiti reagim publik, sidomos kur u ngritën dyshimet se ishte porositur nga bashkëshorti i saj, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit të saj.

Familja, më pas, kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj, për ta rivarrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Pak ditë pas vrasjes, në Prishtinë u mbajt marsh protestues, teksa protestë në numër më të vogël të njerëzve u zhvillua edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010 – në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Më 12 prill 2024, Erona Cokli, 21-vjeçare, u vra nga bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Katër ditë më vonë, më 16 prill, po nga bashkëshorti u vra edhe 43-vjeçarja Gjyljeta Ukella, në Pejë.

Më 21 janar 2026 një grua tjetër u vra – dorasi i krimit në Dragash dyshohet të jetë i biri i saj.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohen dy persona dhe konfiskohen mbi 50 kg marihuanë

Published

on

Pas hetimeve disa mujore lidhur me rastin e koduar “MALI”, Policia e Kosovës ka arrestuar personat me inicialet B.A.(1988) dhe S.H. (1974),  të dyshuar për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe ka konfiskuar 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Sipas njoftimit, arrestimi ka ndodhur më 16.10.2026 në Gjilan.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë zhvilluar nën dyshimin se persona të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’, gjegjësisht janë duke bërë përgatitjet për transport jashtë vendi të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objekte përcjellëse. Gjatë kontrollit, në njërën prej veturave (në bagazh) është gjetur dhe konfiskuar substancë,- dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me vlerë në tregun vendor rreth 80,000 (tetëdhjetë mijë) euro.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë:

• 53 kilogramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë;

• 2 telefona mobil dhe

• 2 automjete me targa vendore.

Operacioni është mbështetur në terren nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) – Gjilan, si dhe nga Njësia e Forenzikës Rajonale Gjilan, e cila ka bërë fotografimin, evidentimin dhe tërheqjen e dëshmive nga vendi i ngjarjes.”

Të dyshuarit pas intervistimit në prezencë të avokateve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria interviston Gani Gecin dhe Lirim Mehmetajn

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka intervistuar Gani Gecin në cilësinë e të dyshuarit dhe Lirim Mehmetajn në cilësinë e të dëmtuarit lidhur me rastin e dyshimit për kanosje.  

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

#

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending