Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësim për paraqitjen e rasteve të sëmundjes së fruthit tek fëmijët në javët e fundit.
Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi dhe të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar.
KOMF shpreh shqetësim për rënien e mbulueshmërisë së vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës në grup moshën 12–24 muaj, e cila rrit rrezikun për shpërthime të fruthit dhe sëmundjeve të tjera të parandalueshme me vaksinë.
KOMF i bën thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët e tyre, në përputhje me kalendarin e rregullt të vaksinimit. KOMF thekson se vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor i prindërve që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të fëmijës.
Vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ato janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, KOMF u bënë thirrje prindërve që të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që mund të qarkullojnë në hapësirat publike apo online.
Për çdo paqartësi, prindërit inkurajohen të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komuna.
Gjithashtu, KOMF u bën thirrje institucioneve shëndetësore që të intensifikojnë veprimet për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe për vaksinimin e fëmijëve në komunitet (derë më derë).
KOMF thekson nevojën për reagim të koordinuar dhe të vazhdueshëm institucional, me fokus në rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen efektive të shëndetit të fëmijëve. KOMF vlerëson se institucionet shëndetësore duhet të intensifikojnë fushatat vetëdijesuese për vaksinimin, të cilat duhet të shoqërohen me informim të vazhdueshëm të prindërve, me qëllim që ata të jenë të informuar saktë dhe në mënyrë të plotë për rëndësinë dhe sigurinë e vaksinimit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.
Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.
Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.
Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.
Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.
Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.
Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar të hënën, në seancën e tij të parë plenare, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Deputetët thanë se e konsiderojnë “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” të katërshes.
Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.
Deklarata e 28 shtatorit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më vonë, Kuvendi zgjodhi nënkryetaren e tij nga radhët e PDK-së, Vlora Çitakun, dhe caktoi anëtarët e komisioneve parlamentare.
Nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen
Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa LVV në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa LDK ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.
Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin.
Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.
Rezolutat e mëparshme
Në shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që u kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të garantojnë gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat e të akuzuarve.
Rezoluta kërkonte gjithashtu transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa konfirmoi zotimin e Kosovës për mbështetjen financiare të mbrojtjes së të akuzuarve.
Po ashtu edhe në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes së cilës shprehu qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se vlerat e saj duhet të ruhen e të mbrohen.
Përmes kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës u kishte propozuar institucioneve kompetente që, në përputhje me ligjin për dhënien e dekoratave, t’i dekoronin për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rezolutat e miratuara në Kuvend pasqyrojnë qëndrim dhe vullnet politik për një çështje, por pa një detyrim ligjor.