Connect with us

Botë

Trump dhe Irani konfirmojnë arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është arritur një marrëveshje kornizë për t’i ndalur luftimet në Lindjen e Mesme, për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është e kompletuar”, shkroi Trump në Truth Social duke njoftuar marrëveshjen të dielën vonë, e cila do ta hapë një periudhë 60-ditore për të mundësuar bisedime për një marrëveshje më të hollësishme për paqe midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif – vendi i të cilit ka vepruar si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit – konfirmoi se është arritur marrëveshja për paqe dhe se ceremonia e nënshkrimit është planifikuar të mbahet më 19 qershor në Zvicër.

Edhe Irani e konfirmoi arritjen e marrëveshjes.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha të hënën se “është shpallur përfundimi i përhershëm dhe i menjëhershëm i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet më 19 qershor pas nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes.

Nëse marrëveshja përfundimtare nënshkruhet vërtet, ajo do të përbënte hapin më të madh drejt përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili shpërtheu më 28 shkurt kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore kundër Iranit.

“Kjo marrëveshje e madhe do të sjellë paqe dhe siguri në gjithë rajonin”, shkroi Trump.

“Me hapjen e Ngushticës pas nënshkrimit të marrëveshjes të premten [19 qershor], për qëllime të pastrimit të minave, nafta do të rrjedhë sërish në të dy drejtimet për rajonin dhe botën”, shtoi ai.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, Mehr, publikoi ato që tha janë hollësitë e memorandumit të mirëkuptimit me 14 pika, duke thënë se ai parashikon 60 ditë bisedime lidhur me çështjet bërthamore dhe heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Teheranit.

Trump ka theksuar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.

Më herët, Reuters citoi një zyrtar të lartë iranian të ketë thënë se, sipas draftit të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të pajtohen të lirojnë asete të ngrira iraniane në vlerë të 25 miliardë dollarëve, ndërsa Teherani do të angazhohet të mos prodhojë ose sigurojë armë bërthamore.

Zyrtari tha se Irani është pajtuar ta ruajë status quo-në bërthamore, përfshirë mospasurimin e uraniumit dhe moszgjerimin e synimeve bërthamore, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Agjencia e lajmeve Fars – e cila është e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike – tha se “është vendosur që trafiku detar nëpër Gjirin Persik të rregullohet nga Irani në bashkërendim me Omanin”. Kjo bien ndesh me deklaratat e mëparshme të Trumpit.

Komanda ushtarake iraniane e shpalli marrëveshjen e paqes si fitore për vendin.

Trump kishte deklaruar më herët për gazetën Wall Street Journal se marrëveshja do të nënshkruhej ose elektronikisht nga ai vetë ose nga nënpresidenti JD Vance.

Më vonë, Vance tha se planifikon të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes në Gjenevë dhe se është “e mundur” që edhe Trumpi të jetë i pranishëm.

Luftë më e gjerë në Lindjen e Mesme

Pas sulmeve fillestare ajrore kundër Iranit në fund të shkurtit, lufta më pas u përhap në gjithë Lindjen e Mesme, pasi Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa kundër aleatëve amerikanë në Gjirin Persik.

Një konflikt paralel shpërtheu në Liban, ku Izraeli goditi bastionet e grupit militant Hezbollah, i cili kishte lëshuar raketa përtej kufirit drejt Izraelit.

Hezbollahu, i cili mbështetet nga Irani dhe kontrollon pjesë të mëdha të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo degën politike.

Irani ka këmbëngulur që përfundimi i luftimeve në Liban të përfshihet në marrëveshje. Izraeli, ndërkohë, ka vazhduar ofensivën e tij kundër Hezbollahut në Libanin jugor.

Marrëveshje për paqe rrezikohej të dështonte të dielën, pasi Izraeli goditi përsëri shënjestra të Hezbollahut në Liban.

Megjithatë, Gharibabadi tha se një nga kushtet për të mos u kundërpërgjigjur ishte tërheqja e Izraelit nga Libani jugor.

Në të kaluarën, Izraeli është zotuar për vazhdimin e ofensivës kundër Hezbollahut dhe krijimin e një zone të sigurisë në Liban, gjë që shpesh e ka zemëruar Trumpin, i cili publikisht e ka kritikuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për sulmet ushtarake.

Izraeli nuk e komentoi menjëherë njoftimin për marrëveshjen e paqes.

Perëndimi kërkon hapjen e Hormuzit dhe një marrëveshje bërthamore

Liderët perëndimorë përshëndetën marrëveshjen SHBA-Iran dhe deklaruan se Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur për lundrim pa tarifa dhe se Teherani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili do ta mirëpresë samitin e G7 të hënën, tha se marrëveshja “duhet të lejojë rihapjen urgjente dhe pa kushte të Ngushticës së Hormuzit, të cilën misioni ndërkombëtar i krijuar me Mbretërinë e Bashkuar është gati ta mbështesë”.

“Mjetet janë në dispozicion dhe gati për t’u angazhuar. Rikthimi i trafikut detar, pa kufizime ose tarifa, është kusht thelbësor për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale”, shtoi ai.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se “jemi të qartë se liria e lundrimit pa tarifa duhet të rikthehet tani në Ngushticën e Hormuzit”, duke shtuar se “Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e mirëpriti marrëveshjen si një “hap jetik” drejt zgjidhjes së luftës në Lindjen e Mesme.

Demokratët amerikanë thanë se i mirëpresin përpjekjet diplomatike, por se po presin hollësi konkrete të marrëveshjes para se të vendosin nëse do ta mbështesin atë apo jo.

Përfaqësuesi Gregory W. Meeks, demokrati më i lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha në një deklaratë se “kushtet e marrëveshjes, jo njoftimi për shtyp, do të përcaktojnë nëse ajo i shërben interesave amerikane”.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme, transparente dhe subjekt i mbikëqyrjes rigoroze nga Kongresi. Populli amerikan meriton më shumë sesa njoftime të paqarta ose propagandë politike”, tha ai.

Senatori republikan Lindsey Graham, një mbështetës i zëshëm i Trumpit dhe kritik i ashpër i regjimit në Teheran, tha se ishte “i gëzuar” kur dëgjoi për marrëveshjen kornizë, por se po priste hollësitë e plota.

“Jam i lumtur të dëgjoj se memorandumi i mirëkuptimit me Iranin për të lejuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit është arritur. Do të ndjek nga afër negociatat pasuese lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe çështje të tjera”, shkroi ai në X.

“Jam disi i shqetësuar se mënyra se si Irani e sheh marrëveshjen duket e ndryshme nga ajo që po pretendon ekipi amerikan”, shtoi ai.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit

Published

on

Demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke shënuar fitore edhe në bastione tradicionale republikane dhe duke i dhënë një goditje të rëndë politike presidentit Donald Trump.

Rezultatet tregojnë një ndryshim të madh në raportin e forcave në Uashington, ku republikanët deri më tani kontrollonin si Senatin, ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Fitorja e demokratëve vjen në një kohë pakënaqësish të mëdha të amerikanëve me gjendjen ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe luftën kundër Iranit, të nisur nga administrata Trump në shkurt.

Rritja e çmimeve të karburanteve pas shpërthimit të luftës e ka shtuar presionin mbi familjet amerikane, ndërsa sondazhet kanë treguar se shumë votues e konsiderojnë administratën përgjegjëse për vështirësitë ekonomike.

Demokratët kanë arritur të fitojnë vende në Senat edhe në shtete që tradicionalisht votojnë për republikanët, përfshirë: Teksasin, Kansasin, Ajovën, Ohajon dhe Karolinën e Jugut.

Në Kansas, pastori Adam Hamilton u bë demokrati i parë që fiton një vend në Senat, pas më shumë se nëntë dekadash.

Në Ohajo, demokrati Sherrod Brown fitoi vendin që më parë e mbante nënpresidenti JD Vance, ndërsa në Teksas, James Talarico mposhti prokurorin e përgjithshëm republikan, Ken Paxton.

Të dyja shtetet kishin mbështetur bindshëm Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Një tjetër fitore e rëndësishme për demokratët u shënua në Karolinën e Jugut, ku pediatrja Annie Andrews mposhti senatoren republikane, Darline Graham.

Graham ishte emëruar në Senat pas vdekjes së vëllait të saj, senatorit Lindsey Graham, dhe kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trumpit.

Presidenti amerikan kishte zhvilluar një fushatë intensive për kandidatët republikanë në javët e fundit para zgjedhjeve, duke marrë pjesë në më shumë se 24 tubime.

Ai u kishte kërkuar mbështetësve të votonin sikur edhe vetë të ishte në garë, me synimin për të mobilizuar elektoratin republikan.

Por, ndërsa rezultatet tregonin humbjen e shumicës republikane në Kongres, Trump këmbënguli se rezultati do të kishte qenë ndryshe nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim.

“Unë nuk isha në fletëvotim dhe, po të isha, do të kishim fituar me epërsi dërrmuese”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Demokratët fituan edhe një numër vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve që më parë kontrolloheshin nga republikanët, përfshirë në Kentaki, Nju Xhërsi dhe Karolinën e Veriut.

Suksesi i tyre është shtrirë edhe në zgjedhjet për guvernatorë.

Në Teksas, demokratja Gina Hinojosa mposhti guvernatorin republikan, Greg Abbott, ndërsa demokratët fituan edhe në Ajova dhe Ohajo.

Çfarë nënkupton rezultati për Trumpin?

Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit u jep demokratëve mundësi të bllokojnë nisma ligjore të presidentit Donald Trump, të nisin hetime ndaj administratës së tij dhe të ushtrojnë mbikëqyrje më të madhe gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit.

Sipas një analize të institutit amerikan Brookings, një nga pasojat më të rëndësishme lidhet me emërimet presidenciale, të cilat kërkojnë miratimin e Senatit.

Kjo përfshin anëtarët e kabinetit, zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët federalë, përfshirë ata të Gjykatës Supreme.

Me demokratët në shumicë, Trump mund ta ketë më të vështirë të emërojë kandidatët e tij, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ku gjyqtarët emërohen për gjithë jetën.

Një tjetër instrument i rëndësishëm është kontrolli mbi shpenzimet federale.

Kongresi miraton fondet për funksionimin e qeverisë dhe programet publike, duke u dhënë demokratëve mundësi të ndikojnë në prioritetet buxhetore të administratës.

Mospajtimet mund të çojnë edhe në bllokimin e financimit të institucioneve federale, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje.

Demokratët mund të ushtrojnë presion edhe mbi politikën e jashtme, përfshirë luftën kundër Iranit, përmes hetimeve parlamentare dhe kontrollit mbi financimin e operacioneve ushtarake.

Megjithatë, Trump ruan kompetencat ekzekutive dhe të drejtën e vetos ndaj ligjeve.

Për ta rrëzuar veton nevojiten dy të tretat e votave në secilën dhomë të Kongresit.

Kontrolli i Kongresit sjell edhe përgjegjësi për demokratët, nga të cilët votuesit do të presin përgjigje ndaj shqetësimeve ekonomike, ndër të tjera.

Kjo mund t’i bëjë dy vjetët e fundit të mandatit të Trumpit një periudhë përplasjesh politike, por edhe kompromisesh të domosdoshme për miratimin e buxhetit dhe financimin e qeverisë federale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja rikthen Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve

Published

on

Shtetet e Bashkuara njoftuan se përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë do të takohen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, për një rund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Uashingtoni shpreson se armëpushimi i përkohshëm i javës së kaluar do t’i hapë rrugë përparimit në negociata.

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se SHBA-ja do t’i ndërmjetësojë bisedimet, të cilat do të përqendrohen në masat për garantimin e sigurisë pas përfundimit të luftës, uljen e tensioneve, ndihmën humanitare dhe hapat e ardhshëm drejt paqes.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Uashingtoni pritet të përfaqësohet nga Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët udhëheqin përpjekjet amerikane për negociata.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi që bisedimet të zhvillohen në formatin trepalësh, me pjesëmarrjen e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, pas një takimi me Witkoffin në Shën Petersburg, dy javë më parë.

Kjo nismë e re diplomatike vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po përpiqet të arrijë përparim drejt përfundimit të luftës më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rundi i fundit i bisedimeve trepalëshe, me ndërmjetësimin amerikan, u mbajt në shkurt.

Procesi u ndërpre më pas, për shkak të luftës që përfshiu SHBA-në, Izraelin dhe Iranin.

Shpresat për rifillimin e negociatave u rritën pas një armëpushimi të përkohshëm, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, javën e kaluar.

Ai mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin Oleshki, në jug të Ukrainës, i cili është nën pushtimin rus.

Banorëve iu dha gjithashtu mundësia të largoheshin nga qyteti, nëse dëshironin.

Por, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vazhduar.

Më 3 nëntor, sulmet ruse plagosën së paku 62 persona në një institucion shëndetësor në Harkiv dhe dëmtuan infrastrukturën energjetike në pjesë të tjera të Ukrainës.

Ndërkohë, sipas zyrtarëve, dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në qytetin rus të Jarosllavlit.

Analistët dhe ish-zyrtarët amerikanë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, paralajmërojnë se nuk ka shumë arsye për të pritur ndonjë përparim të madh në Abu Dabi.

Sipas tyre, qëndrimet e Moskës dhe Kievit vazhdojnë të jenë shumë larg njëra-tjetrës dhe ende nuk ka shenja të qarta se Putin është i gatshëm të pranojë një armëpushim.

William Taylor, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe më vonë i ngarkuar me punë në Ambasadën amerikane gjatë mandatit të parë të Trumpit, tha se çështja kryesore është nëse Rusia e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj armëpushimit.

“A ka vendosur Putin ta pranojë armëpushimin?”, pyeti Taylor, duke kujtuar se si Uashingtoni, ashtu edhe Kievi, e kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen për të.

Ai rikujtoi se Trump ka propozuar më herët një armëpushim që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Ukraina e ka pranuar propozimin, por Rusia e ka refuzuar.

Gjatë bisedimeve të mëparshme trepalëshe, të zhvilluara në nivel ekspertësh në janar dhe shkurt, negociatorët kanë shënuar përparim në disa çështje teknike, përfshirë mënyrën se si mund të mbikëqyrej respektimi i një armëpushimi të mundshëm.

Megjithatë, sipas Taylorit, ata nuk kanë arritur marrëveshje për vetë armëpushimin.

“Pjesa e vështirë, dhe ajo që do të përbënte përparim të vërtetë, do të ishte që Putin të thoshte po, se e pranon armëpushimin”, tha Taylor për Radion Evropa e Lirë.

Armëpushimi mbetet pengesa kryesore

Për Taylorin, suksesi i bisedimeve në Abu Dabi varet nga një gjë: nëse Rusia pranon t’i ndalë luftimet.

Nëse merret ky vendim politik, ekspertët ushtarakë dhe teknikë mund të përcaktojnë më pas se si do të mbikëqyret dhe zbatohet armëpushimi.

Kjo mund të përfshijë përdorimin e mjeteve të vëzhgimit nga ajri, dronëve dhe sensorëve, si dhe përcaktimin e procedurave për reagim ndaj shkeljeve të mundshme.

Por Heather Conley, eksperte në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ish-zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, u shpreh më skeptike për mundësinë e arritjes së ndoonjë përparimi të madh.

“Nuk besoj se mund të presim shumë nga këto takime teknike, përveç faktit që bisedimet po rifillojnë”, tha Conley për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk do të ketë ndonjë përparim vendimtar, por është e mundur të caktohet një takim tjetër”, shtoi ajo.

Sipas saj, shkëmbime të tjera të të burgosurve mund të jenë ndër rezultatet më realiste të këtyre bisedimeve.

Krahas negociatave në Abu Dabi, zyrtarët amerikanë do të takohen këtë javë në Bruksel me përfaqësuesit evropianë, për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, organizimin e ardhshëm të sigurisë në Evropë dhe mbështetjen financiare për rindërtimin e Ukrainës.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, në takime do të marrin pjesë përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Bisedimet synojnë të vazhdojnë përpjekjet diplomatike të zhvilluara së voni në Kiev, Oslo dhe Shën Petersburg.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Të paktën 68 të vdekur pas përplasjes së trenave të shpejtë në Spanjë

Published

on

Të paktën 68 persona kanë vdekur pasi dy trena të shpejtë u përplasën në Spanjë. Ky është aksidenti i dytë vdekjeprurës në më pak se një vit në linjat që lidhin Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, thanë autoritetet rajonale.

Dhjetëra persona të tjerë raportohet se kanë pësuar lëndime, teksa qindra autoambulanca, helikopterë janë parë në vendngjarje.

Pamjet e transmetuara nga mediat rajonale shfaqën disa vagonë të dëmtuar dhe shina metalike të shtrembëruara.

Miguel, që po udhëtonte me disa kolegë dhe gjendej në vagonët nga fundi i një prej trenave që u përplas, foli për radio COPE për aksidentin.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe që zgjati për dhjetë sekonda, teksa treni po dilte nga shinat. Nga dritarja që gjendej në anën e djathtë e pamë trenin e shkatërruar”, tha ai.

Një person i informuar për aksidentin tha se një tren ekspres i operatorit hekurudhor spanjoll Iryo ndaloi pranë Toledos për shkak të një defekti në sinjalistikë, me urdhër të menaxherit të infrastrukturës, ADIF-it, kur u godit nga një tjetër tren i shpejtë.

Sipas këtij personi, një tren që operohet nga Renfe më pas goditi me shpejtësi të madhe trenin që kishte ndaluar, duke bërë që disa vagonë të të dy trenave të dilnin nga shinat.

As Iryo as Renfe nuk kanë komentuar publikisht për ngjarjen.

Qeveria rajonale e Kastilla-La Mança tha se numri i viktimave është të paktën 30, duke paralajmëruar se numri mund të rritet.

Jesus Perez Martin, kryetar i qytetit Los Jebenes, që gjendet në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, tha se situata është e “tmerrshme”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e Spanjës u ka bërë thirrje njerëzve që të dhurojnë gjak pas këtij aksidenti.

Nga qeveria rajonale e Kastilla-La Mança thanë se 174 persona po udhëtonin me trenin e Iryo-s dhe 397 me atë të Renfe-së.

Përplasja e dy trenave vjen nëntë muaj pas një aksidenti mes dy trenave të shpejtë – që u përkisnin dy operatorëve të njëjtë – që ndodhi në të njëjtën linjë dhe që la të vdekur 46 persona.

Aksidenti i janarit, që ndodhi pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tren që po vinte në drejtim të kundërt pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, nxiti debat për nivelin e investimeve në mirëmbajtjen e rrjetit hekurudhor gjatë viteve të fundit.

 | Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending