Connect with us

Kosovë

Kurti dhe Abdixhiku takohen të martën, PDK dhe Aleanca refuzojnë ftesën

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen të martën në përpjekje për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit pas zgjedhjeve të qershorit.

Besian Mustafa nga LDK i tha Radios Evropa e Lirë se takimi do të mbahet në orën 18:00 të së martës, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Kurti iu drejtua me ftesë edhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, por krerët e dy partive e refuzuan takimin.

Ftesa e Kurtit, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, vjen tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Në letrën që kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar Kurtit, thuhet se në takimin e parë në korrik, është bërë i qartë qëndrimi i partisë se do të qëndrojë në opozitë.

“Presim nga ju që në përputhje me përgjegjësitë që burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës, që u publikua nga mediat vendore në Kosovë.

Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, po ashtu e refuzoi takimin, sikurse kishte vepruar edhe në korrik.

Në ftesën që i ishte dërguar Aleancës, Kurti kishte propozuar që takimet të mund të mbaheshin të martën ose të mërkurën, pa ndonjë orë të caktuar.

Partia e Gjinit, në letrën që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.

Në mesin e kushteve të paraqitura nga Aleanca është pranimi i menjëhershëm i projektit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të gazit të lëngshëm natyror, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, lehtësime për bizneset e vogla, heqja e tatimit në pronë për sektorin e bujqësisë e disa të tjera.

Më 10 korrik, Kurti ishte takuar ndaras me udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Lumir Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.

LDK-ja, pas një kuvendi partiak të mbajtur ditë më parë, po ashtu konfirmoi se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit.

Partia e Abdixhikut kishte pezulluar bisedimet, pasi disa delegatë kishin iniciuar një mocion për shkarkimin e kreut të partisë. Megjithatë, Abdixhiku i mbijetoi këtij mocioni.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, çështja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit për presidentit nxiti zgjedhjet e qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Një ditë më parë, Kurti tha se ka vullnet dhe gatishmëri për marrëveshje me LDK-në.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Foda publikon listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Published

on

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në listë janë portierët Arijanet Muriq, Amir Shaipi dhe Visar Bekaj. Për repartin e mbrojtjes janë ftuar Albian Hajdari, Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi, Ron Raçi, Leard Sadriu e Dion Gallapeni.

Kurse në mesfushë janë ftuar Ermal Krasniqi, Leon Avdullahu, Baton Zabërgja, Veldin Hoxha, Vesel Demaku, Lindon Emërllahu, Donat Rrudhani, Muharrem Jashari, Valmir Matoshi, Milot Rashica dhe Edon Zhegrova.

Sulmit do t’i prijnë Vedat Muriqi, Fisnik Asllani e Albion Rrahmani.

Në këtë edicion të ri të ligës, mungojnë kapiteni i deritashëm Amir Rrahmani, i cili ka vendosur të largohet nga ekipi shkaku i pakënaqësive me FFK-në dhe Florent Hadërgjonaj, i cili u largua shkaku i pakënaqësive me shtabin teknik. Gjithashtu tash e tutje fanellën e Kosovës nuk do ta veshin as Valon Berisha dhe Fidan Aliti të cilët deklaruan se kanë përfunduar karrierën tek “Dardanët”.

Për shkak të lëndimeve mungojnë Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija dhe Kreshnik Hajrizi.

Ekipit i është bashkuar talenti i madh 17 vjeçar i Bayernit, Erblin Osmani, mesfushori Dion Kaçuri që luan tek Austria Lustenau dhe Milot Avdyli, 24 vjeç, i cili luan për Celjen në Slloveni. Më 24 shtator, Kosova pret në Prishtinë Irlandën, më 27 shtator i shkon Austrisë, më 1 tetor luan me Izraelin në Hungari ndërsa më 4 tetor Dardanët presin Austrinë në “Fadil Vokrri”.

#

Continue Reading

Kosovë

“Jo në emrin tim!”- Përfundon protesta kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kundërshtuar vendimin dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Në mesin e pjesëmarrësve në protestë janë edhe familjarët ish-udhëheqësve të UÇK-së, personalitete publike, politikanë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës, përfshirë Ramush Haradinajn.

“Jo në emrin tim!” ishte thirrja e përbashkët e të gjithë folësve në protestë, me të cilën kundërshtohet dhe refuzohet aktgjykimi i Speciales i dhënë nën siglën “Në emër të popullit të Kosovës”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi nga institucionet e shtetit të marrin parasysh kërkesat e protestuesve kurse nga gjykata ka kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dënues të Speciales. Ai gjithashtu kërkoi nga kryeministri Albin Kurti të shkarkojë ministren e drejtësisë Donika Gërvalla për shkak, siç u shpreh ai,  mos reagimit të saj në vendimin e speciales dhe pretendimit për dorëzimin e dokumentacionit në Hagë nga ana e saj.

Gucati shprehu kërkesën për sqarim edhe nga ish-ministri Liburn Aliu.

Ne sot na befason që ende institucionet nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë për çlirimtarët, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlament, i themi Albin Kurtit që këta njerëz t’i përjashtojë nga Qeveria. Njerëz që bashkëpunojnë me armikun, janë armiq të vendit dhe kombit dhe ne nuk i duam në mesin tonë”, ka thënë Gucati.

Në fund të protestës, organizatorët kërkuan nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e të pandehurve si dhe angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtar në mbrojtje të UÇK-së.

Continue Reading

Kosovë

Kurti dhe Hamza bisedojnë për vendimin e Gjykatës Speciale

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, me të cilin ka biseduar për mënyrat që duhen ndjekur “për të korrigjuar” aktgjykimin dënues ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Kadri Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.

Takimi mes Kurtit dhe Hamzës vjen disa orë pasi strukturat udhëheqëse të PDK-së u takuan dhe Hamza tha më pas për mediat se beson se do të takohet me të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike, duke argumentuar se aktgjykimi i shpallur nga Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë nuk është një çështje “që i takon vetëm një subjekti politik”.

“Besoj në bashkëpunimin mes partive politike, dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm”, deklaroi ai më herët gjatë 17 shtatorit.

Hamza u pyet edhe për mundësinë e ndonjë nisme për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

“PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave ne do të procedojmë. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje me një situatë të re. Nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë e faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt për çka edhe është krijuar Gjykata”, deklaroi ai.

Hamza ka deklaruar pas vendimit të Gjykatës Speciale se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar vendimin ndaj katërshes së UÇK-së.

Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë prezantuar të enjten një “platformë të veprimit”që përfshin, siç është thënë, qëllimet, ekipet, kërkesat dhe mjetet përmes së cilave kjo organizatë do të veprojë pas vendimit të Speciales. Në mesin e pikave të përfshira në këtë platformë janë mbrojtja në Gjykatën e Apelit të katërshes së UÇK-së dhe ndryshimin ose shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës, Kuvendi i Shqipërisë, ndërkaq, ka miratuar një deklaratë, që kërkon koordinimin e veprimeve me Kuvendin e Kosovës me qëllim “korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale”.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ata u liruan nga gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending