Connect with us

Kosovë

Kushtetuesja: Qeveria u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor

Published

on

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata ka sqaruar se afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Vendimi i publikuar pasditen e sotme vjen pas ankesave të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kishte kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Gjykata ka konstatuar se Kuvendi, i konstituuar më 13 shtator, e ka tejkaluar afatin kushtetues prej 30 ditësh. Megjithatë, deputetët duhet të zgjedhin ende nënkryetarin e dytë të Kuvendit, i cili duhet të jetë nga PDK-ja, si partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Kushtetuesja ka rrëzuar gjithashtu edhe kërkesën për masë të përkohshme ndaj punimeve të Kuvendit.

Kuvendi u konstituua më 13 shtator me votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, në mungesë të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së.

Disa orë më vonë, Kuvendi votoi edhe Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Njoftim për vendim në rastet KO256/26 dhe KO258/26

23.09.2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 23 shtator 2026, vendosi lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit nr. 11-V-002, të 9 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit; Vendimit procedural të 11 shtatorit 2026 për mënyrën e votimit të nënkryetarëve; dhe konstatimit të 13 shtatorit 2026 për konstituimin e legjislaturës XI të Kuvendit”, si dhe “Vendimit Nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga: KO256/26, Arian Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës; dhe KO258/26, Arian Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, vendosi:

  1. 1. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
  2. 2. TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  3. 3. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  4. 4. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  5. 5. TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  6. 6. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
  7. 7. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
  8. 8. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
  9. 9. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
  10. 10. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Kosovë

Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, ish-partnerit të së ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra me 18 maj të vitit 2011.

Aktakuza në mungesë është ngritur më 22 tetor të këtij viti, pasi i akuzuari ndodhej në Spanjë e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj autoritetet e kishin të pamundur ekstradimin e tij.

Sipas aktakuzës, fillimisht viktima ka raportuar tek autoritetet se nga ish-bashkëjetuesi me të cilin kishte një fëmijë, për dy vite kishte përjetuar maltretim fizik dhe psikik.

Më pas, sipas pretendimeve të viktimës, për shkak të kërcënimeve nga i akuzuari ajo kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë urdhër për mbrojtje emergjente. Edhe pse Gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve, kjo kërkesë e viktimës nuk u realizua asnjëherë.

Pas 22 ditësh, saktësisht më 18.05.2011, Dijana Kastrati pretendohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga tashmë i akuzuari Adnan Jashari.

Afërsisht një vit pas rastit, prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me mos veprimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për vendosjen e urdhrit për mbrojtje emergjente, vajzës së tyre i është cenuar e drejta themelore për jetë.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Komunale në Prishtinë kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente. 

Më pas, Gjykata e Apelit e Kosovës vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, si kompensim për dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore.

Continue Reading

Kosovë

Tre të arrestuar në Kosovë në aksionin ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime

Published

on

Tre persona u arrestuan në Kosovë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar kriminal, që u premtonte njerëzve fitime të shpejta përmes platformave të rreme të investimeve në internet.

Skema dyshohet se ka pasur viktima në të paktën 50 vende, ndërsa humbjet financiare të identifikuara nga hetuesit tejkalojnë katër milionë euro, sipas agjencisë evropiane të policisë, Europol.

Në Kosovë, Policia bastisi më 3 nëntor pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit të organizuar kriminal, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Operacioni përfshiu edhe Shqipërinë, Qipron, Finlandën, Gjermaninë, Izraelin dhe Maqedoninë e Veriut.

Në total, autoritetet kontrolluan 17 lokacione dhe sekuestruan mbi 100 serverë, si dhe prova e pasuri të tjera.

Europol-i raportoi, gjithashtu, për shtatë persona të arrestuar me qëllim ekstradimin në Gjermani, por nga njoftimet zyrtare nuk është e qartë nëse në këtë numër përfshihen edhe tre personat e arrestuar në Kosovë.

Si funksiononte mashtrimi?

Gjithçka niste me një reklamë në internet që premtonte fitime të mëdha dhe të shpejta nga investimet në kriptovaluta, aksione apo valuta të huaja.

Personat që shfaqnin interes, drejtoheshin në platforma që dukeshin si faqe të ligjshme investimesh.

Të dhënat e tyre personale më pas u shiteshin grupeve kriminale që operonin qendra të thirrjeve.

Prej aty, persona që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë, i kontaktonin dhe i bindnin të investonin.

“Viktimat fillimisht nxiteshin të transferonin një shumë të vogël. Më pas, llogaritë e tyre në internet shfaqnin fitime fiktive, duke krijuar përshtypjen se platforma ishte e besueshme dhe investimi i suksesshëm”, shpjegon Europol-i.

Të bindur se po fitonin, viktimat nxiteshin të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha, shpesh nën presion të vazhdueshëm psikologjik.

Problemi shfaqej kur kërkonin t’i tërhiqnin paratë.

Operatorët gjenin arsyetime për t’i shtyrë pagesat, derisa në fund ndërprisnin çdo kontakt.

Çfarë lidhjeje kishte Kosova me rrjetin?

Hetuesit dyshojnë se pas platformave mashtruese qëndronte një kompani që vepronte nga Qiproja dhe Izraeli dhe që furnizonte grupe kriminale me faqe të rreme për tregtim financiar.

Kompania dyshohet se u ofronte grupeve të tjera infrastrukturën teknologjike për kryerjen e mashtrimeve, sipas një modeli të njohur si ‘crime-as-a-service’, apo ofrimi i shërbimeve për veprimtari kriminale.

Hetuesit identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kompanisë, të lidhur me qendra të thirrjeve që dyshohet se përdoreshin për mashtrime në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Përmasat e veprimtarisë së dyshuar në Kosovë mbeten të paqarta.

Autoritetet nuk kanë treguar se sa persona mund të jenë mashtruar nga qendrat e thirrjeve që vepronin në vend, as sa para mund të jenë përfituar përmes tyre.

Hetimi nisi nga ankesa e një çifti gjerman

Rrjeti nisi të zbulohej në vitin 2022, kur një çift në Gjermani raportoi se nuk po arrinte t’i tërhiqte paratë e investuara përmes një platforme tregtimi në internet.

Ankesa çoi në një hetim që gradualisht zbuloi lidhje mes grupeve të dyshuara kriminale në disa shtete.

Operacioni i parë ndërkombëtar, i zhvilluar po atë vit, rezultoi me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e provave.

Analiza e materialeve ndihmoi hetuesit të identifikonin shtatë të dyshuar të tjerë, përfshirë persona që dyshohet se drejtonin qendra të thirrjeve.

Një operacion i dytë, në vitin 2025, solli arrestime të tjera dhe sekuestrimin e parave dhe provave, të cilat i çuan hetuesit te kompania që dyshohet se siguronte infrastrukturën teknologjike për mashtrimet.

Hetimi katërvjeçar u drejtua nga Prokuroria Publike e Itzehoes në Gjermani.

Operacioni i 3 nëntorit u mbështet nga Europol-i dhe Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, Eurojust, që ndihmuan në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve mes vendeve të përfshira.

Ekspertë të Europol-it u dërguan edhe në Kosovë dhe Shqipëri për të ndihmuar në analizimin e provave digjitale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending