Connect with us

Ferizaj

Banorët e Fshatit të Vjetër kundër hapësirës për varreza

Published

on

Propozim-vendimi i qeverisë lokale për ndërrimin e lokacionit të varrezave nga fshati Balaj në Fshatin e Vjetër, ka nxitur reagimet e banorëve të këtij fshati. Pas procedimit për në Kuvendin Komunal nga Komiteti për Politikë e Financa, banorët e Fshatit të Vjetër kanë mbajtur sot një protestë. Ata thanë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që parcela 5 hektarëshe në këtë fshat të shndërrohet në varreza të qytetit.

“Qeveria e re komunale ka vendosur me e prishë një vendim të mëhershëm që varrezat e qytetit të dislokohen në fshatin Balaj në një sipërfaqe prej mbi 8 hektarë, edhe pse është kryer logjistika është bërë gati, por kryetari i ri u ka premtuar banorëve se ka me i largu varrezat, e tash këqyrin diku  ku munden me i shti udhëve e me u zanë rrugën banorëve të tjerë. Nëse ata kanë pasur të drejtë të protestojnë për 8 hektarë pse ne nuk kemi të drejtë të protestojmë këtu për 5 hektarë. Ujërat këtu kullohen sepse është pozitë më e lartë dhe u hynë nëpër puse dhe në njëfarë mënyre lahen me ujë të xhenazeve, unë nuk e di pse e bëjnë këtë edhe me zgjidhë problemin për 50 vjet, siç duket kanë inate mes vete dhe hajt çka t’u bëjmë fshatarëve t’ua bëjmë këtë të zezë, t’ua mbushim me varreza për dy vjet dhe ne përgjithmonë të ballafaqohemi me varreza”, tha Xhelal Beqiri, banor i Fshatit të Vjetër.

“Mos të na detyrojnë me marrë masa më drastike, kemi arsye të plotë, ky vend nuk i plotëson kushtet është hapësirë e vogël, është në mes shtëpive, prandaj nuk e di si kanë marrë këtë vendim, fshati ka rreth 1500 banorë, është rritë fshati dhe kemi nevojë ne për varreza tona, ne kemi marrë një hektarë për varreza tona, por në të ardhmen do të rritet fshati më shumë edhe do të kemi nevojë për më tepër vend, do të jemi të gjithë së bashku pavarësisht përkatësive partiake”, tha Bajram Bucaliu, banor i Fshatit të Vjetër.

Propozim-vendimin për ndryshimin e lokacionit të varrezave të qytetit, e arsyetoi drejtori i Pronës Sabri Murseli, duke e pranuar se për një gjë të tillë nuk e kanë marrë pëlqimin paraprak të banorëve të Fshatit të Vjetër.

“Ka qenë e përshtatshme se është në afërsi të qytetit, janë disa shtëpi dhe nuk ka shumë shtëpi afër varrezave, për më tepër të njëjtit banorë që po ankohen kanë kërkuar që një pjesë e asaj parcele të destinohet për varreza, nëse nuk ish kanë e përshtatshme pse vetë ata kanë kërkuar atëherë. Komuna tani ka shqyrtuar disa alternativa, por ka ardhur në përfundim se kjo është alternativë më e mirë, duke marrë për bazë parametrat  e planit të zhvillimit hapësinor, një parcelë me sipërfaqe të tillë mund të shfrytëzohet 40 % për varreza dhe duke marrë për bazë hapësirën e varrezave aktuale në rrugën e Gjilanit, që është një hapësirë prej 7 hektarëve dhe është një hapësirë që mbi 50 vjet nuk është stërmbushur deri tani, por nuk është zgjidhje ideale, por është një zgjidhje që për momentin duhet të implementohet dhe për këtë vendos Kuvendi Komunal”, tha Murseli.

Për ndërrimin ose jo të lokacionit të varrezave të qytetit pritet të vendos të premten Kuvendi Komunal i Ferizajt.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarve për mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën prej një muaj paraburgim kundër të pandehurve A.L. dhe R.J. që dyshohen për veprën penale të mashtrimit

Në njoftimin e gjykatës bëhet e ditur se vendimi për masën e paraburgimit u morr gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Alba Makolli pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 prill 2026, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit, me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurin V.N., i cili gjendet në arrati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme (A. dhe B.), i vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F., dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”,  ashtu që për realizmin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro, të cilat të holla sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbert, i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative arrihet të zbulohet se të pandehurit përsëri do të vepronin skemën e njëjtë në një rrugë në Kaçanik, duke marr një lokal me qera dhe duke caktuar takimin në atë lokal, ashtu që pas reagimit të hetuesve policor arrihen që të njëjtit të arrestohen në vend ngjarje, ndërsa i pandehuri V.N., arrin të arratiset”, thuhet mes tjerash në njoftimim e gjykatës.

#

Continue Reading

Ferizaj

Vdekja e foshnjës në Ferizaj: Rasti po hetohet si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se kanë nisur hetimet për rastin e cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur të martën mbrëma, kur një paciente kishte lindur foshnjën e saj në tualetin e Emergjencës në Ferizaj.

Spitali i Ferizajt, përmes një komunikate ka njoftuar se pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.

Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.

Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.

Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Më tej,  Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt bëri të ditur se është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Në raportin e Policisë thuhet se “Me vendim të prokurorit, foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtejshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë, Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.”

#

Continue Reading

Ferizaj

Sekuestrohet një revole me municion dhe shurdhues në Ferizaj

Published

on

Një person është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj pas një kontrolli në shtëpinë e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz, pesë fishekë dhe një shurdhues i armës së zjarrit.

Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur mëngjesin e së dielës, më 3 maj 2026, rreth orës 8:30 në rrugën “Gucia” në Ferizaj .

Me vendim të prokurorit pas intervistimit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Trending