Connect with us

Ferizaj

Ndryshohet lokacioni i varrezave të qytetit

Published

on

Kuvendi Komunal i Ferizajt me 19 vota pro vendosi për ndërrimin e lokacionit të varrezave të qytetit nga fshati Balaj në Fshatin e Vjetër.  Deri tek miratimi i këtij vendimi pati debate të shumta për dhe kundër. Pushteti u arsyetua se ndërrimi i lokacionit vjen si kërkesë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, afër së cilës, ishte caktuar hapësira për varreza. Ekzekutivi konsideroi se parcela në Fshatin e Vjetër është më e përshtatshme për shkak se është pronë e komunës, ndodhet afër qytetit dhe në atë hapësirë ka qenë e destinuar një pjesë tjetër për varreza të fshatit.

 “Fati i keq i qytetarëve të komunës së Ferizajt ka qenë që qeverisja e kaluar për katër vite me radhë nuk ka mundur të zgjidhë problemin e varrezave dhe të spitalit dhe ne jemi ata që jemi duke u dhënë zgjidhje dhe po i mbrojmë qëllimet e përgjithshme të qytetarëve, tashmë shumë shpejt do të filloj spitali i ri edhe çështja e varrezave është çështje që për katër vite është zgjatë dhe nuk është zgjidhë. Ne jemi tek çështja e varrezave  para shkresave të FSK-së dhe askush nuk mund t’i injoroj gjurmët, janë gjurmë, dokumente të FSK-së, unë nuk e di kush ka marrë pjesë në debate, sepse nuk përcjell gjëra të tilla, por ne e dimë që janë gjurmë të shkresave të FSK-së dhe  kanë kërkuar që ajo parcelë nuk mund të shërbej si parcelë për varreza të qytetit të Ferizajt”, tha kryetari Agim Aliu.

“Ne përgjatë mandatit të kaluar ju kemi drejtuar Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e çështjes së lokacionit për varrezat e qytetit, në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës ka qenë ministri i FSK-së, ne kemi marrë pëlqim për varreza tek Kodra e Zhivës dhe në harmoni me këtë e kemi bërë debatin publik, e kemi futur në PZHK dhe është aprovuar në kuvend këtu dhe pjesë e këtyre debateve për PZHK-në kanë qenë përfaqësues të FSK-së, mandej kanë qenë pjesë rrjedhëse e hartimit të PZHK-së, të vetmin problem që  e kemi pasur me FSK-në ka qenë një shkresë që i është drejtuar komunës, por që ne e kemi zgjidhë me gjeneral Cikaqin, ku ne e kemi orientu rrezen e veprimit të poligonit të gjuetisë për shkaqe sigurie, kaq është thënë jo më shumë”, tha Muharrem Svarqa nga LDK.

Përplasje pati edhe mes atyre që mandatin e kaluar bashkëqeverisën me Ferizajn.

“Imri Hashani mos fol, kur ta kry unë dil ktu, mos u bo kastravec, ktu ka ren,  nuk je në odë të burrave, kur flasim pa ren mund të diskutojmë qysh dush”, tha Xhavit Zariqi nga AAK-ja.

Më vjen keq që një pjesë e njerëzve që kemi qenë bashkë në qeverisje nuk po tregojnë as minimumin e ruajtjes së disa interesave strategjike, kjo ma kujton Faik Konicën, kur e shkruan poezinë dhe Faiku faqen ndërron, dje shante, sot lavdëron. Nuk do të ishte mirë, por megjithatë…”, u shpreh Muharrem Svarqa.

“Na e recitoj njëfarë vargu, dje shante sot lavdëronte,  z.Svarqa unë të kam lavdëru kur ke qenë për t’u lavdëruar dhe të kam kritiku kur ke qenë për t’u kritiku, disa herë të kam thënë pse nuk fillon varrimin e të vdekurve në fshatin Balaj pas vendimit të kuvendit të komunës, unë nuk e di edhe sot pse nuk e ke fillu dhe pikërisht mosguximi juaj për të marrë hapa veprues na ka pru në këtë gjendje”,tha Xhavit Zariqi.

Opozita kërkoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, meqë e konsideroi joligjor.

 “Kërkoj të hiqet kjo pikë e rendit të ditës sa i përket varrezave, një veprim antiligjor dhe kundër PZHK-së, unë e posedoj të njëjtën situatë për ndërrimin e parcelës së spitalit dhe e kam dokumentin që është i nënshkruar dhe po fshihet ky dokument që është nënshkruar nga ministritë përkatëse që anulohet e njëjta procedurë për ndërrimin e parcelës së spitalit, ky është dokument dhe mendoj se nuk ka nevojë me i qitë në lajthitje kuvendarët e kuvendit, mendoj se është e mjaftueshme që kjo pikë  e rendit të ditës të hiqet, sepse e pret e njëjta përgjigje”, tha Gëzim Kokollari nga LDK.

“Ne bazohemi në rregulloren e Qeverisë së Kosovës e cila thotë se nëse për 15 ditë nuk kthehen përgjigjet nga ministria atëherë konsiderohen se janë akte të plotfuqishme, kështu që te ne nuk ka ardhur brenda 15 ditë asnjë përgjigje nga ministria dhe derisa bazohemi në atë rregullore konsiderojmë se ato vendime janë të plotfuqishme” ,tha kryesuesja e Kuvendit Komunal Kristina Gashi-Bytyqi.

 “Drejtoria e Urbanizmit ose ekzekutivi po përdor standarde të dyfishta, ky kuvend ka marrë vendim për rishikim të PZHK-së dhe ai vendim nuk është kthy brenda 15 dite siç është afati siç po thoni ju se heshtja është pranim dhe ka kalu 15 ditëshi, ju nuk e konsideruat si të pranuar atë rishikim të PZHK-së, e kthej ministria pas afatit 15 ditë dhe ju u obliguat me respektu, tash ju po luani me dy karta, kur po e keni në favor të juajin  po e përdorni heshtjen që është pranim, kur s’po doni s’po e përdorni”, tha  Enver Haliti nga LVV-ja.

Përveç opozitës, shtyrjen e kësaj pike të rendit të ditës për një seancë tjetër, e kërkoi edhe Nehat Mustafa i PDK-së.

“E di që është çështje emergjente, por le t’i japim edhe një rast kësaj pike, le të bëhen grupe punuese të bisedojnë me këta  banorë, ndoshta një bisedë më e përafërt do të bëj të ndryshoj qëndrimi i tyre, por edhe i joni”, tha Mustafa.

“Po më vjen mirë që pas katër vjete Nehat Mustafa e kuptova qëndrimin tënd publik për varrezat në Balaj”, tha Agim Aliu.

Pas votimit për ndryshimin e parcelës së varrezave nga fshati Balaj në Fshatin e Vjetër, pati reagime të ashpra nga banorët e Fshatit të Vjetër, të cilët brenda sallës po përcillnin punimet e Kuvendit.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Manifestimi qendror për Fitër Bajram mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

Published

on

Bashkësia Islame e Kosovës bëri të ditur agjendën për festën e Fitër Bajramit, më 20 mars 2026.

Kështu, manifestimi qendror që do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga krye imami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim Beqiri.

Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

Me fat festa e Fitër Bajramit!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e BIK-ut.

Continue Reading

Ferizaj

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për Spitalin e Ferizajt

Published

on

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e ndërtimit të objektit të ri të spitalit të Ferizajt.  

Sipas njoftimit, kontrata për “ndërtimin e objektit të spitalit të përgjithshëm në Ferizaj – vazhdim projekti” ka vlerë prej 24 milionë euro dhe spitali parashihet të finalizohet për 30 muaj.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt.

Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë euro.

Urime për të gjithë qytetarët e Ferizajt për këtë projekt të shumëpritur” ka shkruar ministri Vitia në postim.

Ndryshe, objekti i ri i spitalit të Ferizajt kishte filluar në vitin 2018 dhe vlera e projektit fillestar ishte 10.2 milionë euro. Më vonë, kësaj kontrate iu shtuan edhe 1 milionë të tjera. Asokohe kishte përfunduar vetëm ndërtimi i vrazhdë i objektit.

Punimet u ndërprenë për shkak të padive ligjore të ndërsjella mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë  ndërtuese.

Kontrata për vazhdimin e ndërtimit të spitalit është fituar nga Grupi i Operatorëve Ekonomik ADA CONSULTING GROUP SH.P.K., SHM Architecture SH.P.K. dhe Termo Consing SH.P.K”.

Continue Reading

Ferizaj

Defekt në Nënstacionin Ferizaj 1, një pjesë e qytetit mbetet pa energji elektrike

Published

on

KOSTT ka njoftuar se është shkaktuar një avari në Nënstacionin Ferizaj 1, konkretisht në transformatorin T3 (110 kV/10 kV).

Sipas njoftimit, si pasojë e kësaj avarie një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga ky transformator kanë mbetur pa energji elektrike, me një ngarkesë rreth 20 MW.

Nga KOSTT bëhet e ditur se ekipet teknike janë në koordinim me ekipet e KEDS për të siguruar furnizim alternativ me energji elektrike në kohën më të shpejtë të mundshme dhe në mënyrë të sigurt.

KOSTT u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve të prekur nga kjo ndërprerje e furnizimit me energji elektrike.

Foto – Ilustrim

#

Continue Reading

Trending