Connect with us

Ferizaj

Denohen katër policë ferizajas për keqtrajtimin e dy qytetarëve

Published

on

Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, i ka dënuar me 3 mijë e 400 euro gjobë zyrtarët policorë Fatlum Xheladini, Arian Obrazhda, Ardit Qorolli dhe Jeton Ramusholli për veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga gjyqtari i çështjes Shabi Idrizi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fatlum Xheladini dhe Jeton Ramusholli u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej 60 ditësh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarve iu është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 900 euro (secilit veç e veç).

Kurse, dy të akuzuarit e tjerë Arian Obrazhda dhe Ardit Qorolli u dënuan me nga 800 euro gjobë (secili veç e veç) për veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Të akuzuarit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa, të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë në kontest civil.

Gjykatësi Idrizi bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afatin e paraparë ligjor.

Sipas aktakuzës më 17 dhjetor 2017, rreth orës 23:30, fillimisht në afërsi të pompës së derivateve “Hib Petrol”, e cila gjendet në rrugën “Reçaku”, në Ferizaj, të akuzuarit kishin ndaluar automjetin e tipit “BMW” të cilin e ngiste Arben Bakija, në të cilin si pasagjer kishte qenë edhe Visar Neziri.

Të njëjtit, thuhet se kishin nxjerrë pasagjerin nga automjeti të cilin e kishin ndaluar, e kishin kontrolluar dhe e kishin vendosur në automjetin zyrtar të policisë, pastaj nga dritarja e kishin nxjerrë edhe Arben Bakiun, (shoferi i veturës BMW) të cilin pastaj e kishin shtrirë në tokë dhe para se ta prangosnin e kishin goditur disa herë me grushte dhe shqelma në trup dhe brinjë, në vazhdimësi edhe pas vendosjes së prangave derisa e kishin dërguar në automjet në të cilin kishin vazhduar ta godasin edhe derisa e kishin dërguar në stacionin policor në Ferizaj.

Ndërsa, Visar Neziri thuhet se derisa kishte qenë në objektet e stacionit policor në Ferizaj ishte goditur aty, fillimisht Jeton Ramusholli ia kishte kapur dy duart nga mbrapa dhe ia kishte ulur kokën, kurse Fatlumi Xheladini e kishte goditur me shuplaka, ku përveç shuplakave në fytyrë të cilat kishin qenë 3-4 herë, nga ai kishte pasur edhe goditje në bark, po ashtu edhe me shqelma në doren e majtë, ku për pasojë të dëmtuarit i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Aktakuza thotë se me datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të këtij dispozitivi, në cilësi të personit zyrtar (policë) në bashkëkryerje kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, ashtu që me rastin e arrestimit të tyre (të dëmtuarit) dhe pasi që i kishin dërguar në dhomat e stacionit policor, i kishin keqtrajtuar të dëmtuarit Arben Bakija dhe Visar Neziri, duke përdorur masa fizike dhe psiqike.

Me çka, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198, par 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, raporton betimiperdrejtesi.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Avdi H. Ahmeti

Published

on

Është ndarë nga jeta Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avdi H. Ahmeti nga Ferizaj.

Njoftimi mortor u bë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj.

Sipas njoftimit, varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën, më 04.11.2026 ora 14:15 në varrezat e lagjes Karametaj, të fshatit Greme të Ferizajt.

#

Continue Reading

Ferizaj

Ndalohet për 48 orë një person për rastin e vdekjes të punëtorit në Ferizaj

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar për ndalimin e një personi me inicialet B.T. lidhur me rastin që ka ndodhur dje rreth orës 15:50, në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, ku humbi jetën një punëtor derisa po punonte në një objekt ndërtimi.  Viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorisë, i arrestuari B.T. është ndaluar nën dyshimin për veprën penale  “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Ndalohet një person për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”

Ferizaj, 13 Tetor 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar me iniciale B.T., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën ”Cen Dugolli” në Ferizaj, rreth orës 15:50:, ku, një person, i cili po kryente punime në një objekt ndërtimi, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokurori i shtetit, pas daljes në vendin e ngjarjes, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore.

#

Continue Reading

Ferizaj

Humb jetën një punëtor në një objekt në ndërtim në Ferizaj

Published

on

Një punëtor 54 vjeç ka humbur jetën pasi dyshohet se gjatë punës të jetë rrëzuar në një objekt në ndërtim në Ferizaj.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur pasditen e sotme rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli”.  

Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe ekipet e Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e tij. Sipas policisë dyshohet se gjatë punimeve ndërtimore viktima është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum.

Në vendngjarje kanë dalë edhe hetimet rajonale dhe inspektorët e punës derisa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

Continue Reading

Trending