Connect with us

Kosovë

Kush janë 5 spiunët rusë që u shpallën non grata nga Kosova

Published

on

Gazetarja Daria Aslamova është rusja e fundit që është shpallur person i padëshirueshëm(Persona non grata) në Kosovë.

Përveç Aslamovas, vendi ynë ka shpallur non-grata edhe dy zyrtarë të Zyrës Ruse në Prishtinë dhe dy të tjerë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Aslamova me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, pasi ishte ndaluar nga policia e vendit më 6 gusht.

Sipas ministrit Xhelal Sveçla, ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh në inteligjencën ushtarake ruse, duke vepruar nën petkun e gazetares.

Si ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sveçla.

Ai shtoi se kushdo që dëshiron destabilizimin e vendit do të përballem me forcën e ligjit.

52-vjeçarja nga Rusia, është korrespodente speciale për të përditshmen ruse Komsomolskaya Pravda. Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.

Ajo ka punuar edhe në Ukrainë si korrespodente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad. Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.

Në ditën e fundit të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kishte marr vendim që ta largoj nga vendi zyrtarin rus të UNMIK-ut, Andrey Antonov.

Nga njoftimi i dhënë, Antonov ka qenë i angazhuar në zmadhimin e elementit pro-rus në bllokadat që ishin bërë në veri të Kosovës në shtator të 2021-së, kur serbët po kundërshtonin masat për reciprocitet me targa.

Zyrtari rus Antonov për herë të parë në Kosovë kishte ardhur në vitin 2001, si pjesë e misionit me policisë ruse, i cili kishte qëndruar vetëm rreth një vit. Më pas, ai ishte kthyer në vitin 2005 deri në vitin 2008, për t’u vendosur përfundimisht në vitin 2011 për të jetuar në Graçanicë më bashkëshorten e tij Natasha.

Natasha për mediet serbe kishte shpjeguar lidhjen që kanë për kishat ortodokse serbe.

“Këtu në Graçanicë kumbarët tanë janë Dushica Smigiq dhe Darko Stankoviq, i cili është i martuar me rusen Julia. Kemi në plan të rrimë me ta gjithë jetën, edhe nëse një ditë kthehemi në Rusi, qysh atëherë, ndoshta më shumë se tani, ata do të kujdesen për kishat serbe dhe ortodokse në Kosovë”, pati thënë ajo.

Në dokumentarin VIRUSSIA, pjesa që flet për sigurinë, tregohet se UNMIK-u po përdoret për të pamundësuar shtrirjen e ligjit në veri të Kosovës dhe se zyrtarët rus në këto misione ndërkombëtare janë të involvuar për qëllime të tjera.

Po ashtu, në fund të majit 2019, zyrtari rus i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov ishte shpallur non-grata pasi që ishte përfshirë në pengimin e institucioneve, duke qenë pjesë e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Krasnoshchenkov kishte marr pjesë në vendosjen e barrikadave në veri, duke penguar policinë. Madje, në automjetin e tij të UNMIK-ut ishte gjetur edhe sharra motorike, me të cilën ishin prerë drurë për t’i bllokuar rrugët.

Përveç shpalljes non-grata së këtyre zyrtarëve të UNMIK-ut, Kosova kishte urdhëruar largimin nga vendi edhe të Denis Vangerskiit dhe Alexey Krivosheevit, zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Kjo kërkesë ishte bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Kryvosheev ishte shpallur persona non grata edhe nga autoritetet e Shqipërisë. Para se të shërbente në Tiranë, diplomati rus kishte shërbyer në shtetet e Ballkanit, përkatësisht në Maqedoni të Veriut. /Telegrafi

Kosovë

Gjykata Speciale: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë për të paktën dy muaj

Published

on

Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, ish-president; Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarë; dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt dhe aktgjykimi pritej këtë muaj.

Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) të mërkurën se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”, tha Griep për REL-in.

Që të katërtit i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe u deklaruan përsëri të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në shkurt.

Prokurorët, ndërkohë, kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë prej vitit 2020.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbanin përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e kanë mohuar fajësinë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

KEDS-i gjobitet përsëri me mijëra euro për parregullsi me njehsorë elektrikë

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), tha të hënën se e ka gjobitur Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për herë të dytë me mijëra euro, pasi ka gjetur se dhjetëra njehsorë të saj elektrikë kishin afat të skaduar të vlefshmërisë.

Ministria tha në një njoftim se shpërndarësi i rrymës është gjobitur me 90.000 euro për 18 njehsorë me afat të skaduar dhe i ka kërkuar KEDS-it t’i dëmshpërblejë “menjëherë” konsumatorët e dëmtuar.

Gjoba vjen pas verifikimit të ankesave të konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë gjatë muajit prill, tha MINTI.

“Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë. Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Testimet laboratorike në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë zbuluar devijime kohore në 38 prej njehsorëve, ndërsa 18 njehsorë kishin afat të skaduar.

“Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar”, theksoi MINTI.

KEDS – shpërndarësi i vetëm i rrymës në vend – ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se do të dëmshpërblehen të gjithë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë e mundshme tarifore në faturimin e energjisë elektrike.

Kjo është gjoba e dytë me të cilën goditet KEDS-i pas asaj në mes të prillit, kur u ndëshkua me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Gjobat vijnë disa javë pasi parregullsitë në njehsorët elektrikë u gjetën së pari nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale.

Ato publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në përgjithësi – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.

Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Shpërndarësi i rrymës i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.

Ndërkohë, në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Një punëtor humb jetën nga rrokullisja e kamionit në Meqë të Gjakovës  

Published

on

Një person ka humbur jetën në fshatin Meqë të Gjakovës, si pasojë e rrokullisjes të një kamioni transportues.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 09:55.

“Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës.  

Pas intervenimit të njësiteve policore, zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë, është konstatuar se personi i zënë nën kamionin e rrokullisur ka ndërruar jetë.

Continue Reading

Trending