Connect with us

Kosovë

Rivarrosen tre martirë të fshatit Smirë

Published

on

Në fshatin Smirë të Vitisë është bërë rivarrimi i tre martirëve smirasë Avdi, Daut dhe Ali Aliu të cilët ishin vrarë në vitin 1912 nëpër shtëpitë e tyre. Eshtrat e këtyre tre martirëve që deri sot ishin të varrosur nëpër oborret e shtëpive të tyre nga sot do gjenden në varrezat e fshatit Smirë.

Në ceremoninë e rivarrimit, familjari Bajram Aliu, tha se ndjehet i nderuar që në këtë përvjetor po rivarrosen eshtrat e familjarëve të tij.

Okuaptori serb nuk ka zgjedhur njerëz, por kënd e ka gjetur e ka asgjësuar, kështu edhe familja ime e ka përjetuar një gjë të tillë. Familja ime ka pasur 5 meshkuj, babai im ka qenë në atë kohë 12 vjeç dhe ka arritur të shpëtoj, ndërsa katër i kanë pushkatuar dhe ne sot do t’u bëjmë një nder atyre për rënien e tyre heroike”, tha Bajram Aliu.

Historiani Nazif Laçi, tha se në vitin 1912 në fshatin Smirë  okupatori serb kishte filluar masakrat pikërisht nga familja Aliu.

 “Ushtria serbe kishte filluar masakrat në fshatinë Komogllavë, Trestenik Goshicë dhe erdhi deri në Smirë dhe masakrat në Smirë kanë filluar pikërisht tek mahalla e Aliajve, ku nëpër oborre të shtëpive janë vrarë njerëz, kështu edhe familja Aliu humbi katër martirë të cilët u vranë nga pushtuesi serb”, tha ai.

Në rivarrimin e këtyre martirëve smirasë, morën pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lufta jonë i ka rrënjët shumë herët, ajo që kemi përjetuar në vitet e  90-99 nuk është e para dhe e fundit, edhe pse  e fundit po shpresojmë se po, por shumë para kësaj ka pasur shumë dëshmorë në gjenerata të tëra derisa kemi arritur në momentin kur i gjithë populli zgjohemi në këmbë dhe fitojmë mbi pushtuesin e vet”, tha deputeti Liburn Aliu.

‘’Smira një vend i lashtë ilir ka dhënë shumë atdhetarë të cilët kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës si  kundër Perandorisë Osmane po ashtu edhe gjatë pushtimit serb, prandaj ne jemi sot këtu për t’i nderuar të gjithë ata që kontribuan për vendin”, tha deputeti Ismail Kurteshi.

Sipas familjarëve, në tetor të vitit 1912 bashkë me Avdi, Daut dhe Ali Aliun, ishte vrarë edhe Elmaz Aliu, eshtrat e së cilit nuk janë gjetur kurrë.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Gjykata Speciale: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë për të paktën dy muaj

Published

on

Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, ish-president; Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarë; dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt dhe aktgjykimi pritej këtë muaj.

Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) të mërkurën se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”, tha Griep për REL-in.

Që të katërtit i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe u deklaruan përsëri të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në shkurt.

Prokurorët, ndërkohë, kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë prej vitit 2020.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbanin përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e kanë mohuar fajësinë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

KEDS-i gjobitet përsëri me mijëra euro për parregullsi me njehsorë elektrikë

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), tha të hënën se e ka gjobitur Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për herë të dytë me mijëra euro, pasi ka gjetur se dhjetëra njehsorë të saj elektrikë kishin afat të skaduar të vlefshmërisë.

Ministria tha në një njoftim se shpërndarësi i rrymës është gjobitur me 90.000 euro për 18 njehsorë me afat të skaduar dhe i ka kërkuar KEDS-it t’i dëmshpërblejë “menjëherë” konsumatorët e dëmtuar.

Gjoba vjen pas verifikimit të ankesave të konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë gjatë muajit prill, tha MINTI.

“Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë. Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Testimet laboratorike në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë zbuluar devijime kohore në 38 prej njehsorëve, ndërsa 18 njehsorë kishin afat të skaduar.

“Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar”, theksoi MINTI.

KEDS – shpërndarësi i vetëm i rrymës në vend – ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se do të dëmshpërblehen të gjithë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë e mundshme tarifore në faturimin e energjisë elektrike.

Kjo është gjoba e dytë me të cilën goditet KEDS-i pas asaj në mes të prillit, kur u ndëshkua me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Gjobat vijnë disa javë pasi parregullsitë në njehsorët elektrikë u gjetën së pari nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale.

Ato publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në përgjithësi – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.

Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Shpërndarësi i rrymës i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.

Ndërkohë, në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Një punëtor humb jetën nga rrokullisja e kamionit në Meqë të Gjakovës  

Published

on

Një person ka humbur jetën në fshatin Meqë të Gjakovës, si pasojë e rrokullisjes të një kamioni transportues.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 09:55.

“Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës.  

Pas intervenimit të njësiteve policore, zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë, është konstatuar se personi i zënë nën kamionin e rrokullisur ka ndërruar jetë.

Continue Reading

Trending