Connect with us

Kosovë

BE: Serbia të bashkëpunojë pa kushte për hetimin e sulmit në Banjskë

Published

on

Bashkimi Evropian pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator, sulme të cilat BE-ja i quajti terroriste.

Në këtë rast, askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst. Këtë e ka thënë të hënën, në një konferencë me gazetarë në Bruksel zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia në hetime pasi Beogradi thotë se nuk e njeh Kosovën. Beogradi po ashtu ka deklaruar se nuk do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Rezultati i hetimeve po pritet në BE edhe për të sqaruar nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Një numër i madh shtetesh kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, por Komisioni Evropian dhe disa vende anëtare po hezitojnë me arsyetimin se “duhet pritur përfundimin e hetimeve për të parë se a ka pasur lidhje Serbia me këtë akt”.

“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime”, ka thënë Stano.

Ai nuk ka dashur të flasë konkretisht se a është duke luajtur BE-ja rolin e lehtësuesit në hetime pasi autoritetet e Serbisë dhe të Kosovës nuk kanë kontakte direkte. Stano nuk u është përgjigjur as pyetjeve se a ka BE-ja informata nga Beogradi nëse është akuzuar dikush tjetër për këtë akt përveç Radoiçiqit, që veçse e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai ka përsëritur disa herë se “kjo është një çështje shumë serioze dhe do të ketë pasoja pasi të kryhen hetimet”.

“Ajo që ndodhi më 24 shtator është diçka aq serioze sa që duhet të sqarohet në tërësi, sepse do të ketë pasoja. Nuk dua të hyj në komente individuale në këtë fazë të hetimeve, sa njerëz ishin përfshirë e sa jo. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Është shprehur para palëve disa herë e ai është se presim bashkëpunim nga Serbia dhe nga cilado palë që mund të kontribuojë që sa më shpejt të sqarohet ajo që ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë dhe kush e orkestroi atë. Dhe, në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, ndaj dialogut dhe ndaj rajonit”, ka thënë ai. Zëdhënësi i BE-së ka thënë se edhe në takimet e shumta që janë zhvilluar në fund të javës së shkuar në margjinat e samitit në Granada të Spanjës, përfshirë takimet që përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përsëritur thirrja për hetimin e sulmit, por edhe për kthim në dialog dhe për uljen e tensioneve.

/REL/

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.

Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Continue Reading

Kosovë

Sot nga ora 16:00 mbahet marshi protestues “Jo në emrin tim!”

Published

on

Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.

Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.

#

Continue Reading

Trending