Teatri “Adriana” ka njoftuar se premiera e shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është shtyrë për datën 14 qershor 2025, shkaku i pengesave institucionale që trupa ka hasur gjatë përgatitjes së kësaj premiere.
Sipas deklaratës për media, gjatë përgatitjeve për premierën e kësaj shfaqjeje, të caktuar fillimisht për 7 qershor, trupa është përballur me kërkesa për ndërhyrje në tekstin e shfaqjes, mungesë të papritur të buxhetit për materiale skenike dhe pengesa të tjera që, sipas tyre, përbëjnë “një sabotim të heshtur” ndaj artit dhe lirisë krijuese.
Megjithatë, nga teatri konfirmojnë se premiera e shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Agon Myftarit, do të mbahet në datën e re, edhe nëse u duhet të riciklojnë kostume dhe skenografi nga prodhime të mëparshme.
Teatri thekson se këto pengesa janë një formë e censurës indirekte ndaj lirisë krijuese, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lirive artistike dhe të shprehjes në Kosovë.
“Është paradoksale dhe shqetësuese se si disa individë marrin bajrakun e patriotizmit duke akuzuar tërthorazi artistët si antikombëtarë, dhe në emër të një lloj nacionalizmi primitiv, përpiqen të kufizojnë të drejtën krijuese — për të cilën të njëjtët kanë luftuar në vitet 1998–1999”, thuhet më tej në deklaratë, përmes së cilës, aktorët dhe regjisori i bëjnë thirrje publikut dhe komunitetit artistik të mbështesin shfaqjen dhe të qëndrojnë kundër çdo censure.
“Më 14 qershor, në skenën e Teatrit ‘Adriana’, nuk do të shfaqet vetëm një vepër. Do të shfaqet vetë qëndrimi ynë ndaj lirisë”, thuhet mes tjerash në deklaratë.