Connect with us

Kosovë

Mbahet seanca fillestare për masakrën e Mejës

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës.

Gjykimi për këtë rast zhvillohet në mungesë dhe të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre gjatë seancave gjyqësore.

Avokatët e të akuzuarve kanë 30 ditë kohë që të ankohen ndaj pretendimeve të prokurorisë.

Masakra e Mejës ka ndodhur në prill të vitit 1999, kur 370 shqiptarë të Kosovës u vranë. Trupat e tyre më pas u gjetën në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Gjatë seancës fillestare, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, konstatoi se asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në gjykatore dhe se gjykata nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.

“Mbahet gjykimi në mungesë ndaj Momir Stojanoviq dhe të tjerëve”, tha gjyqtarja, teksa argumentoi vendimin e gjykatës se kushtet juridike të plotësuara që ky gjykim të mbahet në mungesë.

Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë, është ndër të dyshuarit kryesor për masakrën e Mejës.

Aktakuza për këtë rast është ngritur dhjetorin e vitit 2023 dhe është plotësuar në prillin e vitit pasues.

Në mesin e atë akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat e tjera në Gjakovë janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë.

Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve.

Gjykimet në mungesë në Kosovë janë mundësuar që të mbahen pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale më 2022. Gjykime të tilla mund të mbahen vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shterur të gjitha mjetet për të për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Kodi i Procedurës Penale thotë se personat që gjykohen në mungesë, për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga ndryshimet që mundësuan gjykimet në mungesë deri në shkurt të këtij viti, janë ngritur 15 akuza në mungesë kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë u shqiptua dhjetorin e vitit 2024, kundër Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime kundër popullatës civile në Shtime më 1999.

\Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Rinumërimi i votave u përmbyll në 34 komuna

Published

on

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani (29.01.2025 13:11),  janë rinumëruar 89,21 % e vendvotimeve apo 2 mijë e 281 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë në total.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  procesi i rinumërimit është përmbyllur në 34 komuna.

Bazuar në dinamikën e procesit, rinumërimi mund të përfundojë pasditen e sotme, ose më së voni të premten, më 30 janar 2026.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria në Prizren thotë se të dyshuar të tjerë po intervistohen mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.

Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.

Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.

Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.

Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.

Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.

Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.

Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.

Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Autoritetet kryejnë aksion në Malishevë mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Autoritetet për zbatimin e ligjit janë duke e kryer një aksion në komunën e Malishevës – si pjesë e një hetimi për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – i cili nxiti rinumërim të plotë të votave, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, i tha REL-it persona të dyshuar janë duke u marrë në pyetje lidhur me dyshimet se kishin falsifikuar vota brenda partive politike të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Domi nuk tregoi se sa të dyshuar po merren në pyetje dhe kush mund të jenë ata, e as nuk dha hollësi të tjera rreth aksionit, duke thënë ai është në zhvillim e sipër.

Megjithatë, në hetimet e deritanishme për manipulim të votave, të dyshuar që janë marrë në pyetje kanë qenë komisionerë dhe vëzhgues që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në numërimin e votave.

“Tani për tani mund të them vetëm kaq. Më shumë hollësi do t’i bëjmë të ditura pasdite”, tha Domi.

Rinumërimi në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë. Të paktën tre kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 700 votat secilit në këtë komunë.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Nisma, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Ky operacion është i dyti i këtij lloji si pjesë e një hetimi të gjerë për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Kosovës.

Një operacion i ngjashëm u krye javën e kaluar në Prizren, ku u arrestuan 109 të dyshuar, prej të cilave 23 u dërguan në paraburgim nën dyshimin se kishin manipuluar vota të kandidatëve për deputetë.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur të martën se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave.

Por, derisa rinumërimi ka vazhduar drejt përfundimit, edhe hetimet e autoriteteve për zbatim të ligjit po zgjerohen.

Përveç Prizrenit dhe Malishevës ku tashmë janë zhvilluar operacione, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending