Connect with us

Kosovë

Qeveria e Kosovës nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës

Published

on

Procesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare – do të fillojë në pasditen e 1 korrikut, ka bërë të ditur Qeveria në detyrë.

Gurthemelet e dy urave të reja, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, do të vendosen të martën, në orën 17:00.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Qeveria në detyrë e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave është iniciuar me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.

Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.

Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:

“Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”.

Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.

Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.

Një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.

Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, ka thënë Millunoviq.

“Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, është shprehur ai për Radion Evropa e Lirë.

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka thënë se mbështet çdo ndërtim urash, pasi ato janë simbol i lidhjes mes njerëzve, kulturave dhe dallimeve, por ka shtuar se për momentin, ka çështje më me prioritet për t’u trajtuar.

Qyteti i Mitrovicës u nda në periudhën e pasluftës, ndërsa në vitin 2013 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna: Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare, dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe.

Në mes të qershorit të 2025-tës u formua edhe një bord i përbashkët i këtyre dy komunave, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim “përafrimin e qytetarëve”.

Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare.

Misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR – ushtarët e të cilit janë të stacionuar në urën kryesore mbi lumin Ibër – kishte thënë atëkohë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret brenda kornizës së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ka rrezik real nga hapja e urës në Mitrovicë, i cili mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më pas se Qeveria e tij do t’i vazhdonte konsultimet dhe koordinimin në lidhje me hapjen e urës, duke theksuar se kjo çështje nuk është e drejtuar kundër askujt.

Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.

Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.

Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.

\ Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.

Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Continue Reading

Kosovë

Sot nga ora 16:00 mbahet marshi protestues “Jo në emrin tim!”

Published

on

Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.

Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.

#

Continue Reading

Trending