Connect with us

Kosovë

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së: Sot dëshmia e një britaniku

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas dëshmive të ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, Paul Williams, sot do të dëgjohet edhe një dëshmitar i tretë.

Bëhet fjalë për një britanik, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të japë dëshminë e tij.

Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim.

Dy dëshmitarë të tjerë do të paraqiten nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ende nuk ka thirrur dëshmitarë.

Dëshmia e mbrojtjes nisi javën e kaluar me Rubinin, i cili gjatë tri ditëve foli kryesisht për rolin e Thaçit në luftë.

Sipas tij, Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së, por çdo vendim i rëndësishëm ushtarak duhej të miratohej nga komandantët.

Ai tha se nuk kishte asnjë informacion që lidhte Thaçin ose Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Williams, gjatë dëshmisë së tij, tha gjithashtu se Thaçi përfaqësonte UÇK-në si negociator i besueshëm, por nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët rajonalë.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohet një person në Ferizaj pasi sulmoi babanë e ish-bashkëshortes

Published

on

Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Kanosje”, pas një incidenti në rrugën Prishtinë–Shkup, më 15 maj 2026.

Sipas policisë, i arrestuari me inicialet R.S., dyshohet se ka bllokuar me veturë viktimën A.T. dhe më pas e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Viktima mori trajtim në Spitalin e Ferizajt, ndërsa gjatë hetimeve, ish-bashkëshortja e të dyshuarit deklaroi se ishte kanosur përmes telefonit dhe dorëzoi audio-incizime si dëshmi.

Policia bëri të ditur se i dyshuari gjatë intervistimit dhe në prani të avokatit e ka pranuar veprën.

Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë.

Continue Reading

Kosovë

Ndërroi jetë profesor Dr. Alush Gashi

Published

on

Ka ndërruar jetë në moshën 74 vjeçare, Profesor Dr. Alush Gashi, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë.

Lajmi për vdekjen e profesorit dhe politikanit të shquar u bë i ditur nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.    

Alush Gashi studioi mjekësinë në Universitetin e Prishtinës më 1974 dhe përfundoi doktoratën në moshën 28 vjeçare në Zagreb më 1979, duke u bërë kështu doktori më i ri i shkencave në fushën e anatomisë në Evropë

Gjatë jetës së tij, Alush Gashi ka qenë dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, këshilltar i presidentit dr. Ibrahim Rugova, anëtar i Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, anëtar i Kryesisë së LDK-së, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i LDK-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Në zgjedhjet e vitit 2007, Gashi,  ishte ndër përfaqësuesit më të votuar në parlamentin e Kosovës. Ai ishte nënshkrues i deklaratës së pavarësisë, dhe ndërmjet nëntorit 2007 dhe prillit 2010  mbajti edhe postin si ministër i shëndetësisë.

Në qershor të vitit 2021, Prof. Dr. Gashi themeloi Institutin për Marrëdhënie me Jashtë (Institute of Foreign Relations), ku si institucioni i parë i llojit të tillë,  kishte synim të nxisë një debat intensiv mbi politikën e jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Kosovë

Kos bën thirrje për institucione të qëndrueshme, në mënyrë që Kosova të ecë përpara drejt BE-së

Published

on

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, i ka bërë thirrje spektrit politikë në Kosovë gjatë një vizite në Prishtinë të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian.

Kos – në vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës më 2024 – u prit të premten nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, para se të takohej me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Duke folur në një konferencë për media përkrah Kurtit, Kos tha se “nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën”.

Por, ajo tha se Kosova – e cila ende nuk e ka statusit e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllok, duhet të ketë sa më parë institucione të qëndrueshme dhe funksionale.

“Thirrja ime e qartë në këtë vizitë është për të gjithë aktorët politikë për ta gjetur një mënyrë për ta kthyer stabilitetin institucional”, tha Kos.

Vizita e saj po zhvillohet në një kohë kur vendi ka institucione në detyrë pasi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 7 qershor.

Këto janë zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, të cilat kanë ngadalësuar reformat kyç dhe kanë krijuar kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Kos tha se shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe Kosova duhet ta zërë hapin pas një vitit të humbur më 2025.

“Është e rëndësishme që pasi të bëhet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe t’i themelojnë të gjitha institucionet, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri përmes kompromisit dhe t’i japin fund këtij ngërçi të gjatë institucional”, tha ajo.

“Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane. Dhe për mua personalisht, unë jam e etur për ta rritur intensitetin e punës me Kosovën pasi të jenë formuar institucionet e reja”, theksoi Kos.

Kurti, në anën tjetër, tha se “patëm një takim produktiv dhe të drejtpërdrejtë”.

Ai tha se në takim me Kosin e ngriti çështjen e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të hapjes së negociatave me bllokun.

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të reflektojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate”, tha Kurti.

Kurti theksoi se vendi po punon me shtetet anëtare, por kërkoi nga BE-ja ta shtyjë përpara unitetin brenda bllokut për çështjen e Kosovës.

“Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që lë Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakeq, të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, tha ai.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Ndër pengesat kryesore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së është edhe mosnjohja e pavarësisë së saj nga katër vendet anëtare, Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Ndërkohë, kjo ishte vizita e parë e Kosit në Kosovë qëkurse ajo e mori detyrën në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.

Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.

Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që e ka shoqëruar Kosovën gjatë muajve të fundit.

Një vizitë e Kosit në Prishtinë ishte planifikuar për 12 mars, por ajo u anulua pasi ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 6 mars vendosi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, javën e kaluar burime në Bruksel i thanë Radios Evropa e Lirë se tani vlerësohet se vizita duhet të zhvillohet pavarësisht gjendjes politike, pasi nuk pritet që ajo të ndryshojë thellësisht në një periudhë të shkurtër.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending