Connect with us

Kosovë

Nis rinumërimi i votave në tri komuna dhe i atyre me kusht

Published

on

Rinumërimi në disa vendvotime dhe numërimi i votave me kusht për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka filluar të martën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi përfundoi numërimi i votave me postë nga jashtë Kosovës, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës përfundoi të hënën rreth mesnatës, sipas KQZ-së.

Mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Ndërkohë, rinumërimi ka nisur në tri komuna pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

Rinumërim do të ketë në dy vendvotime në Mitrovicën e Jugut, në të cilën nuk pati fitues në rundin e parë, pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, zhvilluan një garë të ngushtë kokë me kokë dhe do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit.

Javën e kaluar, autoritetet njoftuan se kishin nisur mbledhjen e të dhënave lidhur me dyshimet për keqpërdorime të mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Për këtë komunë pati dallime të mëdha mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në Kamenicë do të ketë rinumërim në një vendvotim, i cili nuk pritet të ketë ndikim në rezultat, pasi kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj e fitoi garën qysh në rundin e parë me mbi 51 për qind të votave të fituara.

Gjithashtu rinumërim do të ketë në një vendvotim në Podujevë, ku garën e fitoi bindshëm po ashtu një kandidat i LVV-së qysh në rundin e parë, Shpejtim Bulliqi.

KQZ-ja tha në njoftim se të martën do të nisë edhe numërimi i votave nga procesi i votimit me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Votim me kusht ka pasur në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve, tha ajo.

Sipas të dhënave të KQZ-së, janë 2.119 zarfe me fletëvotime me kusht, ndërsa 3.467 njerëz ishin regjistruar si votues me nevoja të veçanta.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor, por në shumicën e komunave do të ketë një rund të dytë më 9 nëntor, pasi ato nuk arritën t’i zgjidhnin kryetarët e tyre në rundin e parë.

Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.

Sipas KQZ-së, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në rundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet edhe rundi i dytë.

Praktikat e mëparshme kanë treguar se fitorja në rundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Një punëtor humb jetën nga rrokullisja e kamionit në Meqë të Gjakovës  

Published

on

Një person ka humbur jetën në fshatin Meqë të Gjakovës, si pasojë e rrokullisjes të një kamioni transportues.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 09:55.

“Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës.  

Pas intervenimit të njësiteve policore, zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë, është konstatuar se personi i zënë nën kamionin e rrokullisur ka ndërruar jetë.

Continue Reading

Kosovë

Ulutash: Situata e sigurisë e brishtë, me potencial për tensione të reja në veri të Kosovës

Published

on

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, tha se që nga tetori i vitit 2025, situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por me potencial që të ketë tensione të reja.

“Ne nuk kemi parë përsëritje të dhunës, siç kemi parë më 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçmas në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë në NATO në Bruksel më 29 prill.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, më 2023, fillimisht në maj, kur serbët lokalë kundërshtuan nisjen e punës të kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri, të cilët u zgjodhën pasi serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet lokale.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Më herët gjatë këtij viti, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se ende pret që Serbia të përcaktojë përgjegjësinë për Banjskën.

Ulutash gjatë takimit në Bruksel po ashtu tha se ka nevojë “urgjente për një zgjidhje afatgjatë politike”.

“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fund, stabiliteti varet kur të gjitha palët zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, nuk është ushtarake. KFOR do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces”, tha Ulutash.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011.

Një sërë marrëveshjesh janë arritur përgjatë viteve të dialogut, por shumë nga to nuk janë zbatuar në terren.

Megjithatë, takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president

Published

on

Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk identifikuan një figurë unifikuese për kandidat për president të vendit, duke bërë që shteti të organizojë zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.

Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.

“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin një president të ri të vendit brenda afatit kushtetues dhe, në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill.

Tani, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pas takimitme partitë politike – që do të mbahet sot – do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Janë vetëm dy data kur mund të mbahen zgjedhjet: 31 maj dhe 7 qershor.

Natën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet tërhoqi dy kandidaturat partiake, përkatësisht emrin e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, dhe më pak se një orë më vonë prezantoi dy kandidate për presidente, që të dyja aktiviste për të drejtat e njeriut: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Por, partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën plenare që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe përfundoi mesnatën e 28 prillit – kur ishte edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti – në këtë rast LVV – t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.

Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.

Afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.

Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli një dekret për zgjedhjet e reja. Por, vendimi u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. Gjykata më e lartë në vend tha se deputetët kishin afat 34 ditë që të zgjidhnin një pasues të Osmanit.

Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending