Connect with us

Kosovë

Supremja shfuqizon nenin që kufizonte të drejtën e veteranëve të UÇK-së për përfitimin e pensionit

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar të martën një nen të një udhëzimi administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paraqisnin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.

Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2025 i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) kishte vendosur si kusht që veteranët, për të përfituar kompensim financiar, duhet të dëshmonin me dokument nga Administrata Tatimore e Kosovës se nuk janë të punësuar.

Gjykata Supreme ka vendosur se ky kusht është i paligjshëm, sepse ligji në fuqi, neni 16A, paragrafi 5, nuk ua ndalon veteranëve që janë të punësuar në sektorin privat të përfitojnë nga pensioni.

Sipas ligjit, vetëm ata që janë të punësuar në institucione publike ose ndërmarrje publike, pra që paguhen nga buxheti i shtetit, përjashtohen nga përfitimi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së, e cila e kishte paditur Ministrinë për këtë udhëzim, e përshëndet vendimin e Supremes në një shkrim në Facebook.

“Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve”, tha kjo organizatë.

Supremja tha se, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një “paqartësi dhe konfuzion juridik” në lidhje me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

“Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në vendim.

Gjykata vendosi se e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës, pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Ajo i kërkoi Ministrisë ta shfuqizojë ose harmonizojë me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar të vitit 2017 udhëzimin administrativ të vitit 2015, në lidhje me kushtin që një veteran të mos jetë në marrëdhënie pune për përfitimin e kompensimit.

Veteranët e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilët janë të papunësuar, marrin pension mujor që nga viti 2015.

Sipas të dhënave shtetërore, nga rreth 46 mijë veteranë të regjistruar, rreth 37 mijë përfitojnë një pension prej 204 eurosh.

Sipas Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, ekzistojnë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së.

Po sipas të njëjtit ligj, vetëm ata që e kanë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së kanë të drejtë në pension dhe përfitime shtesë, ndërsa kategoritë tjera vetëm në përfitime të parapara me ligj.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Pagesa 100€ për punëtorët privat ekzekutohen të hënën

Published

on

Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati ka njoftuar se pagesa prej 100 € për punëtorët e sektorit privat do të ekzekutohen të hënën, kurse pagesa për studentët që kanë aplikuar, do të ekzekutohen sapo të pranohen konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë.

Përmes një postimi në facebook, Murati bëri të ditur se “që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat dhe studentët.

Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën.

Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim”, ka shkruar Murati në Facebook.

Continue Reading

Kosovë

Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht udhëzimin për xhamat e errët

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullon përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke konstatuar se disa nga kufizimet e vendosura nuk kishin bazë ligjore.

Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e iniciuar nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “Tri Pika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kishin kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, që kishte të bënte me ndalimin e vendosjes së materialeve të errësuara apo xhamat e errësuar në automjete.

Në aktgjykim shpallen të paligjshëm dhe shfuqizohet paragrafi 1, 3 dhe 4 i nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ.  

Paragrafi 1 lejonte xhamat e errët vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.

Gjithashtu është shfuqizuar edhe paragrafi 4 i këtij neni, i cili i jepte Ministrit të Punëve të Brendshme kompetencën për të lejuar përjashtime nga ndalimi.

Gjykata ka lënë në fuqi vetëm paragrafin 2 të nenit 7, pasi ai ka karakter teknik dhe administrativ, duke rregulluar vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime që bien ndesh me ligjin.

Në arsyetim të aktgjykimit, Gjykata vlerësoi se dispozitat e shfuqizuara krijonin kufizime të reja që nuk burojnë nga ligji, duke theksuar e organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar kufizime të reja që nuk mbështeten në autorizim të qartë ligjor.

Continue Reading

Kosovë

Sot fillon edhe numërimi i votave të diasporës  

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike do të fillojë sot, nga ora 16:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Për zgjedhjet e 7 qershorit, për të votuar përmes postës, ishin regjistruar 104 mijë e 480 votues, ndërsa 22 mijë e 414 persona kanë votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në mbarë botën.

Sipas KQZ-së, në procesin e vlerësimit të votave nga diaspora të dërguara me postë, që ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar, deri më 10 qershor janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755 pako.

“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndërkohë, në 28 komuna ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, derisa numërimi vazhdon në Ferizaj, Prizren, Prishtinë, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Gjilan, Gjakovë, Fushë-Kosovë, Suharekë dhe në Vushtrri.

Sipas dinamikës së deritanishme, në shumicën e këtyre komunave, numërimi i përgjithshëm pritet të përfundojë pasditen e sotme.  

Continue Reading

Trending