Connect with us

Kosovë

Osmani thotë se zgjedhjet do të mbahen më 28 dhjetor

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërbëri Kuvendin e Kosovës, i cili nuk arriti të zgjidhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Gjatë një konference për media, pas takimit që më herët gjatë ditës mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.

“Zgjedhjet lokale nuk kanë përfunduar akoma sa i përket procedurës së certifikimit. Para fillimit të fushatës janë një sërë veprimesh, që janë regjistrimi i subjekteve dhe koalicioneve, certifikimi i kandidatëve, hedhja e shortit e veprime të tjera. Për më tepër, duhen së paku dy javë kohë për të mundësuar votimin jashtë vendit dhe sipas ligjit, shtetasve që jetojnë jashtë vendit duhet dhënë së paku 15 ditë afat me qëllim të aplikimit dhe regjistrimit për të votuar”, tha Osmani.

“Në mesin e këtyre janë edhe procedura tenderuese e çka jo tjetër. Pra, të gjitha këto e bëjnë praktikisht të pamundshme edhe datën 21 dhjetor, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi Osmani teksa arsyetoi vendimin e saj për datën 28 dhjetor.

Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë “të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve”.

Ajo e cilësoi si “fat të keq” që vendi po mban sërish zgjedhje parlamentare.

Osmani u pyet nëse “po i shërben Lëvizjes Vetëvendosjes” pasi zgjodhi 28 dhjetorin, datë e preferuar nga LVV-ja.

Duke e cilësuar si pyetje “ofenduese”, Osmani tha se “dua t’i siguroj qytetarët që asnjë vendim nuk e marrë pa vetëdije”, por shtoi se ka besim të plotë “që ky vendim është vetëm në interes të Kosovës”.

“Të gjitha partitë janë shprehur se nuk janë kundër mërgatës. Pse po paragjykoni që mërgata është për një parti? E kam detyrim të zgjedh një datë ku kemi një pjesëmarrje më të madhe e jo më të vogël”, tha Osmani.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e mirëpriti caktimin e 28 dhjetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar si “datën më të përshtatshme”.

“Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik”, tha ai përmes një postimi në Facebook pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Osmani.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se pavarësisht se data nuk është ajo që kishte kërkuar, partia është e gatshme për zgjedhje.

“Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet pse 21 dhjetori do të ishte më i drejtë, vendimi është marrë, data është caktuar. Tani është koha që të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion”, tha Hamza përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

Osmani nënshkroi paraprakisht vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi një ditë më parë deputetët dështuan për herë të dytë që të zgjidhnin ekzekutivin e ri të vendit.

Nënshkrimi i dekretit për shpërndarjen e Kuvendit vjen, po ashtu, pasi udhëheqësit politikë nuk arritën asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë t’i votojnë sot disa marrëveshje me rëndësi për vendin.

“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Çfarë thanë krerët partiakë pas takimit me Osmanin?

Pas takimit të Osmanit, Hamza i PDK-së përsëriti qëndrimin se nuk ka vija të kuqe, por shtoi se “kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi më të afërt” me partitë që mandantin e kaluar ishin në opozitë.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij shkon e vetme në zgjedhjet e reja.

Kreu i Nismës Socialdemorkate, Fatmir Limaj, e cilësoi si “lajm të keq” mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai u shpreh se për nëntë muaj partitë nuk arritën të ndërtonin bashkëpunim, duke shtuar se kjo tregon “paaftësi dhe papjekuri se si ndërtohet shteti”.

Si pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të fillimvitit.

Vendi tani shkon në zgjedhje të reja duke mos miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna – Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.

Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Continue Reading

Kosovë

Sot nga ora 16:00 mbahet marshi protestues “Jo në emrin tim!”

Published

on

Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur për sot marsh protestues gjithë popullor për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta me moton “Jo në Emrin Tim”, që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me fillim nga ora 16:00, është përkrahur edhe nga shoqatat e dala nga lufta dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka njoftuar se për protestën e sotme ka transport të organizuar për qytetarët nga jashtë Prishtinës.

Kështu, nga Ferizaj nisja bëhet në mënyrë te organizuar me autobusë nga palestra “Bill Clinton” në ora 14:00, ka njoftuar OVL UÇK dega në Ferizaj.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.

#

Continue Reading

Trending